Opozitat nuk krijohen por vijnë me votë qytetare

Alban Daci

Dilemë e madhe e krejt absurde, “opozitë e re” dhe “opozitë e vjetër”?! Sa opozita ka Shqipëria, sot? Disa kanë iluzionin, se PD është në grahmat e fundit e mezi presin t’i japin goditjen finale. Disa të tjerë akoma më naivë se këta, por më të ligj e më të tinëzarë, nga frika se PD po rritet, duan të krijojnë një tymnajë, se PD ka mbaruar punë! Si të parët, dhe të dytët, herë me besim e herë me qëllime tinëzare po luajnë kartën e “Opozitës së re” dhe “Opozitës së vjetër”. Mes tyre ka edhe disa analistë të rrjedhur nga trutë, të braktisur nga politika dhe pa lekë në xhep nga tranzicioni, dikur pishtarë të shtirur të PD e sot shkruajnë, se “Opozita e re”, qenka zgjidhja dhe të vjetërit paskan përfunduar politikanë pa vlerë, se janë jashtë Parlamentit.

Para se të analizojmë se sa opozita ka Shqipëria, duhet të analizojmë e të shtjellojmë pak termin të “ri”. Në Parlament ka qëndruar Koka. A është i ri apo i vjetër Koka? Po Roshi dhe Alimadhi? Ai është në politikë një ndër më të vjetërit dhe s’ka asgjë të re. Në “Opozitën e re” është Gjoni edhe ai shumë i vjetër tek LSI. Mora vetëm këto shembuj për të kuptuar se në “Opozitën e Re”, nuk ka asgjë të re. Së dyti, “Opozita e Re” nuk është prodhim i subjekteve të reja politike, por të listave shumëemërore të PD dhe LSI, e disa prej tyre janë militantë prej vitesh të këtyre partive që në fillim të viteve ’90.

Të kthehemi në argumentin se a ka opozitë “të re” apo “të vjetër”? Unë mendoj e besoj se ka vetëm një opozitë dhe është pikërisht ajo që ka braktisur parlamentin. Të tjerët janë shtojca të politikës, me jetën e tyre më të shkurtër parlamentare për të mos u kthyer më kurrë aty.

A ka marrë fund PD?

Së pari PD, vazhdon të mbetet partia më e madhe në opozitë, me struktura e me forume drejtuese që funksionojnë rregullisht e marrin vendime në kushte normale organizimi.

Së dyti, PD sipas sondazheve, po ringrihet fuqishëm, duke mbetur alternativa e vetme qeverisëse në vend.

Së treti, opozita nuk krijohet dhe eliminohet me ndihmë nga pushteti ose ndërkombëtarët. Opozita krijohet dhe eliminohet vetëm me votën e qytetarëve. Iluzioni apo dëshira, se PD nuk ekziston më dhe tentativat e pushtetit për të stisur një “opozitë të re” me lejet e komandës së pozitës, e bëjnë akoma më të fortë PD-në, si një alternativë reale për të qeverisur.

Së katërti, nuk jam për krijime subjekteve të reja politike? Shqipëria ka prodhuar parti pafund e në fakt kaq e vogël sa është kjo Shqipëri, do të ishte perfekte të kishte vetëm bipolarizëm. Kemi pasur histori të krijimit të subjekteve djathtas me principin “Për inat të vjehrrës, shkoj me mullixhiun”. Por, në fund, janë rikthyer tek PD apo janë asimiluar me kalimin e kohës. Pse nuk ka nevojë për subjekte të reja djathtas? Ka dy teori në lidhje me lidershipin, nëse ai lind lider apo bëhet rrugës. Nuk besoj se këta që po bëjnë “opozitën e re” të kenë lindur lider dhe as nuk janë bërë lider gjatë rrugës. Nuk besoj as se kanë ndonjë element lidershipi, si karizma apo oratoria.

Megjithatë, disa të dështuar dhe të papunë, nostalgjikë për mbiemrin e dikujt po tentojnë ta përdorin me shpresë për t’u rikthyer përsëri në politikë dhe vendimmarrje. Duhet të rikujtojmë që Blushi nuk mori asnjë mandat dhe ai në plan lidershipi për të gjitha cilësitë individuale, qëndron shumë më lart se ndonjë që ka marrë përsipër të drejtojë grupe parlamentare” të reja”. Atëherë, këta drejtues të opozitës “së re” kanë dy rrugë: ose të bëhen patericë e Bashës, ose e Ramës, duke mos realizuar opsionin për të qeverisur të vetëm. Në këto rrethana, pse demokratët duhet të votojnë këta të ashtuquajtur drejtues “të rinj”, kur mund të votojnë direkt Bashën, e po ashtu pse socialistët duhet të votojnë këta, kur edhe ata mund të votojnë Ramën.

Esenca e analizës: Dyshojmë se këto lloj opozitash mund të jenë një shtojcë për një copë tortë pushteti, për të ringjallur disa të konsumuar politikë, që për inate të vjehrrës, shkojnë me mullixhiun.

SHKARKO APP