Obelisku në Muzinë, bashkiakët memurë dhe ata që bënë historinë…

Përsiatje në vend të një reportazhi, nga cikli “Gazetar midis dy shekujve”

Nga Kristo Mërtiri/Qafa e Muzinës, historikisht ka pritur e përcjellë pafundësisht udhëtarë shqiptarë e të huaj, të ftuar e të paftuar, taborë me pushtues të armatosur gjer në dhëmbë nëpër Europë e që marshonin drejt perlës aq të lakmuar të Jugut, drejt Sarandës e Bregut të Detit. Dhe anasjelltas, drejt Janinës,Dropullit e Luginës së Drinos. Historia nuk harron. Sistemet politike dhe qeverisjet vijnë e shkojnë, por faqet e saj me dritë Lirie janë e do të mbeten aty, të pandryshueshme e rrëfimtare të përjetshme. Kësaj porte të dashur natyrore i dhanë nur dhe emër të mirë mjaft kapedanë e luftëtarë atdhetarë, mjaft djem e vajza partizane nëpër njësi, çeta, batalione e brigade gjatë Luftës së shenjtë Antifashiste Nacionalçlirimtare. 28 mijë yjet e pashuar kuqojnë dhe flasin brez pas brezi në çdo kilometër. Vula popullore nuk mund të shuhet e as retushohet dot: “Dëshmorët e Shqipërisë/ Të mirë ishin të gjithë”… Sepse ata nuk i bëjnë dritë e nder vetëm qiellit shqiptar, por edhe horizonteve antifashiste botërore përtej deteve e oqeaneve. Dje, sot dhe nesër, përgjithmonë. Janë dëshmorët e Lirisë e të Demokracisë së vërtetë, themelet e të cilave hodhën rrënjë te “lule djemtë e nënave”, te ato lule që dhanë jetën në lule të rinisë. Veç të tjerave, gjatë tranzicionit tonë të pafund e dhimbjeshumë, populli ynë përjetoi edhe skena makabre e mesjetare. Në emër të luftës kallpazane kundër “komunizmit”, gjetën shesh e bënë përshesh edhe ca horra antikombëtarë që vunë dorë egërsisht deri mbi pllakat e varreve, mbi obeliskë e lapidarë, mbi muzeume e qendra historike, mbi vetë traditën zakonore shqiptare! Gjurmët e këtij sulmi të turpshëm e anadollak janë ende të pafshira pas premtimeve elektorale për vota e pushtet, sot e kësaj dite (?!).Një zhgënjim e dëshpërim i pamerituar në mjaft treva të Shqipërizës sonë hallemadhe. Edhe kur shkrep ndonjë shkëndijë lavdëruese publike a private, zyrtarët dallkaukë gjejnë një mijë e një yçkla që ato të fiken shpejt e pa zhurmë. Ja, një rast tipik e jo pak irritues:

Përfytyroni një burrë që po mbyll dekadën e tetë të moshës së vet dhe ka 3 vjet (jo 3 ditë e as 3 muaj) që shkon e troket derë më derë shtetërore, që nga Mesopotami e Finiqi, Delvina e Saranda, në zyrat e larta të disa ministrive përkatëse në Tiranë dhe gjer te ato të Parlamentit me perde të rënda. Me letra dhe me këmbë, me këmbëngulje të rrallë durimmadhe. Ky ish inxhinier jo dosido e jo pak i njohur nëpër mjaft vepra ujore, bonifikuese e hidrocentrale, nuk kërkon të ngrejë për familjen a fisin ndonjë kioskë, vilë, pallat, resort turistik, kafene-restorant, kazino, hotel a motel, repart fason etj. Dhe as kërkon të ndihmohet me kredi bankare të butë a të thatë, as me nder tendera apo  vendim qeverie për ca miliona falas për “kurimin” e objekteve me vlera historike, turistike e kombëtare. Mos u çuditni, nuk kërkon asgjë nga këto që përmendëm më lartë. Nuk i largohet Ligjit. A e dini çfarë kërkon? Kërkon miratimin e lejes së ndërtimit të një Obelisku përkujtimor për dëshmorët e vendlindjes, në Qafën e Muzinës. Kaq, asgjë tjetër. Sepse projektues, investitor e ndërtues është vetë. Por kalvari i inxhinierit Jorgo Dardeli është i rrallë, tronditës e trishtues përballë administratës lokale e qendrore. Dhe prapë nuk tërhiqet i rraskapitur si përfaqësues i një grupi bashkëfshatarësh muziniotë. Nuk besoj të ketë shembull të dytë si ky, larg interesave të vockla private, por brenda interesit publik e qytetar.(Po të pyesësh sot një zonjë nga Fieri, Suzana Shanaj, me siguri do iu tregojë dridhshëm edhe një episod të qershorit pranë kangjellave te zyrat e Kryesisë së Kuvendit. Duke pritur për t’u takuar me deputetë në pikun e vapës përvëluese, zemra po e lëshonte tinëzisht. Fjala po i fikej nën buzë. Askush nga deputetët apo nga administrata e Kuvendit, nuk e bëri paksa qejfin qeder !? Falë asaj zonje që veproi shpejt si për babanë e vet, duke e çuar në urgjencën kardiologjike të QSUT-së, inxhinieri veteran është sot në jetë…). Njerëzillëku i saj mbeti si një shuplakë mbi harbutllëkun e fodullëkun zyrtar që as skuqen e as zverdhen…

Vajzat dhe djemtë dëshmorë të Muzinës ishin të gjithë të rinj levendë dhe me idealet flakërimë për një Botë të Re. Me yllin partizan në ballë, nuk mbyllën sytë e ikën “nga mosha e vjetër e as nga lëngimi në shtrat”. Dhe kokën nuk e vunë mbi pupla e gogësima rreth oxhakut, por e vunë në jastëkun e maleve, në rrebeshe e vetëtima Lirie përballë pushtuesve dhe kolaboracionistëve me damkë që bënë shkrumb e hi 138 shtëpitë e Muzinës. Mbi një mijë banorë mbetën pa çati e pa katandi. Jo rastësisht një batalion Partizan u pagëzua me emrin “Thoma Lula”, bir i çmuar i këtij fshati lavdimbuluar. Bashkë me vëllain Gaqo, ranë për mëmëdhenë. Thomai mbeti përmendore në Camëri, në Luftën e Konispolit. Dy vëllezër nga një derë ! Jo rastësisht në Kampin famëkeq nazist në Mathauzen, janë gdhendur edhe emrat e dy vëllezërve muziniotë Jani e Thimjo Nathanaili. Ikën me Shqipërinë në sy e në zemra…Mirëpo teksa shikojmë tani buzë rrugës nacionale një pirg me materiale ndërtimi e pllaka të reja mermeri të mbetura si pa zot(grumbulluar vullnetarisht nga inxhinieri Jorgo me shokë), kujtuam natyrshëm një poezi të bukur të mikut tim të veçantë, Xhevahir Spahiu. I kushtohet pranverës së parë të Lirisë, kur po ngrihej lapidari i parë në Këllez të Lunxhërisë. Ishte koha kur drurët po gjelbëronin me plumba në trup. “…Gurët i jap unë, tha mali si në ëndërr/ Yllin e zbres unë, tha lisi degëtendë/ Gëlqere kam vetë, -tha bokërima në brinjë/ Merreni ujin tonë, mërmëruan burimet./ Gdhiu ditë e re dhe erdhi një nënë:/”-Vetëm kjo më ka mbetur. Merreni !”,tha/ Dhe para derës së Këshillit kusinë e vetme, la./ Një tjetër velenxën/ I treti një dele/ Unazën i katërti/ Duhej blerë çimento e paguar ustai./ I bukur si djemtë që ranë dëshmorë/ Gisht akuze për vrasësit u ngrit lapidari…”. Po 71 vite më vonë, ç’po ndodh vallë ?!

Ëndrrat dhe idealet e kulluara të Lirisë e të Demokracisë, dëshmorët e Muzinës nuk i mbrojtën vetëm me fjalime, batuta e betime dhe as thjesht me dy gishtat lart, i mbrojtën me gjakun e jetën e tyre. Bie fjala, nuk mund të harrohet 19 shtatori 1943. Është beteja e Qafës së Muzinës, e kësaj porte madhore që mbuloi me tym e flakë edhe dy faqet e malit të Gjerë e të atij të Stugarës, kundër Divizionit fashist “Peruxhia”. Muziniotë, camë e minoritarë, krah për krah e të lidhur “si fishekë gjerdani”, ua vunë kufirin te thana atyre që nuk pranonin të dorëzonin armët e kapitullimit të turpshëm. Nazistët gjermanë pushkatuan e hodhën në det me dhjetëra oficerë italianë që shkuan të mashtruar në Porto Palermo dhe 32 afër Kuçit etj. Ata që mbetën nëpër pyjet e përrenjtë e Bregdetit e Kurveleshit, u dorëzuan te forcat tona partizane dhe te Këshillat Nacionalçlirimtare. Historia kapakkuqe gjëmon… Kur shkova si korrespondent i përhershëm i gazetës “Bashkimi” në Jug mbi 30 vjet më parë, Muzina nuk ishte e panjohur për mua. Sidomos për fiset Dede, Zoto, Verli, Nika, Kongo, Mitrojorgji, Lula, Koca, Rumano etj. Për shembull, kryeredaktori i famshëm te “Zëri i Rinisë”, Dhimitër Verli i paharruar, kur isha 3 vjet ushtar më ka botuar ciklin e parë me vjersha te fleta e shumënjohur letrare e ditës së shtunë. Mirënjohja mbeti e ndezur në vite. Tirazhi jo i vogël i atij numri special, shpesh përfundonte së shituri në tërë vendin qysh herët në mëngjes. Tani vonë mësova një të vërtetë drithëruese : Ajo fletë e paharruar letrare, u gjend brenda dosjes hetimore të poetit të burgosur, Visar Zhiti…(?!). Ndërsa gjatë studimeve të larta në degën e Gazetarisë, njoha nga afër dhe u bëmë miq me kolegun e vjetër e njeriun e mirë muziniot, Thimi Nika. Pa harruar bashkëstudentin dhe skenaristin e veçantë të Kinostudios, Ilia Dede; shoferët e talentuar të Parkut Automobilistik e miq të shtypit, Nasho Koca, Milto Lula etj.

Por historia, siç thonë, nuk ka rixha e as mëshirë. Të hynin 39 vetë në radhët e Batalioneve e të Brigadave Partizane vetëm nga ky fshat (pa llogaritur ato territoriale), nuk ishte gjë e vogël e pa peshë. Ose të hidhnin pushkët e gjerdanët me fishekë në krahë e të shkonin 8 vajza partizane në UNCl, nuk ishte fakt i rëndomtë. Këtë histori të shkruar me gjak e sakrifica atdhedashurie, duhet ta njohin e respektojnë më mirë edhe drejtuesit e rinj në Bashkinë e Finiqit. Aq më tepër kur bëhet fjalë për një Obelisk nderimi ndaj dëshmorëve dhe larg interesave meskine personale, larg fondeve e buxheteve shtetërore. Një sfilitje e tillë 3- vjeçare përballë mureve zyrtare lokale, mendoj se është krejt e pajustifikueshme. Dhe nuk është thjesht memurllëk, paaftësi e burokratizëm shkresor. Hamendjet se ku fle “lepuri”, le t’ia lemë reagimit të sinqertë në praktikë. Si ka mundësi që kjo nismë e rrallë private nuk kundërshtohet nga asnjë institucion i lartë shtetëror në Tiranë ? Është fjala për ARRSH-në; për Ministrinë e Zhvillimit Urban e Territorit; për Ministrinë e Kulturës dhe vetë drejtuesit e Parlamentit. Po përse vallë nuk kalojnë dot pragun e Këshillit Bashkiak të Finiqit, tërë ato shkresa, rekomandime e kërkesa zyrtare ? Të jetë thjesht qëndrim inatçor e arrogant ?! Nuk e besoj plotësisht. Ky qëndrim ndaj dëshmorëve të Lirisë ndoshta flet shumë më tepër. Tufat shkresore me nene e ligje, shpesh kthehen në maska “zyrtare” apo si këmisha “antiplumb” para titullarëve të shtetit. Sepse në fund të fundit “sado i gjatë të jetë litari, gjuha ia kalon”! Shkurt, të mos shajmë vetëm pasqyrën. Ata që bënë historinë me gjakun dhe jetën e tyre, nuk mund të bëjnë “tralalara” e temenara. Për mua, Obelisqet e lapidarët për lule djemtë e nënave, le të ngrihen e ringrihen në kupë të qiellit, në Qafë të Muzinës e kudo! Pa kryqe me hënë a gjysmë hënë, por me yllin e kuq në ballë siç vendosi edhe Konferenca historike pluraliste e Pezës me Thirrjen e saj të pavdekshme: Bashkim pa dallim feje, krahine e ideje ! Mirëpo, siç thoshte shpesh Dritëroi ynë: “E mira dhe e keqja flenë nën një jorgan, por çështja është se zgjohen në kohë të ndryshme”…

SHKARKO APP