Ornela Vorpsi: Shkruaj në gjuhë të huaj, sepse jam në tranzit

 

Zgjedhjen e të shkruarit në gjuhë të huaj si një mekanizëm vetëmbrojtjeje ndaj kujtimeve të dhimbshme që e lidhnin me Shqipërinë, shkrimtarja Ornela Vorpsi e ka shpjeguar sa herë i është pyetur, ashtu si edhe ditën e djeshme gjatë aktivitetit të leximeve publike të autorëve, ku Vorpsi së bashku me kolegun e saj nga Vjena, Klemens Renoldner foli rreth krijimtarisë së saj dhe lexoi për publikun shqiptar tregimin “Lumturi Disparue”, shkruar në italisht.

“Shkruaj në gjuhë të huaj, sepse është e qartë që jam në transit, sikur e thotë dhe ky festival. Në transit prej 25 vjetësh”, – u shpreh Vorpsi, e ardhur në Tiranë posaçërisht për festivalin.

Nga e kaluara evokon fëmijërinë dhe babanë të burgosur për motive politike.

“Fëmijëria, një baba në burg për politik, rritur me nënën vetëm, njerëzit që largoheshin nga frika e një familje me të dënuar politikë, e keni parasysh sesi shoqëria largohej nga këto situata dhe kjo ishte tej mase e vështirë.”, ka rrëfyer ajo por duke shtuar se pavarësisht kësaj e merr malli për bujarinë shqiptare. “Në Paris më mungojnë spontaniteti, krijimi i gjërave me shumë miqësi dhe shkëmbimi”. Ajo sqaron se letërsia e saj nuk ka të bëjë me tranzicionin, por me të kaluarën.

“Nuk kam shkruar mbi tranzicionin, por mbi Shqipërinë e së kaluarës që ishte një nevojë për mua dhe për këtë m’u desh një gjuhë e huaj, sepse kisha nevojë për një distancë dhe kujtimet më ishin shumë të dhimbshme dhe më ishte shumë e kollajtë një mjet tjetër dhe ky mjet ishte një gjuhë e huaj”.Ndërsa pas 25 vitesh larg vendit të lindjes –ajo u largua më 1991-shin – ajo rrëfen se motivet e të shkruarit në gjuhë të huaj nuk janë më të para. Duke mos jetuar më në gjuhën shqipe, duket se e ka të vështirë të shkruajë në të. Të shkruarit e saj në gjuhë të huaja, po kalon gjithashtu në një tranzicion. E nisi të shkruajë në italisht, për t’u hedhur më pas në gjuhën frënge. “Unë tani nuk shkruaj më në italisht, sepse edhe italishtja është gjuhë që nuk e jetoj dot më sepse jetoj në Francë prej 18 vitesh. Kështu që gjuhët për mua janë një mjet; kam kaluar nga italishtja në frëngjisht e ndoshta nga frëngjishtja do të kaloj në shqip” –thotë ajo, ndërsa thotë se ka menduar të përkthejë edhe libra të tjerë në shqip. “Ishte thjesht çështje kohe dhe çështje interesimi i publikuesve shqiptarë rreth librave të mi” –ka shtuar ajo.

Ndërsa sa i përket librit “Vendi ku askush nuk vdes asnjëherë”, i cili muaj më parë u fol se do të përkthehej prej kryeministrit Edi Rama, Vorpsi thotë: “ Ishte një dëshirë e Edit dhe e imja, varet nëse Edi do të ketë kohë, sepse ai është jashtë mase i zënë, dhe detyra e tij është e qartë; detyra e tij e parë është t’i shërbejë Shqipërisë, detyra e tij më e rëndësishme është t’u shërbejë shqiptarëve dhe nëse ai do ketë kohë për këtë libër unë do të isha shumë e lumtur”- ka vijuar ajo, duke lënë të kuptohet se hapat konkretë të përkthimit të librit varen nga koha e lirë e kryeministrit. Ajo foli edhe për karakterin vizual që ka letërsia e saj.

“Ana vizuale ne shkrimet e mia ngelet sepse është kultura që kam marrë në Institutin e Arteve, kompozicioni i një tabloje… dhe nuk i shpëtoj dot asaj çka kam mësuar dhe pse ndonjëherë do doja ta zhbëja, të vija më e pastër e më e qartë, por janë disa struktura të cilave nuk u shpëtoj dot”. Megjithëse ka zgjedhur gjuhë të huaj, Shqipëria ka qenë gjithnjë e pranishme në librat e saj. “Nuk e di nëse në të gjithë librat e mi ka detaje të Shqipërisë, jo në të gjithë, në këtë tregim të cilin e sjell këtu, e solla për temën “ letërsi në transit”, të jesh shqiptare dhe në mërgim. Në librin ne fundit “Rrotullim rreth nënës” flitet për një tokë universale që nuk ka lidhje me Shqipërinë. Dua të eksperimentoj edhe me gjëra të tjera, t’i shpëtoj obsesionit të Shqipërisë duke qenë thellësisht shqiptare, përveç faktit sepse kam dëshirë të shtyj limitet e mia e të shoh deri ku mund të shkoj. E pranoj që mund t’i kthehem Shqipërisë edhe në një libër që po shkruaj deri tani”, – ka zbuluar ajo. Sa i përket karakterit autobiografik në romanet e saj, Vorpsi tha: “Mundohem gjithmonë që në librat e mi të marr diçka nga realiteti dhe pastaj ta manipuloj. Për mua është një manipulim në sensin vizual; dritë, ngjyrë, kompozim, deformim, etj. Kam nevojë ta tregoj atë shoqëri siç e kam jetuar. Për mua Shqipëria ka qenë jashtë mase e zymtë dhe e tmerrshme dhe më duket se bukuria nuk mund ta shpëtonte. U rrita me një mama që thoshin se ishte tejet e bukur dhe shihja se bukuria e saj fizike krijonte xhelozi dhe smirë të llahtarshme”. Pavarësisht gjuhëve që përdor si mjet letrar, Vorpsi u shpreh se ndihet shqiptare. “Ndihem thellësisht shqiptare. E qartë që shqiptare ndihem. Por për të mbijetuar kam krijuar disa sisteme mbrojtëse”.

MAPO

SHKARKO APP