Panairi i Librit ende pa statistika për librin më të shitur

 

Përfaqësuesit e Shtëpive Botuese kanë treguar për KultPlus për librat më të shitur në stendat e tyre

Suzana Berisha

Panairi i Librit, Prishtina 2015, i cili ishte i 17-ti më radhë, ditën e sotme do të përmbyllet për të gjithë vizitorët dhe dashamirësit e tij. Panair ky i konsideruar si njëri ndër panairet me më së shumti vizitor dhe me një numër të madh të librave të shitur. Çmimet e librave konsideroheshin të arsyeshme për një pjesë të caktuar të blerësve mirëpo, kishte edhe të atillë që çmimet në këtë panair i pan si shumë të larta krahasuar me standardin tonë jetësor.

Ky panair me një numër të madh të shtëpive botuese e librarive, ofruan një laramani të pafundme të librave, në këtë mënyrë duke përmbushur të gjitha kërkesat dhe shijet e lexuesve. Duke filluar nga librat për fëmijë e gjer tek filozofitë e ndryshme.
Mirëpo, ndonëse ende nuk është bërë një përmbledhje statistikore e librit më të shitur të këtij panairi, shtëpitë e ndryshme botuese kanë përgjigje të ndryshme lidhur me këtë pyetje.

Për shtëpinë botuese “Buzuku”, libri më i shitur është “Dora Bruder”. “Libri më i shitur në stendën tonë ka qenë “Dora Bruder” i Patrik Modianos që njëkohësisht është libri që konsiderohet kryevepër e tij dhe libri ndikues që ai të fitoj çmimin “Nobel”, vitin e kaluar, libri pasues është “Lulet e rrënimit”, i të njëjtit autor, është botimi i dytë, pasi që botimi i parë është shitur i tëri”, thotë Edon Peneli nga kjo shtëpi botuese.

Ndërsa për Grupin “Koha”, libri që ka ngjallur një interesim të madh tek opinioni është libri i fundit i Veton Surroit.
“Libri më i shitur në këtë panair ka qenë “Ambasadori i Melkizedekut” ndërsa pasuesi i tij është libri nga Enver Robelli “Veç pavarësi, asgjë më pak””, tha për KultPlus, Luan Imeri.

Kurse shtëpia botuese “Faik Konica”, ka një tjetër emër për librin më të shitur. “Shtëpia Botuese “Faik Konica” edhe këtë vit ka prezantuar shumë tituj të rinj, të cilët janë botuar për këtë vit, ndërsa libri më i shitur dhe i cili ka zgjuar një interesim shumë të madh tek lexuesit është “Shkrimi nga Albania”, të Faik Konicës dhe vazhdon të jetë “Kosova”, e Jusuf Buxhovit, këta janë librat që janë kërkuar më së shumti nga lexuesit” nga shtëpia jonë, kanë qenë dy promovime gjatë panairit”, u shpreh Arbër Rrahmani nga “Faik Konica”.

Ndërsa në stendën e shtëpisë botuese “Onufri”, libri që është blerë më së shumti ka qenë "Mëngjeset në Kafe Rostand".
“Në shtëpinë tonë botuese janë dy librat e fundit "Mëngjeset në Kafe Rostand" dhe “Kukullat” të Ismail Kadaresë, janë dy librat më të shitur”, tregoi Eduat Doka.

Kurse në librarinë “Artini”, librat më të shitur ishin “Gjuetari i Balonave” dhe “Ditar” nga Rexhep Qosja.
Panairi i 17-të i librit, Prishtina 2015, sot do të mbyllë dyert për tu prezantuar vitin tjetër me tituj dhe autorë të rinj./KultPlus.com

SHKARKO APP