Nota e borxhit sovran, e pandryshuar/ JCR Eurasia: Zhvillimet politike dhe anëtarësimi në BE mund të sjellin ndryshim

Kompania e vlerësimit, JCR Eurasia ka mbajtur të pandryshuar notën e borxhit sovran të Shqipërisë, në BB+, por ka ndryshuar perspektivën, nga pozitive që ishte më parë, në të qëndrueshme. Pra, më parë agjencia ishte e mendimit se nota e borxhit sovran të vendit tonë mund të ndryshonte për mirë, ndërsa tashmë beson se, nuk do të ndryshojë për disa  kohë. Agjencia turke e vlerësimit të kreditit vlerëson se, ekonomia shqiptare vijon të arrijë terma të moderuar të rritjes ekonomike, dhe se dështon t`i afrohet niveleve europiane të PBB për frymë.

Borxhi publik vlerësohet si  mjaftueshëm i lartë. Sa i përket zhvillimeve politike në vend, agjencia thekson se, ngjarjet dhe trazirat e fundit rrezikojnë të ngadalësojnë reformat e rëndësishme; ato që janë kyçe për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.  Ndër të tjera, agjencia vë theksin edhe te skemat e partneritetit publik privat, për të cilat thotë se, pavarësisht se kanë një impakt në termat e rritjes ekonomike, në terma afat-gjatë, çështjet si emigrimi dhe plakja e shpejtë e popullsisë vlerësohen si rreziqet kryesore jo-ekonomikë të vendit tonë.

Gjatë periudhës në vazhdim, agjencia do të monitorojë ngushtësisht skemat e PPP, konsolidimin fiskal si dhe reformat institucionale.  Procesi i anëtarsimit në BE si dhe zhvillimet politike mund të ndikojnë në një ndryshim të notës, thotë më tej agjencia.

/ SCAN

SHKARKO APP