Nostalgjia e personazheve origjinale të Suljeman Pitarkës
Sulejman Pitarka, një ndër aktorët më të suksesshëm të teatrit dhe kinematografisë, protagonist i mbi 70 roleve në teatër dhe rreth 20 roleve në kinematografi, kujtohet me dashuri nga publiku për këto role, të vlerësuara nga kritikët si mjaft realiste. Rolet e tij janë percaktuar nga kritika shqiptare si portrete origjinale, që aktori i krijoi me zërin dramatik, herë-herë imponues në skenë.
Këto karakteristika i dhanë një sinqeritet gati të rrallë skenik Sulejman Pitarkës, aq sa rreth 20 vjet më parë, një nga admiruesit e tij i shkruante një letër shumë domethënëse, ku në pak rreshta përmblidhte çdo vlerësim: “Ju më pëlqeni”, i shkruante ai Pitarkës. “Më pëlqeni, sepse më duket se më gënjeni me lezet”.
Ai filloi punë në majin e largët 1951, kur u emërua aktor profesionist në Teatrin Kombëtar, ndërsa sot Sulejman Pitarka, fitues i disa çmimeve në teatër dhe kinematografi, mes tyre çmimin për ‘Karrierën’ si edhe Medaljen “Mjeshtër i Madh i Punës”.
I lindur më 2 shkurt të vitit 1924 në Dibrën e Madhe, Sulejman Pitarka i braktisi shumë shpejt studimet, për t’i ardhur në ndihmë të atit, pasi varfëria e skajshme e familjes nuk mund të përballohej vetëm nga ai. Prej vendlindjes, vendoset në qytetin portual të Durrësit, ku fillimisht detyrohet të punojë si hamall, jo vetëm në port, por edhe në kriporet e Kavajës.
Ai nisi punën si ndihmës-llogaritar në një firmë të njohur italiane dhe në Bankën e Durrësit, por pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore ai i braktis financat për t’iu përkushtuar teatrit.
Pas vitit 1945, Pitarka interpretoi në teatrin amator të Durrësit role në dramat “Ishulli i paqes”, “Invadimi”, etj. Me ndihmën e aktorit të madh shqiptar, Mihal Popi, në 1951 bëhet pjesë e Trupës së Teatrit Popullor. Kanë mbetur të paharruara për spektatorët kryeqytetas rolet e realizuara prej tij në skenën e këtij teatri në dramat “Trimi i mirë me shokë shumë”, “Syleshi”, ”Orët e Kremlinit”, “Familja e peshkatarit”, “7 shalianët”, “Vajza nga fshati”, “Doktor Aleksi”, “Epoka para gjyqit”, etj.
Çuditërisht, Pitarka ka luajtur role dytësore deri në vitin 1964, ndërsa në vitin 1956, i frymëzuar nga kujtimet e fëmijërisë dhe nga përvoja e vështirë jetësore, shkruan një dramë të spikatur të dramaturgjisë shqiptare, “Familja e peshkatarit”, të cilën e pason me vepra të tjera. Kësaj periudhe i përkasin disa nga rolet e tij më të paharrueshme në teatër, si në pjesët “Halili dhe Hajria”, “Borgjezi fisnik”, “Epoka para gjyqit”, “Vajza me flokë të thinjura”, “Prefekti”, “Karavidhet”, “Arturo Ui”, “Një nuse për Stasin”, etj.
Pas suksesit në filmin “Debatik”, Sulejman Pitarka do të siguronte një karrierë të pasur edhe në kinematografi. Në fakt, ai e filloi me filmin “Furtuna” dhe pas “Debatikut” interpretoi edhe në “Horizonte të hapura”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Gjeneral Gramafoni”, “Pas gjurmëve”, etj. Roli i tij më i spikatur është ai i Zheleznovit, komandantit rus, në filmin “Ballë për Ballë”. Ky film ka marrë pjesë në Festivalin e Filmit në vitin 1981 dhe është shpallur fitues i këtij edicioni. Të tjerë filma ku ai ka interpretuar janë: “Tinguj lufte” (1976), “Guna përmbi tela” (1977), “Rrethimi i vogël” (1986), “Vdekja e burrit” në vitin 1989, etj.
Shumë studentë të tij, sot aktorë të njohur, thonë se pasaporta e krenarisë së tyre është kur shprehen se kemi qenë studentë të Prof. Sulejman Pitarkës, aktori i madh i cili pas njëzetë vjetësh shkëputjeje, në vitin 2005 u ngjit me shumë sukses në skenën e Teatrit Kombëtar, me interpretimin e shkëlqyer në dramën “Pjata e drunjtë”.
Për Sulejman Pitarkën i cili ndërroi jetë në Tiranë, më 24 mars 2007, zënë ndoshta më shumë vend fjalët e një filozofi, i cili thotë se “vlerat e një kombi nuk varen nga madhështia e personaliteteve të tij, por nga vlerësimi që populli u bën këtyre personaliteteve”.