Opozita dhe 620 mijë votuesit gri

Nga Eduard Zaloshnja

Lulzim Basha u deklaroi përkrahësve të tij para disa ditësh, se, me protestën e tyre, do ta rrëzojnë Edi Ramën, e me votën e tyre, do të zgjidhet ai kryeministër i Shqipërisë.  Edhe sikur – dhe ky është një “sikur” i madh – të zhvillohen vërtet zgjedhje të parakohshme pas protestës së 27 janarit, duket se Basha nuk i ka bërë llogaritë mirë. Dhe ja përse.

Aktualisht, vetëm 700 mijë banorë të Shqipërisë në moshë për votim, janë gati të votojnë për një nga shtatë partitë organizuese të protestës së 27 janarit. Ndërkohë, rreth 620 mijë të tjerë nuk janë gati të votojnë për asnjërën nga paritë aktuale – qoftë të opozitës apo të shumicës. Këto shifra i kam llogaritur nga një sondazh elektronik i para disa ditëve, që e zhvillova për një revistë që botohet këtu në anglisht.

Fakti që vetëm 700 mijë votues, janë gati të votojnë sot, për partitë opozitare, nuk është shumë shpresëdhënës për opozitën. Koalicionit opozitar do t’i duhen të paktën 800 mijë vota, për të patur shans fitoreje ndaj koalicionit mazhoritar (PS+PDIU+PSD).

Nga shtatori e këtej, periudhë gjatë së cilës kam zhvilluar rregullisht sondazhe mujore, ka pasur ulje e ngritje të numrit të votuesve, të gatshëm për të votuar për partitë opozitare. Por aktualisht, shtatë partitë organizuese të protestës, janë në gjendje të marrin potencialisht vetëm 20 mijë vota më shumë, seç morën në qershor 2017 – një rritje shumë e vogël kjo, në një kohë kur shumica nuk ka pësuar ndonjë rënie dramatike.

Në fakt, të vetmen rritje të ndjeshme gjatë kësaj periudhe, e ka pasur elektorati gri – nga 520 mijë mosvotues në qershor 2017, sot kemi 620 mijë.

Zakonisht në demokraci, kur ka pakënaqësi ndaj qeverisjes, nuk rritet elektorati gri, por ai i opozitës. Sepse kjo e fundit, hamendësohet të ofrojë një alternativë më të mirë qeverisëse, sesa ajo e shumicës. Ndërsa aktualisht, nuk po vihet re ky fenomen në Shqipëri – opozita është rritur në mënyrë modeste vetëm me 20 mijë vota, ndërkohë që elektorati gri është rritur me 100 mijë.

Po përse është rritur kaq, elektorati gri?

Së pari.

Nga 70 mijë vota që morën vjet partitë e vogla “asnjanëse” (LIBRA, Sfida, FRD, PDS, etj., etj.), u kanë mbetur sot vetëm 10 mijë vota. Shumica e ish-votuesve të këtyre partive të vogla, nuk duan të votojnë as për partitë e opozitës, e as për ndonjë parti tjetër – ata thjesht i janë bashkuar elektoratit gri.

Së dyti.

Edhe rreth 60 mijë votues të partive të shumicës (PS, PDIU, PSD) i janë bashkuar sot elektoratit gri – ata nuk janë gati të votojnë asnjërën nga partitë aktuale.

Nga ana e saj, rritja modeste e opozitës prej 20 mijë votash, ka si burim votuesit që nuk morën pjesë në zgjedhjet e qershorit 2017. Por asaj i duhen edhe të paktën 100 mijë të tjerë, që të jetë konkurruese ndaj shumicës.

Zgjedhje të parakohshme apo zgjedhje lokale?

Llogaritë e mësipërme morën shkas nga thirrja e Bashës, për zgjedhje të parakohshme. Por, siç kam argumentuar në një shkrim paraardhës, zgjedhje të tilla ka pak gjasa të zhvillohen së afërmi, pavarësisht pretendimeve të organizuesve të protestës së 27 janarit.

Sidoqoftë, llogaritë e mësipërme duhet t’i bëjë qysh sot, opozita, në përgatitje të zgjedhjeve lokale të vitit që vjen.

Së pari, protestat e organizuara me militantë të transportuar me autobusë, nuk ndikojnë për të tërhequr elektoratin gri. Të tilla protesta entuziazmojnë votuesit e vendosur të opozitës, por jo votuesit gri. Për të tërhequr këta të fundit, opozitës i duhet të paraqesë nisma ligjore, si dhe të shpalosë alternativat e saj të besueshme për eliminimin e defekteve të qeverisjes. Gjithashtu, ajo duhet të promovojë politikanë opozitarë, që mund të fitojnë besueshmëri në opinion si qeverisës të ardhshëm, e jo politikanë që shquhen vetëm për sharje e kritika personale ndaj qeveritarëve.

Së dyti, opozita duhet të piketojë që sot kandidatë për kryebashkiakë, që të jenë të aftë të tërheqin edhe elektoratin gri. Me 700 mijë votat që ka aktualisht opozita, nuk do të jetë në gjendje të fitojë më shumë bashki se sa shumica…

Albanian Free Press

SHKARKO APP