Nobelisti i Paqes, Yunus: merr titullin Albanian Excellence dhe shpallet Anëtar Nderi i saj
“Është një kënaqësi nënshkrimi i marrëveshjes së bashkëpunimit me Yunus Social Business në Shqipëri, firmosur nga ju personalisht dhe një bekim për vënien në jetë të pikave të kësaj marrëveshje, e cila sjell ekselentët shqiptarë në botë më pranë Shqipërisë dhe shqiptarëve “, tha drejtuesja e Albanian Excellence, Flora Nikolla, duke ju referuar marrëveshjes së nënshkruar një dite më parë me Yunus Social Business për Shqipërinë, firmosur nga Professor Muhammad Yunus, një njeri inspirues, mendimtar dhe vizionar; sipërmarrës i suksesshëm dhe shkencëtar revolucionar; altruist i përjetshëm që ja ka kushtuar jetën përmirësimit të jetës së të tjerëve dhe ndërtimit të një shoqërie më të barabartë”.
“Anëtarët e Albanian Excellence mbështesin këtë marrëveshje dhe me anëtarët e Albanian Excellence, që kam patur kontakt gjatë këtyre ditëve, janë shprehur të gatshëm të kontribuojnë në zhvillimin e politikave sociale në të gjitha shtresat që kanë nevojë. Besoj se te kjo vetëbindje e tyre, është forca që ju dini të jepni kudo, në sajë të vullnetit tuaj për një botë më sociale dhe më humane” , cilësoi Flora Nikolla në momentin e dorëzimit të çmimit dhe të titullit të nderit, miratuar nga bordi i Albanina Excellence, një organizatë jo fitimprurëse, e cila e nisi udhën e saj dy vite më parë,me qëllim evidentimin e suksesit shqiptar në botë.
“Për të ecur përpara duhet fuqi , të cilën ju e keni. Unë tashmë jam Albanian Excellence”, tha professor Yunus me këtë rast, duke i uruar udhë të gjatë kësaj organizate, duke cilësuar se përmes misionit fisnik që ka duhet të rikthejë të larguarit e saj në tokën e tyre.
Prof Yunus erdhi ne Shqipëri në kuadër të Javës së Biznesit Social në Shqiperi qe po mbahet nga 3 Nëntori në Tiranë dhe që përmban një seri aktivitetesht interesante si për komunitetin e sipërmarrësve, shoqërinë civile, ekspertët, akademikët, studentët, ashtu dhe për institucionet zhvillimore dhe politik-bërëse.
Në datat 3-5 Nëntor janë organizuar një seri aktivitetesh, ku pjesemarrësit kaluan në një eksperiencë interaktive të mësuarit dhe zhvillimit të koncepteve të biznesit social si dhe mjaft tema të ndryshme që janë të rëndësishme për pjesëmarrësit.
Në datën 6 Nëntor u organizua “Konferenca Ndërkombëtare e Biznesit Social”, ku nëpërmjet prezantimeve, paneleve të diskutimit, dhe shkëmbimit të eksperiencave vendase dhe ndërkombëtare u shtjelluan në detaje çështje të ndryshme mbi rëndësinë dhe zbatimin e biznesit social në Shqipëri.
Të pranishëm në konferencë ishin drejtues të lartë të institucioneve të politikës dhe zhvillimit nga vendi, rajoni dhe Europa, sipërmarrës të suksesshëm nga Shqipëria dhe të Europa, akademikë, shoqëria civile, ekspertë të biznesit dhe sipërmarrjes sociale, etj.
Prof, Yunus, në vizitën e tij të dytë në Shqipëri, ishte i ftuari i nderit në konferencën ndërkombëtare të organizuar në Tiranë, si dhe drejtuesi kryesor i sesionit të konsultimit të nivelit të lartë mbi të ardhmen e biznesit social në Shqipëri në horizontin 2020”. Pas konferencës, në pasditen e datës 6 Nëntor, Prof. Yunus, pati një takim publik të hapur me pjesëmarrjen e të gjithë të interesuarve, ku mbajti një fjalë mbi konceptin e biznesit social dhe eksperiencat e tij jetësore në zhvillimin e kësaj qasje të re dhe inovatore për zgjidhjen e qëndrueshme të problemeve sociale.
Yunus Social Business (YSB) është një organizatë ndëkombëtare që mbështet zhvillimin e biznesit social në shumë vende të botës. Ajo është bashkëthemeluar nga Laureati i Çmimit Nobel për Paqen, Profesor Muhammad Yunus, i cili njihet tashmë në mbarë botën për angazhimin e tij ndëkombëtar në luftën kundër varfërisë përmes dy shtyllave kryesore të veprimtarisë së tij: (1) modernizimin e qasjes së mikrofinancimit dhe përmirësimin e aksesit të të varfërve dhe shtresave të margjinalizuara në financime për aktivitet e tyre ekonomike; dhe (2) inicimin e mekanizmave mbështetjes për zhvillimin e modeleve të suksesshme të biznesit social në vende të ndryshme të botës. Ndërkohë që qasja e mikrofinancimit ishte shtrirë tashmë në mbarë botën, pas marrjes së Çmimit Nobel për Paqen në vitin 2006, Prof. Yunus pati kërkesa të shumta nga vende dhe organizata të ndryshme ndërkombëtare për shtrirjen e mëtejshme të qasjes së biznesit social dhe zgjerimin e veprimtarisë së tij në botë. Si pasojë, në përgjigje të kësaj kërkese në rritje, Prof. Yunus bashkë me Saskia Brysten dhe Sophie Eisenmann, themeluan Yunus Social Business në vitin 2010, si një iniciative globale për mbështetjen dhe zhvillimin e qasjes së biznesit social në vende të ndryshme.
Me seli në Frankfurt (Gjermani), me filiale në shtatë vende (përfshirë dhe Shqipërinë) dhe me veprimtari në shumë vende të botës, YSB është kthyer në një qendër të rëndësishme të të menduarit dhe veprimtarisë për zhvillimin e biznesit social, duke e kthyer atë në një lëvizje zhvillimore tashmë mbarëbotërore. YSB përbëhet nga një ekip entuziast specialistësh në fusha të ndryshme të menaxhimit, ngritjes së kapitaleve, inkubimit e financimit të biznesit, si dhe zhvillimit ndërkombëtar. YSB çel fonde-inkubimi në botë, duke i ndihmuar njerëzit në vendet në zhvillim, përmes formave të posaçme të mbështetjes, për të ndërmarrë nisma biznesi me impakt social dhe për t’u bërë sipërmarrës të suksesshëm në këtë fushë.