Noli-Konica, albumi i një bashkohësie

Biblioteka kombëtare përuron ditën e hënë, më 30 mars, ora 17:00, në prani të Ministres së kulturës znj. Mirela Kumbaro, ekspozitën kushtuar dy figurave të shquara të jetës kulturore, letrare,  politike e shoqërore të mbarë botës shqiptare,  që nga kolonitë e largëta e deri te zemra e saj në Ballkanin e ndërliqshëm: NOLI / KONICA – Albumi i një bashkohësie. 

Pikërisht në përkujtim të 50-vjetorit të vdekjes së Fan Nolit dhe 140-vjetorit të lindjes së Faik Konicës (13 dhe 15 mars), kjo ekspozitw i propozon publikut një qasje të veçantë, e cila ndjek dialogun kompleks që karakterizoi të dy personalitetet poliedrike, duke vënë në dukje njëkohësisht kontributet e tyre të përbashkëta si shkrimtarë, përkthyes, kritikë letrarë e kritikë socialë, dijetarë të hollë në debatet ndërkombëtare të kulturës botërore por edhe polemistë të fuqishëm ndaj zhvillimeve politike jo vetëm Shqiptare por edhe rajonale e europiane.

Kjo ekspozitë u konceptua në trajtat e një albumi sekuencial, në tekste dhe imazhe, të cilat përzgjedhin rrugëtimet dhe pikëtakimet mes tyre, realitete ende kërshëritëse të historisë sonë kulturore e politike, ku përkthyesi i flet shkrimtarit, ku muzikanti i gjegjet muzikologut, ku shkrimtari thërret kritikun, ku politikani i përngjason artistit e njeriu i Perëndisë kuvendon me aktivistin,  ku publicisti qesh me pseudonimet  e kundërshtari përmallet me mikun. Homazh admirues por dhe vështrim thellues mbi dy figura të papërsëritshme, koncepti i kësaj ekspozite shpie natyrshëm te një bashkohësi e dyfishtë, ajo realja, ndërmjet tyre, dhe ajo e sotmja, po aq fuqimisht reale, me të tashmen tonë.  

 

SHKARKO APP