Operacioni Anti “KÇK” dhe kronika e zezë si “opium për popullin”!
Nga Alfred Peza –
Mbi gjysëm shekulli më parë (në vitin 1967), kur filloi lufta e shtetit komunist për shkatërrimin e institucioneve të besimeve të ndryshme fetare në Shqipëri, parrulla më e përdorur për ta justifikuar këtë çmenduri, ishte një citim i Karl Marksit që thotë: Feja është opium për popullin! Atë e gjeje të cituar në çdo shkrim, kronikë radio e televizive, në çdo fjalim dhe të shkruar si parrullë në çdo mur shkolle, ndërmarrje, fabrike, uzine e kooperative.
Opiumi ose lotët e boçes së lulëkuqes, për ato që përtojnë të futen për ta gjetur në internet, është një nga drogat e para që ka njohur njerëzimi, e që besohet se është përdorur për vetitë e tij qetësuese që nga civilizimi më i hershëm i sumerëve, e më pas nga grekërit e lashtë, e deri në mesjetë dhe nga mjekësia perse e arabe.
Pas viteve ’90, me rënien e Murit të Berlinit dhe rikthimin e lirisë së besimit fetar, institucioneve dhe objekteve të tyre të kultit, shqiptarët nisën të eksploronin një hapësirë të re të panjohur prej gjysëm shekulli me radhë: limitet e lirisë dhe të mrekullive të ndaluara nga diktatura, që po u sillte ajo. Një liri që bashkë me të mirat e lejuara, kishte brenda saj edhe lirinë për të eksploruar ato që janë edhe të ndaluara me ligj, përfshi llojet moderne të “opiumit” të sotëm global.
Kam patur fatin që të jem pjesë e atij brezi të ri gazetarësh në liri, këtu e mbi çerek shekulli më parë, që nisën të shkruajmë edhe për rastet e para të mbjelljes së hashashit në zonën mes Myzeqesë e Vlorës fillimisht në Shqipëri. E më pas edhe për rastet e para të përdorimit, kapjes dhe dënimeve nga organet tona të drejtësisë, të trafikanteve të heroinës e më pas kokainës. Por, edhe për viktimat e para të “magjisë së bardhë”.
Pasi u la pas shumë shpejt gazetaria e vjetër e propogandës, mediat e reja që bazoheshin tek informimi, argëtimi dhe edukimi i opinionit publik në një shoqëri tejet të politizuar që po kalonte një tranzicion shumë të vështirë, për një kohë të gjatë ato u mbajtën në këmbë nga raportimet dhe analizat e zhvillimeve kryesore politike në vend.
Bazoheshin tek lajmet për mazhorancën e Presidentit Berisha dhe opozitën e liderit të burgosur socialist Fatos Nano. Tek zgjedhjet e 1991, 1992, referendumi për Kushtetuën e 1994, zgjedhjet e 26 majit 1996, ato lokale të 20 tetorit të atij vit, trazirat antifajde të pranverës 1997 dhe zgjedhjet e parakohëshme të qershorit të atij vit, që rikthyen socialistët në pushtet me Nanon që doli “në mbrëmje” nga qelia e Bënçës, për tu gdhirë “të nesërmen” në mëngjes, Kryeministër i Shqipërisë.
Kjo histori vijoi pas kësaj, deri pak kohë më parë, edhe në radiot e televizionet private. Nga “Opinion”-i i Fevziut që nisi këtu e 23 vjet më parë, bashkë me ekranet shtoheshin e vazhdojnë të shtohen çdo sezon, edhe emisionet e debatit politik në prime time. Tani çdo natë janë rreth 40 emisione të këtij formati, që konkurojnë e konkurojnë me njëri tjetrin për të njëjtën tortë audience, e cila copëzohet e copëzohet nga disa llokma në fillim, derisa po përfundon në thërrime thërrime, aq sa qershia nuk dihet se ku do të përfundojë në fund.
Në ato fillimet e para të gazetarisë, kur isha reporter terreni në gazetën “Koha Jonë” e mbuloja lajmet e policisë e të drejtësisë, gati gati ishte turp të ishe gazetar i kronikës së zezë. Sepse sigurisht “princërit” ishin reporterët e politikës dhe në të rrallë kishte tek tuk edhe ndonjë “mbret” që kishte statusin e analistit politik. Më pas vinin reporterët e çështjeve sociale, kulturës, ekonomisë dhe sportit. Në fund, e thamë tashmë, ishin ata që sapo përmendëm në fillim.
Me kalimin e viteve, kur filluan proceset kundër ish drejtuesve e zyrtarëve të lartë komunist të akuzuar për “genocide e krime kundër njerëzimit”, përplasja me Kryetarin e Gjykatës së Kasacionit Zef Brozi, zhdukja e Remzi Hoxhës, arrestimet politike të opozitarëve, proceset kundër bosëve të firmave mashtruese piramidale, kapove të bandave kriminale të 1997, proceset e “grushtit të shtetit” të 14 shtatorit 1998 pas vrasjes së Azem Hajdarit e më tej me radhë, nisi të ristrukturohej e të rritej pa u ndalur roli e për rrjedhojë edhe pozicioni në hierarkinë e medias, i gazetarëve të “kronikës së zezë”. Derisa sa sot (edhe për meritën e tyre profesionale) hierarkia e fillimit, është përmbysur totalisht dhe ata kanë dalë tashmë, në majë.
Ky ndryshim i thellë strukturor, ka ndodhur në përpjestim të drejtë edhe me një qasje me apo pa dashje të shumicës së televizioneve që mbajnë ende mazhorancën e audiencës përkundrejt mediave të reja online, e cila shkon në sinkron me strategjinë e opozitës. Nje strategji që e bazon luftën e saj politike tek kriminalizimi i çdokujt, i çdo gjëje dhe të gjithçkaje që ka lidhje me mazhorancën, me qeverisjen e saj dhe me sigurinë e rendin publik në Shqipëri.
Mënyrë më e mirë për ta parë të pasqyruar qartë këtë realitet, është qasja e përgjithshme e opozitarëve dhe opinionistëve të rreshtuar kundër qeverisë së Kryeministrit Edi Rama, të cilët në ditët e fundit janë marë me Operacionin Forca e Ligjit (OFL) ose atë që njihet politikisht si Aksioni “Anti KÇK”, kundër asteve, burimeve të ekonomisë së zezë të grupeve të strukturuara kriminaleve, të të paprekshmëve dhe kapove të familjeve mafioze në Shqipëri.
Për nga mënyra sesi opozita dhe opozitarët po qasen përballë njërit prej aksioneve më të rëndësishme të shtetit kundër antishtetit, po i bën ata të duken po aq “donkishoteskë” sa dikur, duke e trajtuar kronikën e zezë të krimit, si “opium për popullin”. Me shpresën se duke sulmuar qeverinë, do të fitojnë kredo politike sot dhe nesër, vota prej tyre. Duke harruar se shqiptarët ashtu siç ditën të ndanin në diktaturë, propogandën nga feja, dinë të ndajnë akoma edhe më mirë sot, të zezën nga kronika e një humbje të paralajmëruar të krimit, në përballjen me shtetin.