Opera, si ruhen kostumet e Nina Mulës e Gaqo Çakos

Kostumet që kanë veshur artistët e mëdhenj të “Operës dhe Baletit” që nga themelimi i Teatrit e deri në ditët tona, kanë nisur të skedohen me të dhëna të sakta për secilin: në ç’vit u veshën, nga kush dhe në cilën shfaqje.

Kështu, shtuar informacioneve, skedat do të kenë edhe fotografi që tregojnë të plotë kostumin, me të gjitha detajet, këmishë, kravatë, papion, xhaketë, frak, fustane, ose kimono. Kostumi i Nina Mulës në operan “Butterfly” dhe te “Traviatta” apo kostumi i Gjyzepina Kosturit, kostumet që veshën te baleti “Halili dhe Hajrija” më 1963 nga Xhemil Semirxhiu dhe Ganimet Dhendrresha, kostumet e “Mrikës”, Operas së parë shqiptare, kostumi që ka veshur te “Lulja e kujtimit” Fitore Mamaqi më 1978, kostumi i Gaqo Çakos te “La Boheme”.

Të gjitha ruhen në një magazinë në 3000 mijë metra katrorë në “Opera”, me ngjyra mbase më të zbehta, diku të holla, mbase vendevende të copëzuara lehtë nga vitet, por sërish me vlerën e viteve, roleve dhe artistëve që i kanë veshur mbi vete.

Drejtoresha e Prodhimit Skenik në “Opera”, Emnolina Prifti, tregon për “Gazeta Shqiptare” se “së fundmi me porosi të veçantë të drejtoreshës së përgjithshme Zana Çela, ka nisur dhe është në përfundim procesi i përgatitjes së dosjeve të kostumeve për secilën nga shfaqjet për të gjitha veprat, duke filluar nga 2016 e duke zbritur në vite”.

Prifti thotë gjithashtu se dosjet do të jenë në format elektronik dhe më pas do të procedohet për printimin e tyre dhe bashkëngjitjen fizike me kostumet.

“Dosja elektronike përmban foto të secilit kostum dhe përshkrimin në lidhje me sasinë, gjendjen teknike dhe fizike, veprës, së cilës i përket, përshkrim i elementëve përbërës të kostumit etj.”, shton drejtoresha e prodhimit skenik.

Sipas saj, “vështirësitë që janë hasur në këtë proces kanë të bëjnë kryesisht me mungesën e hapësirës, pasi numri i kostumeve është shumë i madh dhe me kushtet e ruajtjes së tyre, të cilat nuk janë të mira për mirëmbajtjen e tyre, pasi gardëroba është e vendosur në një dhomë në bodrum pa ajër”. Janë me qindra kostume nga më shumë se 60 vepra, të magazinuara në ambientet e TKOBAP, të cilat kanë vlerë të jashtëzakonshme si financiare, por edhe artistike, pasi i përkasin shfaqjeve të vendosura në skenë që prej veprave të para si opera “Mrika”, baleti “Halili dhe Hajria” etj (foto të kostumeve të veshura nga artistet e para). “Këto kostume, edhe pse të vjetra janë akoma funksionale, nëse do vendoset që këto vepra të rivendosen në skenë edhe pse do kenë nevojë për riparime, por pa prekur identitetin e tyre”.

Sipas saj, ato “kanë vlerë kohore dhe nga qepja, sepse në “Opera”, ka repart prodhimi ku këto kostume prodhohen në varësi të skicave të kostumografit”. Ndër vite, hapësirat e magazinës që shkon në 3000 mijë metra katrorë janë ngushtuar, ndërsa mungesa e ajrit dhe vitet e shtuara ka bërë që disa prej kostumeve kanë nisur të dëmtohen, megjithëse punonjësit janë munduar t’i mirëmbajnë, sepse janë vlera. Ndër vite, janë mbledhur rreth 7 mijë kostume, por si sasia edhe vlera e tyre është e madhe po njësoj.

SHKARKO APP