“Nuk ka asgjë më të ëmbël se atdheu!”

Personaliteti i Hysen Ibrahimit në librin “Vepra 1 – vlerësime, opinione, intervista, refleksione”

Nga Viron Kona

(Anëtar nderi i Shoqatës së Shkrimtarëvedhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI – Albani, Suedi)

Hedh vështrimin në etazherin tim dhe shoqëroj me sy librat e autorëve nga Suedia. Ato fillojnë me Astrid Lindgren, Selma Lagerlof, August Strindberg, Ullmar Kvik (Qvick), Lars Westman, Mats Wanblad, Sadulla Zendeli-Daja, Sokol Demaku, Hysen Ibrahimi, Qibrije Hoxha (përkthimi i “Bubulinos”), Hamit Gurguri, Riza Sheqiri, Fetah Bahtiri, Zyrafete (Kryeziu)Manaj, Ismet Hasani, Bahtir Latifi, Remzi Basha, Hamdi Arifaj, Lebibe Zogiani, Proza skandinave (grup autorësh, botim 1984)…Vijojnë vëllimet e Enciklopedisë së Borasit,-dhuratë nga Per Kettisen, portreti i Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit-pikturë nga Florie Lule Bajraktari, simbolika e Midsomar (Dita e Verës), skulptura e bronzit “Tregtari nga Borasi”,  albume me pamje nga Suedia, fotografi… Janë shumë libra, shumë krijues suedezë e bashkëkombës shqiptarë me banim në Suedi, shumë sende dhe kujtime të vyera, të cilat i japin vlerë të veçantë dhe e zbukurojnë bibliotekën time. Për disa nga autorët që përmenda kam shkruar, sikurse mund të flasë me orë të tëra, por, kësaj here, po ndalem më gjerë te Hysen Ibrahimi, personalitet shqiptar i nderuar dhe i respektuar në Suedi dhe në mërgatën shqiptare, i zgjedhur për dy mandate radhazi kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI-Albani”, Suedi, teksa, është i njohur edhe për veprat e tij atdhetare, shkrimore e kulturore, drejtuese dhe organizuese në shërbim të Kosovës  dhe kombit shqiptar.

Nga jetëshkrimi, mësojmë se, Hysen Ibrahimi u lind më 04 janar 1962 në një familje atdhetarësh, në lagjen Shpat (ish-Shupkovc), Komuna e Mitrovicës, Kosovë. Mendimtar, atdhetar dhe veprimtar i shquar i arsimit e i kulturës shqiptare, autor i disa veprave, redaktor, recensent, politolog. Ka qenë anëtar i Grupit Organizativ të demonstratave të 3 dhe 4 prillit 1981, në Mitrovicë, me në krye Xhelal Ferizin. Shkollën e  mesme e kreu në vendlindje, kurse shkollën e mesme ekonomike në Mitrovicë.

Siç shkruan gazetari i njohur Xhavit Çitaku: “Me zemër të thyer e shpirt të trazuar, në gjysmën e parë të vitit 1988, Hysen Ibrahimi “braktisi” vendin e lindjes dhe u vendos në Suedinë e largët. Këtë rrugë mërgimtare nuk e bëri me dëshirë, përkundrazi, këto shtigje të hidhura kurbetcare i mori për shkak të ndjekjes hap pas hapi që ia bënte UDB-ja serbe. Lirisht, mund të thuhet  se, vendosja e këtij veprimtari të devotshëm në këtë vend skandinav ishte një fat i madh për mërgatën shqiptare, sepse ai u bë një “tribunë” atdhetarizmi dhe një zë i fuqishëm i organizimit të këtij komuniteti, sidomos nga fillimi i viteve nëntëdhjetë…”.

Në Suedi, ku jeton e vepron aktualisht, Hysen Ibrahimi kreu shkollimin e informatikës dhe të politikës ndërkombëtare. Është angazhuar në politikë, që në ditët e para të ardhjes së tij në Skandinavi. Ka qenë kryetar i LDK-së, dega në Suedi, kryetar i LDD-së, po ashtu në Suedi, veprimtar në Fondin e Republikës së Kosovës, i ashtuquajturi “Tre përqindëshi”, si dhe në veprimtari të tjera për sensibilizimin dhe informimin e opinionit suedez rreth çështjes së Kosovës. Anëtar i Këshillit botues në revistën “Dituria”, në Boras-Suedi. Anëtar i disa grupeve të punimeve shkencore në vitet 2012, 2013, 2014, 2015; në katër sesione shkencore për librin “Thesari Kombëtar” i Mërgatës Shqiptare në Suedi 1, 2, 3, 4 e në vazhdim. Më 23 nëntor 2013 zgjidhet  nënkryetar i Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë për Mërgatë. Aktualisht është kryetar  i Kryesisë së Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI – Albani në Suedi. Fushë-veprimtaria e tij është e shumanshme. Ka botuar artikuj të shumtë, punime, studime, recensione, opinione me karakter politik, kulturor dhe arsimor, të cilat janë botuar kohë pas kohe në gazeta shqiptare në Kosovë, Shqipëri dhe Suedi. Për veprimtaritë e kryera ka merituar mirënjohje e falënderime të shumta në nivel kombëtar dhe të Suedisë. Ka marrë pjesë në shumë konferenca shkencore në të gjitha trevat shqiptare dhe në mërgatë me tema të ndryshme. Ka botuar veprat: ”Solidariteti i mërgatës shqiptare në Suedi (2000), ”Kosova në zemrën e  mërgatës në Suedi (2009), “Mërgata për Arsimin në Vendlindje”(2011). Ka në dorëshkrim edhe vepra të tjera.

2.

Nga librat e Hysen Ibrahimit zgjodha të shkruaj disa përshtypje modeste për librin “Vepra 1, vlerësime, opinione, intervista, recensione”, një libër me tematikë dhe brendi të gjerë atdhetare, ku spikatin vlerat njohëse, dashuria për vendlindjen, bukuria e të shkruarit dhe përfundimet e mençura. Jeta përherë aktive dhe në lëvizje e z. Ibrahimi, orientimi i tij gjithnjë i qartë, kultura e gjerë dhe profesionalizmi si politolog, kanë bërë që ai  të krijojë dhe të përgatitë libra me nivel të lartë kulturor e atdhetar, të vlerësuar nga lexuesit e shumtë  dhe kritika profesioniste. Ajo që lidh dhe bashkon, që i jep librit dritë e vlerë të veçantë dhe e bën frymëzues, është vendlindja – Kosova, e cila po shëron përditë plagët e rënda që i shkaktoi gjenocidi i egër serb dhe po ecën e sigurt në rrugën e zhvillimeve si edhe kombe të tjerë të Evropës dhe të botës.

Si dhe në librin “Kosova, në zemrën e mërgatës në Suedi”, ashtu dhe në këtë libër të frymëzuar, lexuesi njihet me shpirtin e zjarrtë të autorit, me përpjekjet e tij të vazhdueshme për të gjetur e zbuluar rrugët më të mira për ta ndihmuar dhe për t`iu gjendur vazhdimisht pranë Kosovës

Libri nis me një letër frymëzuese që Hysen Ibrahimi i drejton prof. Murat Gecaj, sekretar i Shoqatës së Arsimtarëve të Shqipërisë, i cili, së bashku me një grup nga Shqipëria, morën pjesë në veprimtarinë e 5-Vjetorit të krijimit të Qendrës Kulturore Shqiptare “Migjeni” në Boras të Suedisë më 14  prill të vitit 2012. “Ju, – shprehet me një gjuhë vlerësuese Hysen Ibrahimi, – na sollët freskinë kombëtare nga shteti Amë, Shqipëria”. Në vijim, si përpara një monumenti të madh e të shndritshëm, autori shprehet me fjalë të zjarrta për familjen Jashari të Prekazit, që u shndërrua në “Personazhin kryesor të zgjedhjes së nyjës dardane antike përmes pushkës”, e, ku, në qendër është heroizmi i jasharajve, vepra e tyre heroike deri në flijim për truallin shqiptar. Në këtë artikull, autori hedh dritë, pasqyron në mënyrë përgjithësuese betejat shqiptare për liri e pavarësi,  përshkruan vazhdimësinë e heroizmit popullor të brezave me idenë se, kur është nevoja për atdheun, njeriu duhet të sakrifikojë gjithçka…”. Është mbresëlënës dhe emocionues artikulli kushtuar prof. Fehmi Aganit, i cili “ishte personaliteti më me ndikim, në radhë të parë për të gjetur rrugët e duhura drejt përparimit të institucioneve të Kosovës…” , e, në vazhdim, një tjetër artikull ”Në shenjë përkujtimi për mikun tonë të madh Nazmi Lukaj”. Sikurse, ka vlera të mëdha aktuale shkrimi “Hakmarrja, fenomen që duhet zhdukur”, një kërkesë kjo, që preokupon vazhdimisht mendjen dhe zemrën e ndjeshme dhe të bukur  të Hysen Ibrahimit.

Krijon emocione të mëdha te lexuesi artikulli  “Emërimi i Dr. Rrugovës, senator nderi i Europës, mburrje dhe lavdi e gjithë kombit shqiptar”. Ndihet në këtë artikull krenaria  për figurën madhështore të Presidentit Ibrahim Rrugova, udhëheqës   i shquar historik i Kosovës, i cili, edhe kur ishte gjallë, edhe sot e në vazhdim do të jetë një monument i ndritshëm e me vezullim të përhershëm në hapësirën historike shqiptare. Në një takim me z. Hysen Ibrahimi, më 16 prill 2016, kur ai u ndodh i ftuar në një veprimtari festive në qytetin e Laçit të Kurbinit-Shqipëri, edhe unë, si edhe të pranishmit, ndjemë emocione kur z. Hysen Ibrahimi tregoi për një bisedë me Presidentin Ibrahim Rugova, e ku, ai, mes të tjerash i kishte shprehur respekt për emrin dhe veprën madhore të Papa Klementit XI – Albani. “- Që atëherë, – tha z. Ibrahimi, – e pata në mendje që, Shoqatës sonë të Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë në Suedi, t`i vinim këtë emër të nderuar të kombit shqiptar, duke zbatuar kështu edhe një amanet të Presidentit Rugova.” Dhe, duhet të themi se, me veprat që po kryen në shërbim të atdhetarizmit dhe ngritjes lartë të vlerave të kombit, Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI – Albani, Suedi, po ia ndrit faqen vetes, po nderon dhe po lartëson në piedestal emrin e ndritshëm që ajo mbanë, si me veprimtaritë e shumta kulturore e atdhetare në Suedi, ato në mërgatën shqiptare, e, veçanërisht, me botimet e veprave “Thesari Kombëtar” 1, 2, 3, 4 dhe i pesti që është në rrugën e botimit…

3.

Me interes paraqitet në libër rubrika “Opinione”, e cila nis me artikullin e vyer kushtuar Nënë Terezës dhe madhështisë së saj. Te lexuesi ngjallë emocion të veçantë paragrafi ku autori shkruan: ”…Në lutjet tradicionale të mëngjesit në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, Nënë Tereza ishte përkulur para Presidentit Rugova, ia kishte marrë e ia kishte puthur dorën (në prani të Presidentit Bill Klinton) dhe pastaj i ishte drejtuar Presidentit të SHBA-së Bill Klintonit, duke i thënë: ”Zotni President. Ky është Presidenti im i Kosovës – Ibrahim Rugova. Të lutem ma ke në kujdes, bashkë me popullin tim!” “Kjo, – vijon artikullin e tij z. Ibrahimi, – është mençuria më e madhe e një personaliteti siç ishte e madhja Nënë Terezë. Mbas përfundimit të luftës në Kosovë, Presidenti Bill Klinton kishte shkuar në Kalkutë dhe duke u lutur mbi varrin e Nënë Terezës, ndër të tjera kishte thënë: ”Nënë Terezë, ndjehem krenar dhe i çliruar në shpirt, që Zoti na ndihmoi dhe ta çova në vend amanetin”!

Te artikulli “Disa opinione për Ullmar Qvickun”- Hysen Ibrahimi i drejtohet prof. Fetah Bahtirit dhe  e përgëzon për monografinë që ai po shkruante për  Mikun e Madh të Shqiptarëve Ullmar Qvick. Ai mbështet fort idenë e monografisë, duke shprehur konsiderata të larta dhe të merituara për suedezin e madh, pasi, siç shprehet: “Ullmar Qvick, bën pjesë në radhët e figurave më të spikatura si albanolog, krijues, publicist, përkthyes dhe humanist në përkrahje të historisë dhe të të drejtave të popullit shqiptar. Njëkohësisht ai është bërë ndërtuesi më i madh i miqësisë shqiptaro-suedeze i kohës sonë dhe kjo monografi le të jetë një dhuratë nga të gjitha zemrat e shqiptarëve për këtë mik të madh e besnik”. Kurse, në artikullin “Shkronja X”, duke shkruar për vizitën në shkollën e qytetit Svenshogen të Suedisë, ku jep mësim gjuhën shqipe profesori i mirënjohur shqiptar Fetah Bahtiri, dikur mësues i Hysen Ibrahimit në Mitrovicë. Pas përshkrimeve të bukura, emocionuese  dhe me përmbajtje të thellë atdhetare, mes të tjerash autori shkruan: “Secili njeri njihet me karakterin  tij, atëherë, dhe vetëm atëherë, kur bëhet udhëheqës apo pedagogë i dalluar”. Krijon emocion pjesa kur Fetah Bahtiri iu drejtua nxënësve: ”Kush di të recitojë Himnin e Flamurit?” Nxënësit i ngritën të gjithë duart. Të gjithë e dinin Himnin e Flamurit…

Në intervistën: ”Të vlerësojmë dhe të çmojmë përkrahjen e popullit mik suedez në kohërat më të duhura, që na u gjend pranë gjatë dhe pas luftës”, intervistë kjo dhënë poetit dhe gazetarit të mirënjohur shqiptar në Suedi Sokol Demaku, Hysen Ibrahimi, duke iu përgjigjur pyetjeve, shpalos ide, mendime dhe emocione të shumta, e, ku, boshti që përshkon shprehjet dhe ligjëratat e tij, është dashuria për Kosovën, vendlindjen e tij të shenjtë. Prandaj dhe, në përfundim të asaj interviste, pyetjes: “Po të kishit mundësi të zgjidhnit, ku do të kishit jetuar sot?” ai i përgjigjet: “Vendlindja për mua është gjëja më e shtrenjtë në këtë planet. Afër 24 vite po i mbush që jetoj në Suedi, asnjëherë të vetme nuk kam parë ëndërr në Suedi, por vetëm në vendlindjen time në Shpat (ish-Shupkovc), Mitrovicë. Atje dua të jetoj derisa të kem jetë.”

Tërheq vëmendjen portretizimi që i bënë Hysen Ibrahimit gazetari i talentuar Xhavit Çitaku, i cili ndër të tjera shprehet: “Dy dekada e gjysmë në shërbim të kombit e atdheut. Kontributi i tij në të gjitha format e organizimit të mërgatës shqiptare në Suedi ishte i jashtëzakonshëm…Thënë me gjuhën e fakteve, Hysen Ibrahimi ishte një shpirt i paepur i organizimit të shqiptarëve në një front të përbashkët me të vetmin qëllim: çlirimin e  Kosovës nga okupimi serb. Duke parë fuqinë dhe ndikimin e madh që kishte LDK-ja, Hysen Ibrahimi me disa veprimtarë të tjerë, formoi dhe vazhdon ta udhëheq degën e kësaj lëvizjeje, e cila luajti një rol të pazëvendësueshëm rreth organizimit të shumë aktiviteteve, protestave dhe formave të tjera të reagimit shqiptar kundër politikës gjenocide që ushtronte regjimi serb në tokën dardane…”. Në afër katër faqe të shkëlqyera z.Çitaku vijon me vlerësimin dhe portretizimin e figurës së z. Ibrahimi, kurse në përfundim të shkrimit, botohen shënime nga: Saranda Iseni, Mursel Shkupolli, Shaban Murseli, Nuha Zullufi, Ullmar Qvick, Fetah Bahtiri, Osman Ahmetgjekaj, Bajram Morina…

Teksa përpiqem të pasqyroj këtë kapitull i sjell vazhdimisht në mendje konsideratat e prof. Osman Ahmetgjekaj, bashkëveprimtar deri në ditët e sotme i Hysen IIbrahimit. Ai  vlerëson se, “njëri ndër veprimtarët më të dalluar për dy dekada e gjysmë që punoi në mënyrë më konstante ishte padyshim z.Hysen Ibrahimi. Ishte ndër të parët shqiptarë që arriti në Suedi në vitin 1988 dhe pasi mori leje qëndrimin, menjëherë, pa kursyer asgjë, filloi punën për sensibilizimin e opinionit suedez për gjendjen e rëndë në Kosovës…Ai është një veprimtar karizmatik, i çmuar dhe i nderuar për tërë mërgatën shqiptare në Suedi dhe sado shumë që të flasim e të shkruajmë për aktivitetin, punën dhe kontributin e tij për pavarësinë e Kosovës, më besoni se nuk e teprojmë”. Kurse, në vazhdim të këtyre konsideratave, po citoj dhe znj. Saranda Iseni, juriste e shquar, që jeton në Malmo të Suedisë. Ajo shprehet: ”nuk është çudi gjithë ky thesar i çmuar i krijuar nga veprimtari Hysen Ibrahimi, ngaqë ai është “brumosur” me ideale të larta patriotike nga familja  e tij që dha shumë për popullin dhe atdheun. Dashuria  e këtij mërgimtari ndaj atdheut  nuk ishte vetëm fjalë goje, por ishte një ndjenjë, mall, sakrificë dhe kontribut i vazhdueshëm që z. Hysen Ibrahimi e dha me shëmbëlltyrën e  tij”.

4.

Në shkrimet, artikujt dhe ligjëratat e këtij libri, lexuesi ndjenë përherë jehonën e pasthirrmës, që na vjen artistikisht që nga lashtësia dhe që do të jetojë përgjithmonë: ”Nuk ka asgjë më të ëmbël se atdheu!” Kjo pasthirrmë – jehonë, që rreh me ritëm e vrull bashkë me  zemrat e tërë shqiptarëve, duket se u jep atyre më shumë jetë, gëzim, bukuri dhe frymëzim, i bënë ata poetë në shpirt dhe më shumë human në zemra, me mendje të merakosur e vështrim të kthjellët gjithnjë te vendlindja, te kombi ynë i lashtë.

Duke provuar të mbyllë shënimet e mia, e vura veten në mendime e meditime rreth rubrikave dhe artikujve të këtij libri me përmbajtje të thellë, me vlera të mëdha atdhetare, publicistike  e letrare, por edhe të shkruara me një gjuhë të thjeshtë, me bukuri e hijeshi, me kompetencë dhe profesionalizëm. Libri zbukuron dhe u jep vlerë bibliotekave, por mbi të gjitha, me ndjenjat, mendimet dhe emocionet, ai përcjellë dhe frymëzon te lexuesi më shumë dashuri për atdheun dhe kombin, respekt dhe nderim për vlerat e luftëtarëve të lirisë, atdhetarëve dhe intelektualëve të mëdhenj, që përherë kanë vënë gjithçka, deri edhe jetën e tyre në shërbim dhe në mbrojtje të Kombit.

SHKARKO APP