Pajtimet e gjaqeve në syrin e Lala Meredith Vula

“Ajo dokumentoi përballjet e saj me këto ngjarje dhe vende. Fotografitë e saj dhe imagjinata ime më transportojnë në këto turma dhe për këtë jam mirënjohëse, Kokat, plisat, pemët dhe majat e peizazhit ndërthurën për të formuar një horizont që është disi koherent në tërësi. Fytyrat në turmë anojnë mes butësisë rinore dhe lodhjes së dekadave të pjekurisë dhe shprehin durim, solemnitet dhe vrull rinor”, theksoi kuratorja e ekspozitës “Kujtesë Gjaku” Karen McQuaid

Njerëzit kishin lënë shtëpitë dhe jetët e tyre duke ecur me kilometra të cilët udhëtonin me autobus, traktorë, apo furgonë për të qenë dëshmitarë të një grupi të disa burrave të cilët publikisht do të deklaronin faljen e gjakut, faljen e një humbje shpeshherë shumë të dhimbshme. Ky çast i tyre do të mbetej si dëshmi në mijëra fotografi të shkrepura nga artistja me prejardhje shqiptare Lala Meredith Vula, e cila kishte qenë pjesëmarrëse në aksionin e madh kombëtar për pajtimin e gjaqeve, një proces ky që kishte filluar të ndodhte në gjithë vendin para tri dekadave.Si mund ta falësh vrasësin për humbjen e djalit tënd? Ky akt dëshmohej në shumë fotografi të cilat ishin të vendosura në muret e Galerisë Kombëtare të Kosovës, në kuadër të ekspozitës “Kujtesë Gjaku” që u hap të mërkurën mbrëma.

“Kjo ekspozitë është afër zemrës. Do të doja një falënderim t’ia dedikoja drejtorit të GKK-së Erzen Shkololli i cili mundësoi të realizohej kjo ekspozitë. Këtu ju mund të shihni fotografi se si kanë qenë atëherë, pajtimi i gjaqeve gjatë viteve 1990. Unë kam pas fat dhe rast që t’i shkrepja këto fotografi dhe që nga kjo periudhë kam përcjell të gjitha pajtimet e gjaqeve dhe po ashtu isha përkrah Anton Çetës në disa shtëpi ku ishin në hasmëri. Përmes kësaj ekspozitë unë e kujtoj atë dhe aksionin për pajtimin e gjaqeve”, deklaroi para të pranishmëve, recensentja e Artit dhe Fotografisë Lala Meredith Vula, e cila që nga mosha 23-vjeçare, atëherë kur ishte duke studiuar në Kosovë, u ballafaqua me ceremoninë e pajimit të gjaqeve, një temë të cilën ajo nuk e kishte ndjekur, por ja që rastësisht qe përballur me të.

“Ajo dokumentoi përballjet e saj me këto ngjarje dhe vende. Fotografitë e saj dhe imagjinata ime më transportojnë në këto turma dhe për këtë jam mirënjohëse, Kokat, plisat, pemët dhe majat e peizazhit ndërthurën për të formuar një horizont që është disi koherent në tërësi. Fytyrat në turmë anojnë mes butësisë rinore dhe lodhjes së dekadave të pjekurisë dhe shprehin durim, solemnitet dhe vrull rinor”, theksoi kuratorja e ekspozitës “Kujtesë Gjaku” Karen McQuaid, duke shtuar se pas ngjarjes së faljes së gjakut, me emocionet e shtuara fotografitë dhe mundësitë bëhen edhe më të gjalla.

 “Në këtë ceremoni pleqtë përqafoheshin dorë me dorë, krah me krah. Me një gjest ata përmbysnin ediktin e tmerrshëm të shekullit të 15-të që thoshte: Gjaku lahet me gjak. Turmat në zi, që kishin humbur aq shumë djem dhe vëllezër, japin pëlqimin e tyre. Me një përqafim demonstrativ për të shpallur rezultatin e bisedimeve të komplikuara dhe një fjalim të më të moshuarve të shoqërisë, shpëtohen jetët dhe kulmi i pasdites arrihet”, u shpreh më tutje McQuaid.

 

Në këtë ekspozitë e cila do të jetë e hapur për një muaj në GKK janë të shfaqura dyzetë fotografi që të gjitha të shkrepura në vitin, tashmë të largët 1990. Në këtë periudhë, në Kosovë rreth 2 mijë familje ose 20 mijë veta, kanë qenë të ngujuara në kullat dhe shtëpitë e tyre për shkak se kanë pasur borxh në gjak sipas Kanunit të lashtë të Lekë Dukagjinit.

Ndër gati 2 mijë fotografive që ka regjistruara Lala Meredith Vula, që është një arkiv i pasur edhe për etnografinë shqiptare, ajo ka realizuar një projekt që shumëfish tejkalon qasjen thjesht dokumentariste.

Kreshnik Bekteshi

SHKARKO APP