“Operation Valuable Fiend”, ose Tradhtia e Madhe: Dështimi i planit anglo-amerikan për të rrëzuar Enver Hoxhën

Daut Dauti

Viti 1948 shënoi ftohje të mëtejme në mes Perëndimit kapitalist dhe Lindjes komuniste. Në vitin 1949 situata në mes Lindjes dhe Perëndimit u acarua në mënyrë kritike. Bashkimi Sovjetik, nën udhëheqjen e Stalinit, invadoi Çekosllovakinë, i vuri bllokadë Berlinit, u ndihmonte partive komuniste në Evropë dhe veçanërisht i përkrahte komunistët grek në luftën civile në Greqi. Komunistët grekë që e rrezikonin seriozisht regjimin e Athinës, i ndihmonte edhe regjimi i Shqipërisë në krye me Enver Hoxhën. Në Shqipëri sovjetikët po ndërtonin bazën ushtarake. Ndikimi komunist sovjetik në Evropë sa vinte e shtohej, kurse KGB e kishte shtuar aktivitetin e spiunimit në shumë fusha.

Britanikët dhe amerikanët, duke e ndjerë rrezikun, vendosën që t’i kundërpërgjigjeshin komunizmit dhe sovjetikëve. Në fillim të vitit 1949, sekretari i Jashtëm britanik Ernest Bevin dhe sekretari Shtetëror amerikan, Dean Acheson, ishin takuar në mënyrë sekrete për të gjetur përgjigje për situatën e rëndë. Ishte arritur marrëveshja që të përpilohej një plan kundër komunizmit i cili do të ishte invazion dhe do të fillonte të zbatohej në Shqipëri. Por, askush pos këtyre dy vetave dhe, më vonë ndoshta një duzinë sosh, nuk do të dinin gjë për këtë marrëveshje. Madje, marrëveshja dhe plani ishin aq sekrete sa që për tl nuk do të dinin as presidenti amerikan Harry Truman e as kryeministri britanik Clement Attlee. Incidenti i Korfuzit, në të cilin britanikët humbën dy anije të tyre të fuqishme në ujërat territoriale të Shqipërisë, për Londrën ishte një arsye shtesë që plani të fillonte me Shqipërinë.

Plani ishte i përbashkët apo anglo-amerikan, siç do ta quante edhe Enver Hoxha, por në realitet, në aspektin e organizimit dhe mbledhjes së inteligjencës ishte gati tërësisht britanik. Britanikët ishin të vetmit që kishin njerëz dhe mundësi të organizimit të ndonjë aksioni në Shqipëri.

Në një mbrëmje të pranverës së hershme të vitit 1949, në shtëpinë e Julian Amery-it (më vonë Lord Amery) në Londër, kishte cingëruar telefoni. Në anën tjetër të telefonit ishte prezantuar dikush nga Shërbimi Sekret britanik dhe kishte kërkuar takim me Amery-in për një punë shumë të rëndësishme. Në takim Amery-it ju prezantua plani. Duhej përgatitur një sulm ndaj Shqipërisë i cili duhej të rezultonte me rënien e regjimit komunist të Enver Hoxhës. Nëse plani do të kishte sukses, do të përsëritej në vendet tjera satelitore të Bashkimit Sovjetik dhe në proces Shqipëria do të dënohej për Incidentin e Korfuzit dhe së paku do të ndërpritej ndihma e Hoxhës për komunistët grek. Amery e pranoi detyrën dhe zyrtarisht u emërua këshilltar i Qeverisë britanike, por askush nuk e dinte këtë në publik.

Lordit Amery iu bashkua edhe Billy McLean nga shërbimi sekret ushtarak. Më vonë u kontaktua edhe koloneli David Smiley i cili në atë kohë ishte zëvendës komandant i regjimentit tankist britanik në Gjermani. Që të tre kishin njohuri të mjaftueshme për Shqipërinë në të cilin vend kishin shërbyer si oficerë ndërlidhës britanikë me luftëtarët e radhëve nacionaliste gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kur Enver Hoxha e mori pushtetin, që të tre, së bashku me disa tjerë oficerë britanikë, në mënyrë të poshtëruar qenë përzënë nga Shqipëria. Prandaj, intervenimi në Shqipëri u bë edhe çështje personale e këtyre oficerëve.

Sipas detyrës, Amery dhe MacLean shkuan në Itali për t’i kontaktuar personalitetet shqiptare të cilët, para se të fillonte operacioni ushtarak, duhej të paraqitnin një trup të përbashkët politik e cila gjë, siç u pa, ishte shumë e vështirë. Mit’hat Frashëri u soll në Itali nga Turqia, kurse Abaz Ermenji nga Greqia. Sait Kryeziu dhe Abaz Kupi gjendeshin në Itali. Pastaj, Amery dhe MacLean shkuan në Greqi për të rregulluar terrenin në rast të tërheqjes së diversantëve dhe në Kajro për të marrë pëlqimin e Ahmet Zogut. Ndërkohë, në Jugosllavi Titos i bëhej presion që të pranonte planin dhe të merrte pjesë në te. Tito, nga frika e Bashkimit Sovjetik dhe nga dëshira që të mos prishej me Perëndimin, as nuk e pranoi e as nuk e refuzoi pjesëmarrjen. Megjithatë, fakti që Tito nuk e refuzoi planin ishte ndihmë e mjaftueshme për Londrën dhe Washingtonin.

Problemi kryesor, siç rrëfente Amery, ishte bashkimi i krerëve shqiptarë. Por, edhe kjo u arrit pas shumë takimeve të fshehta në Romë. Edhe pse të gjitha grupet shqiptare ishin të hasmuara në mes veti, komunizmi, megjithatë, ishte armiku i tyre i përbashkët që i bashkoi. Prandaj, shumë shpejt, në kampet e refugjatëve afërt Napolit, oficeri britanik Perkins me ndihmën e Abas Ermenjit i rekrutoi 30 veta që së shpejti do të bëheshin diversantë. Pas disa ditëve, këtyre iu bashkuan edhe dy oficerë të mbretit Zog dhe më vonë edhe disa tjerë. ‘Sikur të kishim nevojë, kishte mundësi që të rekrutonim mijëra shqiptarë’, e kujtonte këtë rast koloneli Smiley. Të gjithë fluturuan me aeroplan për në Maltë. Fortesa Bingemma, një bazë ushtarake britanike në veri të Maltës, ishte caktuar për stërvitje.

Në realitet, pak kishte nevojë që të stërviteshin këta të zgjedhur. Të gjithë ishin të njohur me armët. Megjithatë, duhej të stërvitnin lundrimin dhe zbarkimin nga anija për të cilin veprim nuk kishin eksperiencë pasi që nuk ishin nga bregdeti. Për këtë arsye, natën i bënin ushtrimet e diversantëve në ishullin Gozo të Maltës. Një ushtrim tjetër ishte përdorimi i radiolidhjeve. Grupi u bë një njësi e aftë ushtarake. Ndoshta këta ishin ushtarët më të mire që kishte ushtruar dhe komanduar koloneli Smiley.

Të gjithë mbanin uniformë ushtarake britanike, por asnjë nga ta nuk dinte anglisht. Gjatë vikendit dilnin në Rabbat dhe Mdina që ishin afër nga Fort Bingemma, por shkonin edhe më larg sikur në Sliemma ku kishte dyqane dhe restorante. Nga kujtimet e pjesëmarrësve dhe nga shënimet e kohës merret vesh që diversantët shkonin në grupe të mëdha në qytet dhe flisnin një gjuhë të çuditshme. Ishin të zhurmshëm, por nuk krijonin probleme sikur ushtarët tjerë pasi që nuk pinin alkool. Ishin shumë të disiplinuar. Megjithatë arrestoheshin nga policia ushtarake për një shkak gati qesharak: sepse në qytet dilnin me atlete. Kur arrestoheshin, nuk flitnin asgjë se kështu ishte urdhri. Pastaj, shkonte Smiley ose dikush nga oficerët e lartë dhe i lironte. Ky ishte një problem i madh pasi që përsëritej shpesh. Nuk i vishnin këpucët dot. Ishte dashur që për ta të sigurohej një transport i veçantë dhe të urdhërohej policia ushtarake që të mos i bezdiste më, pa marrë parasysh se çka kishin mbathur.

Pos komandantit suprem ushtarak të Maltës, askush nuk dinte për operacionin. Smiley, zyrtarisht, shkonte në punë në mëngjes në zyrën e komandës qendrore të admiralitetit britanik në Valletta dhe pas një ore ‘zhdukej’. Oficerët tjerë kishin filluar të xhelozonin pasi që mendonin se ai po ikte nga puna dhe po shkonte në shtëpi apo diku për t’u argëtuar.

Në mesin e diversantëve shqiptarë ishin dy oficerë që quheshin Jani Dilo dhe Avdyl Sino dhe që përshkruhen si shumë të zgjuar. Dilo kishte studiuar drejtësinë dhe fliste frëngjisht dhe italisht. Prandaj, komanda ushtarake kishte marrë vendim që Dilo në publik të prezantohej si oficer kanadez. Në lidhje me këtë është shënuar një ngjarje shumë interesante. Dilo, një ditë u gjend në mesin e oficerëve britanikë duke e shikuar një ndeshje polo që është një sport karakteristik britanik dhe që ka përkrahës në familjen mbretërore. Derisa po zhvillohej ndeshja, Smiley i kërkoi Dilos që ta shoqëronte për ta njoftuar me një vajzë. Vajza doli të ishte princesha Elisabeth, e cila pas tri viteve do të bëhej mbretëresha e një vendi më të fuqishëm në botë të asaj kohe. Smiley ia prezantoi Dilon princeshës si një oficer nga Kuebeku. Pastaj kishte filluar biseda mjaft e gjatë dhe e këndshme. Elisabeth ia kishte shpjeguar oficerit ‘kanadez’ origjinën dhe rregullat e lojës së polos. Oficerët tjerë e kishin përcjellë bisedën me xhelozi, por edhe me frikë se mos po zbulohej sekreti. Megjithatë, biseda kishte përfunduar siç duhet dhe Dilo kishte lënë përshtypje të një oficeri dhe xhentëlmeni të vërtetë. Me siguri ky duhet të jetë rasti i parë dhe i fundit deri sot që një shqiptar (në petkun kanadez) ka takuar dhe ka zhvilluar bisedë shoqërore ose edhe zyrtare me mbretëreshën e ardhshme britanike.

Me 28 tetor 1949, pas ushtrimeve disa javëshe që u bënë nën diellin parcelues, ishte nisur grupi i parë për në Shqipëri. Pastaj vazhduan grupet tjera. Harry Hodgkinson, i cili në këtë kohë ishte i angazhuar në seksionin e shërbimit të inteligjencës britanike që mbulonte Adriatikun (Shqipërinë dhe Jugosllavinë), tregonte që as departamenti i tij nuk dinte për operacionin. Por, departamenti kishte urdhër që agjentët të rrinin syçelë, sepse mund të kërkohej ndihma e tyre. Megjithatë, gjërat shkuan keq. Disa nga diversantët u kapën menjëherë pas zbarkimit dhe disa ikën pasi që ishte diktuar ardhja e tyre. Sigurimi Shtetëror i Shqipërisë ishte në dijeni të operacionit. Hodgkinson, i cili ishte mik i shqiptarëve, e kujtonte me keqardhje dështimin.

Amerikanët e vazhduan operacionin e dërgimit të diversantëve, por britanikët e ndërprenë menjëherë pasi që shihej që dikush nga brenda po i pasonte informatat në Moskë e pastaj Moska në Tiranë. Prandaj, nuk kishte kuptim që të vazhdohej dështimi. Edhe vdekja e Mit’hat Frashërit në New York nuk kaloi pa dyshime, edhe pse u regjistrua si natyrale. Në realitet, vdekje me simulim të sulmit në zemër ishin bërë nga agjentë të KGB-së para dhe pas rastit të Frashërit.

Kaloi një kohë e gjatë derisa u zbulua shkaku i dështimit. Njeriu që e tradhtoi operacionin ishte brenda MI6, Kim Philby. Në Shqipëri u kapën shumë nga diversantët dhe gjykoheshin publikisht si armiq të popullit. Pasi që operacioni ishte sekret, bota mendonte se këto gjykime ishin teatrale ose të montuara. Në fakt, gjithçka ishte e vërtetë.

Detaje deri diku të plota të operacionit ‘Operation Valuable Fiend’ u zbuluan vetëm në vitin 1984 kur Lord Nicholas Bethell e botoi librin e tij ‘Betrayed’ (Të tradhtuarit). Më vonë, në bazë të këtij libri BBC bëri një program dokumentar të titulluar ‘Great Betrayal’ (Tradhtia e Madhe). Bethell e kishte hulumtuar rastin dhe i kishte intervistuar pjesëmarrësit. Me siguri që e vërteta nuk është sqaruar deri në fund pasi që ende ekzistojnë detaje të paqarta të këtij operacioni. Por, një gjë është e sigurt. Sikur operacioni të kishte sukses, Shqipëria sot do të kishte tjetër pamje dhe tjetër rol në botë. Shumë më të mirë, natyrisht.

Të gjithë pjesëmarrësit anglez që përmenden në këtë shkrim dhe disa tjerë që nuk përmenden, më vonë kanë qenë të njohur si miq të Shqipërisë dhe angazhoheshin në ‘Anglo-Albanian Association’ (Shoqatën Ango-Shqiptare). Edhe Lordi Amery e mbante veten për mik të shqiptarëve, por ai në realitet ka mbajtur anën e serbëve. Hodgkinsoni ishte mik i vërtetë i shqiptarëve. Ishte aq mik i madh i Shqipërisë sa që tërë aktivitetin e përqendroi në ndihmë për shqiptarët. Kur vdiq, më 1994, arkivoli, me amanetin e tij, u mbulua me flamur kombëtar shqiptar.

SHKARKO APP