Ora e muzës fishtiane

Rajoni i Lezhës, Fishtën e ka përditë në sy e në mendje si një opus letrar të pakryer. Biblioteka e qytetit, e drejtuar gjatë nga krijuesi Gjergj Shyti dhe dy vitet e fundit nga Suela Bala, drejtoresha e pasionuar e librit, ashtu si dhe punonjëset me përvojë Lula Lleshi, Florinda Bruka etj. nuk ka pushim asnjë fundjavë, por veprimtari promovuese…

Nga Ndue Dedaj

Gjergj Fishta, në 145-vjetorin e lindjes, nuk është “mplakur” aspak. Ai vazhdon të jetë eklipsues si në shekullin e tij. Mund të ishte Shkodra, Tirana, Prishtina, por është në të vërtetë Lezha që po e mban “gjallë” poetin dita-ditës, pa e dashur veç për “vete”, përkundrazi. Ishte nisma e poetit dhe moderatorit të njohur të veprimtarive kulturore Viktor Gjikolaj, që i mbështetur nga Këshilli i Qarkut të Lezhës, udhëhoqi “Orën e muzës – Lissus 2016”, që organizohet për herë të parë, si takim kombëtar poetësh. Veprimtaria mblodhi në këtë qytet poetë nga Tirana, Shkodra, Vlora, Durrësi, Gjakova, Prishtina, Peja, Vitia, Kërçova etj. Ishin Sadik Bejko, Demir Gjergji, Isak Ahmeti, Mujë Buçpapaj, Izet Duraku, Sarë Gjergji, Tahir Bezhani, Rexhep Shahu, Manushaqe Toromani, Agim Bajrami, Gjon Neçaj, Sejdi Berisha, Adem Zaplluzha etj. Veprimtarisë i priu një ligjëratë e zgjedhur e fishtologut të njohur bashkëkohor, Dr. Tonin Çobani, që ecën në gjurmët e At’ Viktor Volajt etj., si dhe një kumtesë e shkrimtarit Andreo Petromilo, nga klubi letrar “Petro Marko” Vlorë, mbi krijimtarinë letrare të disa autorëve të rajonit të Lezhës.

Në ditën e shënuar të poetit të shquar lirik, epik e satirik, nga Këshilli i Qarkut të Lezhës, përmes jurisë, u nda çmimi letrar “Gjergj Fishta”, për 4 librat më të mirë të vitit në këtë rajon, një veprimtari që zhvillohet prej 5 vitesh dhe ku janë vlerësuar rreth 25 autorë për krijimtarinë e tyre letrare, studimore dhe publicistike, si Mark Vuji, Mark Simoni, Preng Maca, Ndue Gaspri, Gjergj Marku, Angjelina Gjeka, Fatmira Loci, Brunilda Përvathi, Ernest Marku etj. Duhet thënë se është i pari dhe i vetmi Këshill Qarku që ndan një çmim letrar, çka është për t’u përgëzuar, po dhe si një shembull për t’u ndjekur nga bashkitë, drejtoritë arsimore etj. Por nuk është vetëm ky takimi i këtij institucioni me letërsinë. Vite më parë i ftuar po prej Këshillit të Qarkut, pati vizituar për tre ditë Lezhën, Mirditën dhe Kurbinin poeti i njohur Ali Podrimja, i cili me atë rast qe nderuar me titullin “Mirënjohja e Qarkut të Lezhës”. Është e kuptueshme se pas institucionesh të tilla shtetërore, ata që i iniciojnë veprimtaritë letrare, kulturore të kësaj natyre janë më së shumti individë me ndikim të dukshëm pranë tyre, si poeti dhe kulturologu Viktor Gjikolaj, specialist pranë Këshillit të Qarkut të Lezhës prej 15 vitesh, i cili ka mbështetur botime me interes publik që kur ishte kryetar i Komunës së Selitës në Mirditë. Ai Fishtën e kishte mësuar/kënduar në rininë tij në fshehtësi nga pleqtë e atyre maleve dhe ndonjë kopje e klandestine e “Lahutës së Malësisë” mbetur ende pa u djegur nga Sigurimi.

Lezha e ka identifikuar fort veten me Gjergj Fishtën, duke ia lartësuar bustin prej 10 vitesh në qendrën historike të qytetit, vepër e skulptorit Hilmi Kasemi, por dhe duke i botuar veprën e plotë letrare në 10 vëllime, punë e shkëlqyer dhe e pashpërblyer e botuesit dhe publicistit Frano Kulli. Pa harrur dhe disa sprova studimore të fillimviteve ‘90 të poetit Pjetër Jaku (prej vitesh në emigracion në SHBA) mbi fjalorin e veprave të Fishtës etj. Janë po intelektualët lezhianë që sensibilizojnë për ta kthyer në muze kullën e vjetër ku pati lindur një shekull e gjysmë më parë poeti, në fshatin Fishtë të Zadrimës, sado që aty është vënë paraprakisht  një bust i poetit (!?), por asnjë tullë për shtëpinë –muze të tij. Është i vetmi detaj, me sa duket për “shou”, për çka Gjergj Fishta nuk ka nevojë. Ndërkohë nuk është e rastit që dy ndër resortet turistike të zonës mbajnë emrat “Mrizi i zanave” dhe “Hylli i Dritës”, emra që qenë përftuar në letërsi më parë se në biznes. Kështu, një bar-kafe me emrin “Mrizi i zanave”, në Tiranën e demokracisë, na vjen përmes romanit “Margaritari i një çmendine” të shkrimtarit Salvator Gjeçi.

Shkurt, rajoni i Lezhës, Fishtën e ka përditë në sy e në mendje si një opus letrar të pakryer. Biblioteka e qytetit, e drejtuar gjatë nga krijuesi Gjergj Shyti dhe dy vitet e fundit nga Suela Bala, drejtoresha e pasionuar e librit, ashtu si dhe punonjëset me përvojë Lula Lleshi, Florinda Bruka etj. nuk ka pushim asnjë fundjavë, por veprimtari promovuese, me nxënës, studentë, krijues e lexues. Është rritur ndjeshëm roli i saj për ta çuar librin te lexuesi në shkollat e rrethit e më gjerë, për çka ka një bashkëpunim të frytshëm me DAR-in dhe drejtoritë e shkollave. Thënë ndryshe, kur nuk shkon sa duhet lexuesi te libri, është biblioteka që shkon te ai me libra në duar. Për ta kthyer dhe njëherë traditën e leximit të librit. Është ofruar dhe ndonjë biznesmen i suksesshëm, si Prengë Pepa, edhe vetë autor librash, që ka ndihmuar financiarisht në blerjen e librit të ri, por siç thotë populli me një lule nuk vjen pranvera. Viktor Gjikolaj e ka bërë bilancin e “muzës” fishtiane të këtij viti. “Nuk janë vetëm poezitë apo librat që u nderuan me çmime, shtatë të tilla gjithsej, as vetëm takimet e ngrohta mes poetësh, thotë ai, por dhe dhjetëra tituj të rinj librash që qarkulluan mes krijuesish e lexuesish nga e gjithë hapësira shqiptare, në Lezhën e traditës së vyer letrare”. Ai veçon bashkëpunimin e bibliotekës me Këshillin e Qarkut në këtë veprimtari dhe jo vetëm, kurse ne deshëm t’i mbyllnim këto mbresa të përjetuara me një sugjerim: “Lezhiani” Frang Bardhi është njëri nga katër shkrimtarët e mëdhenj të letërsisë së vjetër shqipe, por emrin e tij nuk e mban asnjë institucion publik, e kush më mirë se Biblioteka e Lezhës do ta meritonte atë?  Lezha e Bardhit, Zarishit, Fishtës, Gjetjes, Markut, Zogajt, tokë e begatë poetësh, nga më të mirët e letërsisë shqipe, ndaj “Ora e Muzës e Lissusit” nuk do të mungojë as vitin tjetër…

SHKARKO APP