Nostalgji për Lasgushin

 

Nga Mitro Çela

Tre ditë më parë ishim në Pogradec. Festa e Verës prej Buti. Pasi piva ca gota, shkova të "çmallem" me Lasgushin dhe Mitrush Kutelin. Të dy në bronx. Njeri, ndoshta poeti lirik më i madh i Ballkanit. Tjetri, nga novelistit që i lindin një kombi, një herë në 100 vjet. Kam shkruar për secilin nga një esse. Po e nis me Lasgushin.
Në vitin 1987 punoja në gazetën “Bashkimi”. Teodor Keko punonte në gazetën “Drita”. Të dy me shërbim në Pogradec. Secili për hesap të vet. Në mbrëmje, zumë një tavolinë në lulishten e hotel turizmit të vjetër. Me një gotë birrë përpara, në gjysëm errësirë, shijonim melodinë e dallgëve të liqenit…
Para nesh u shfaq një burrë i vjetër. Me një shkop në dorë. Nëpër këmbë i vërdallisej një kone…Kur u afrua tek tavolina, u dëgjua një zile…Plaku futi dorën në xhep. Nxorri një sahat tavoline. Pa orën duke thënë: “ Pusho, moj e flamosur?!”
”Çësht mo kjo fantazmë,- pëshpëriti Dori,- duke zgurdulluar sytë…Pastaj thirri: O Zot! Na mbiu fati mbi tavolinë! Ky është Lasgushi?!…” 
I bëmë vend në tavolinë. Na pa vëngër. Nuk na njohu. Nuk na kishte dëgjuar…Lëshoi vetëm një psherëtimë: “Këta të Komitetit Ekzekutiv duhen vrarë me bukë në gojë!…Më sjellin vërdallë…Nuk ma marrin vajzën në punë…E kam mësuese në Tiranë, dhe më duhet ta kem në Pogradec”…
U ngrit duke mërmëritur…I zgjatëm dorën. Na mbeti kobure! 
Lasgushi u largua. Pa na dhënë dorën. Pa na përshëndetur…E përpiu errësira, nën melodinë e valëve të liqenit…”Si fantazmë erdhi, si fantazmë u largua, – tha Dori, duke hapur bllokun e shënimeve”…(Vite më vonë, më tregoi disa vargje të shkruara në atë natë.)
-Të të them një perlë,- më thotë Dori.- Ma ka treguar Ismail Kadare. Në vitin 1946 ministër i Arsimit ishte Sejfulla Malshova. Edhe ky poet. Edhe ky i ditur e me shumë gjuhë si Lasgushi. Ministri i Arsimit, diku kishte bërë humor me poetin nga Pogradeci. Lasgushi e mori për tallje. Vjen në Tiranë. Kërkon Sejfullanë dhe fton…në duel! Si në mesjetë! Si kalorësit…Vetëm një poet i madhërishëm, që jeton me kokën mbi re, mund të bëjë proçka të tilla në socializëm?!
Këtë "bëmë" Ismail Kadareja e ka botuar edhe në essenë për Migjenin…

SHKARKO APP