Numërimi mbrapsht ka filluar

Nga Gentian Çala –

Një pjesë e shtypit pro-qeveritar sot hidhte në tregun mediatik idenë e një koalicioni PS-PD. Para disa ditësh eksponentë të PS flisnin për bisedime midis PS dhe LSI për ligjin e magjistraturës, ndërsa nga ana tjetër për takime informale të krerëve të PS dhe PD për reformën zgjedhore. Duket sikur segmentet e opozitës janë në garë për renditur në krah të mazhorancës, ndërsa e vërteta është krejt ndryshe.

Makina e qeverisë është në këto momente një makinë që nuk mund të ndizet dhe ka mbetur në rrugë, asaj i duhet ta shtyjë dikush për ta ndezur. Rama përpiqet nga njëra anë të përçajë opozitën dhe nga ana tjetër e bën të duket se ai është për bashkëpunim me segmente të saj, madje edhe duke bashkëqeverisur. Kjo bëhet për efekte propagandistike, për të fituar kohë dhe për të vjedhur ndonjë konsensus.

Rama e kupton se tani është momenti më pak i favorshëm i tij për tu përballur me opozitën dhe befas tjerr histori takimesh të fshehta apo të largëta, kanalesh komunikimi që nuk ekzistojnë për ti krijuar iluzionin opozitës dhe qytetarëve se ai nuk do përballje por bashkëpunim.

Ai është në një nga momentet më të vështira të karrierës së tij dhe madje mund të jetë duke luajtur aktin e fundit të tij në politikë, kështu që i duhet të tejkalojë veten, duke luajtur në fushën e kundërshtarit.

A mund të ketë pakt politik apo bashkëqeverisje me segmente të opozitës në vjeshtë? Filozofia e timonit dhe e tepsisë nuk e pranon këtë manovër politike, megjithëse ky është terreni ku të pamundurat edhe mund të ndodhin. Lulzim Basha nuk mund të gabojë për së dyti, ashtu si Monika Kryemadhi duket mjaft e vendosur për të mos pranuar një gjë të tillë. Formacionet politike në opozitë tashmë duken më të rrudhura, por të konsoliduara në qëndrime. Marrëveshje me Ramën dhe Rilindjen nuk ka!

A mund të ketë një timonier tjetër kjo mazhorancë? Ky duket skenari më i mundshëm të ndodhë duke marrë parasysh se Rama ka një pakënaqësi në rritje nga brenda PS, ka një kundërshti të fortë nga opozita, duket me kuota më të ulta te partnerët ndërkombëtarë. Opozita e di fare qartë se zgjedhjet e ardhshme mund të kenë të njëjtin fat me ato të shkuara duke pasur në krye të qeverisë kryeministrin aktual. Lufta kundër Ramës është luftë për një standart të ri zgjedhjesh në Shqipëri.

Po zgjedhjet e parakohshme a janë një mundësi? Është e vështirë të parashikosh se çfarë do të ndodhë nëse bie kryeministri aktual. Me shumë mundësi mund të kemi të njëjtën mazhorancë me një kryeministër tjetër, por nuk përjashtohet mundësia e zgjedhjeve të parakohshme. Shqipëria do të kishte tjetër frymëmarrje dhe integrimi do të ishte më pranë.

Rama dhe Rilindja janë në panik. Ata duken më të pafuqishëm se çdo herë në 5 vitet e fundit, pa mbështetje dhe me një bilanc qeverisje të shprishur nga skandalet, grykësia dhe paaftësia. Asnjë makiazh politik nuk do ta bënte të dukej bukur. Show-t të bashkëqeverisjes i ka dalë boja ashtu si dhe marifeteve të tjera për tu dukur “good enough” (mjaft mirë).

Atij i mungojnë edhe ambasadorët që mund ti jepnin ndonjë të shtyrë, zëvëndësit e tyre nuk mjaftojnë.

Ramës i ka filluar numërimi mbrapsht dhe ky është pozicioni për të cilin iu pat thënë shqiptarëve se unë nuk do të iki kur të duan të tjerët, por kur ta vendos vetë. Në fakt, ai nuk do të iki se do vetë, por i mbaroi koha!

Deri atëhere media pranë tij kush e di se çfarë do të tjerrë!?

SHKARKO APP