Pandemia përballë rolit klinik dhe pedagogjik të shtetit…
Nga Gëzim Tushi –
Këto kohë të vështira të betejës së ashpër, të përgjithshme me virusin Covid-19 kanë qënë të natyrshme që të kenë patur, mbase më shumë se kurrë, një ballafaqim kritik midis kërkesave të natyrshme dhe nevojave urgjente shëndetësore të qytetarit. Realiteti nganjëherë është bërë kakofonik në perceptimin e drejtë dhe objektiv të nevojave të arsyeshme të tij, kërkesave të natyrshme apo pse jo në disa raste edhe të pretendimeve për të qënë sa më shumë i mbrojtur prej rolit, dorës sociale dhe përgjegjësive shëndetësore të shtetit. Përballja e performancës së shtetit, politikave social-shëndetësore dhe raporteve të institucioneve spitalore me qytetarin, konfliktete, abuzimet dhe paqartësitë shpesh herë janë në ngritje.
Shteti nga njëra anë, duke bërë aq sa e ka bërë detyrën që i takon në këtë situatë të agravuar pandemike, këmbëngulja sipërore e shtetit dhe vecanërisht e qeverisë për të treguar dhe propaganduar se sa më po bën detyrat dhe po mban përgjegjësitë ekskluzive për mbrojtjen e shëndetit individual dhe publik, dhe nga ana tjetër përballja e fortë me kërkesat e natyrshme dhe pakënaqësitë evidente të qytetarit, pretendimet e medias për një politikë më aktive dhe eficiente të përkujdesit shëndetësor. E gjitha kjo e bashkuar në të njëjtën kohë me pritmërinë e domosdoshme dhe një përgjegjësi akoma më aktive të institucioneve të shëndetit publik.
Është e njohur teza që shteti nuk të shpëton nga rreziku i Covid-19, por ai ka detyrën, përgjegjësinë që të bëjë gjithcka që të mbrojë qytetarin nga rreziqet që nuk janë në dorën e tij, dhe për të cilat ndihet i pambrojtur ndaj rrezikut, duke pretenduar në mënyrë të natyrshme për një rritje të përgjegjësisë, rolit dhe dimensionit socio-sanitar të shtetit.
Personalisht gjykoj se në këtë periudhë të shaqjes së virusit, kthimit të tij në përmasat e një pandemie të rrezikshme globale, të vështirë për t’u kontrolluar, kanë qënë të pritura dhe të kërkuara disa përgjegjësi me natyrë sociale dhe bashkë me to edhe plotësimi me cdo kusht roleve të shtetit. Të cilat mbase nuk janë të panjohura më parë, por që kërkesa imperative për plotësimin e tyre në këto momente ka qënë condite sine qua non. Është fjala për qëndrimet e shtetit në plotësimin e dy dimensioneve të kërkuara me urgjencë. Është fjala për rolin e “Shtetit Klinik” dhe bashkë me të edhe të detyrës së “Shtetit Pedagogjik”. A i ka realizuar qeveria shqiptare këto role? Sa dhe si i ka mbajtur ajo përgjegjësitë publike “klinike” dhe “pedagogjike”? A i ka parë dhe vlerësuar këto dy role si pjesë përbërëse obligative të detyrave dhe përgjegjësisë që duhet të mbajë shteti në raste të tilla pandemike?
Do të ishte qëndrim i papërgjegjshëm, një nihilizëm absurd në se do të thonim se shteti shqiptar nuk ka bërë asgjë për të mbajtur përgjegjësitë e veta në aspektin “klinik” dhe “pedagogjik”j. Po a i ka realizuar si duhet, a ka qënë performanca e kërkuar për të realizuar këto përgjegjësi delikate, që janë organikisht dhe funksionalisht të lidhura me mbrojtjen e shëndetit individual dhe garantimin e shëndetit publik?
Në përgjithësi që nga muaji mars 2020, kur u shfaq virusi dhe preku shoqërinë tonë e deri tani kur po mbyllet viti, qeveria shqiptare ka bërë shumë veprime me karaktet masiv, duke përbushur aq sa ka mundur përgjegjësitë e “shtetit klinik”. Vendosja e fashave orare, administrimi i kohës së izolimit të lëvizjeve, veprimtaria e institucioneve për të kontrolluar plotësimin e kushteve higjienike dhe standarteve mjekësore në lokale dhe ambiente publike, ridimensionimi i vazhduar i orareve të punës së administratës dhe biznesit, ndryshimi i mënyrës së vazhdimit në distancë të mësimit në shkolla dhe universitete, vendosja e penaliteteve për njerëzit dhe subjektet e “pa bindura” ndaj ligjit, vendosja e kontrollit policor për zbatimin rigoroz të kërkesave normative dhe urdhërave administrativë për menaxhimin e territorit dhe zbutjen e kontakteve infektuese, deri tek vendosja me detyrim e maskave, janë që të gjitha veprime të domosdoshme dhe qëndrime të arsyeshme me “natyrë klinike” të qeverisë shqiptare.
Në tërësi këto masa restriktuese dhe detyruese, hapësinore e kohore janë pjesë përbërëse e rolit dhe “përgjegjësive klinike” të shtetit, i cili në situata të tilla ka detyrë të shmang kaosin, pasigurinë, veprimet spontane, të pakontrolluara e shpesh anarkike të grupeve sociale apo thjesht të njerëzve “individualisht të pabindur”. Në përgjithësi roli klinik i shtetit, masat kufizuese të “lirisë së individit”, qoftë të lëvizjes, grumbullimit, formave të argëtimit, tubimeve politike, kënaqësive empirike të formave kolektive të argëtimit, apo kufizimit të pjesëmarrjes në ceremonitë e hidhërimit, janë shprehje konsistente e dimensionit dhe shfaqje të qarta të “përgjëgjësisë klinike të shtetit”.
Sepse sikurse dihet, në raste të tilla është detyrim moral, ligjor, human dhe kushtetues i shtetit dhe përgjegjësive ekskluzive të qeverisë së radhës, që të bëjë gjithcka për të mbrojtur shëndetin e popullatës nga rreziqe të tilla. Madje, është obligative që qeveria të bëjë “atë që duhet”, dhe jo atë që duan pak njërëz të pabindur apo anakristë me sëmundjen, duke rrezikuar jo vetëm shëndetin e tyre por edhe atë publik. Dhe për të qënë fare i sinqertë dhe kompatibël me të vërtetën, unë kam vëzhguar dhe analizuar me shumë kujdes, mënyrat e sjelljes së qytetarëve dhe detyrimit të tyre për të zbatuar kërkesat, “urdhërat klinike” të shtetit. Pa fare vështirësi vëzhgimet dhe analiza sociologjike e kësaj dukurie ka qënë e lehtë, dhe në mënyrë evidente kam konstatuar prezencën e zgjeruar të “njerëzve të pabindur” ose injorantë, që ndjejnë kënaqësi perverse, ndihen gjoja të “fortë” në mungesën e vetbindjes qytetare. Ca më tepër nga ata që ndihen “krenarë” kur i bëjnë karshillëk të pakuptimtë, patologjik e vetëvrasës kërkesave klinike të shtetit, nevojës për të respektuar me cdo kusht kërkesat e protokolleve që janë të domosdoshëm për mbrojtjen e shëndetit publik.
Rezistenca ndaj “rolit klinik” të shtetit, ka qënë dhe vazhdon të jetë një qëndrim shumë i rrezikshëm. Unë gjykoj se shumica e qytetarëve këtë mënyrë sjelljeje të papërgjegjëshme, objektivisht me të drejtë e ka konsideruar të dënueshëm jo vetëm shoqërisht, por dhe administrativisht e penalisht. Sepse duhet pranuar që “antiklinicizmi” ndaj rregullave shtetërore si sjellje individuale apo në grup i njeriut shoqërisht të pabindur, individualisht arrivist, injorant e dashakeq është I dënueshëm, sepse është kërcënues për shëndetin situatën e përgjithshme dhe shëndetin publik.
Ne duhet ti pranojmë të vërtetat tona. Në këto situate krahas qytetarit të vetpërmbajtur, të ndërgjegjshëm dhe respektues të “dimensionit klinik” dhe rregullave administrative të shtetit, jemi përballur gjërësisht edhe me difektet tona të njohura sociale të mosbindjes, duke u përballuar vazhdimisht me qytetarin kokëfortë, i cili hiqet gjoja “trim” apo antikonvecionaalist, që është kundër rregullave dhe urdhërave të natyrshme që janë në thelbin dhe përgjegjësitë e “shtetit klinik”.
Besoj se të gjitha masat e marra nga qeveria, pavarësisht se sa cilësore, obligative apo në kohën e duhur kanë qenë, për të “orientuar” madje edhe “kontrolluar” lëvizjen e “trupave të popullatës” në tërësi dhe të qytetarëve të marrë vec e vec, janë shprehje e qartë e rolit social dhe “përgjegjësive klinike” që pati dhe vazhdon të ketë qeveria si përgjegjësi ekskluzive dhe obligative të saj.
Por krahas rolit klinik në këtë situatë pandemie ka qënë e kërkuar, pavarësisht sa dhe si është realizuar, edhe kërkesa për shfaqje e konsolidim efektiv të dimensionit të “shtetit pedagogjik”. Nuk është fjala për ta thjeshtëzuar këtë rol në një semplizëm akademik të kotë apo shterp. Fjala është që në këto situata të vështira, kaotike, të rrezikshme, përvec anës mjekësore, rolit në aspektet e sferës klinike të shtetit, qeverisë i ështrë dashur dhe i duhet thellmi dhe konsolidimi edhe i rolit edukativ. Ky komponent është shfaqur shumë herë në mënyrë të qartë në kërkesat e vazhduara, të artikuluara publikisht nga drejtues të shtetit dhe qeveritarë të niveleve kombëtare e lokale, të cilët janë përpjekur që të bëjnë propagandë tek njerëzit për të respektuar disa module të sjelljes në ambiente private e publike, që kanë lidje me kujdesin personal, higjienën individuale dhe kultivimin e moduleve të reja të sjelljes publike.
Aspekti rolit pedagogjik të shtetit, mund të duket i tepërt apo i panevojshëm. Ka njerëz që ndjejnë bezdi sociale, duke mos kuptuar se edhe ky rol, sidomos në kushtet e rreziqeve shëndetësore dhe pandemive masive, është tejet i rëndësishëm. Nuk mund të mohohet që në këto “kohë të pandemisë”, ndikimi që ka patur ky rol ka qënë i dukshëm për ndryshimin e disa formave të sjelljes tradicionale dhe arkaike. Aktet administrative me “natyrë pedagogjike”, me synime edukative të shtetit, edhe pse mund të mos kenë qënë vendimtare dhe determinante në ndryshimin e duhur të mënyrave të sjelljes për ti bërë ato etikisht të shëndetshme, sidoqoftë kanë ndikuar në disa aspekte, të cilat ndihen të reflektuara në sjelljen empirike të qytetarëve në rrugë, lokale, ambiente të tjera publike.
Fjala vjen beteja për të garantuar me cdo kusht distancën fizike apo sociale si dhe zgjerimi i kuptimit dhe vendit që duhet të zerë sjellja e “pavëmendjes civile”, apo e kujdesit për të reduktuar kontaktet, marrëdhëniet e tepërta sociale në rrugë, me njerëz të njohur apo kalimtarë të panjohur, janë të lidhura edhe me propagandën e zgjeruar pedagogjike dhe masat administrative të qeverisë. Në përgjithësi kjo “kornizë pedagogjike” dhe roli edukativ i shtetit në kushtet e pandemisë, është diktuar doemos së pari nga korniza profesionale dhe argumenteve të shëndetëshme që vijnë nga pushteti i dijes mjekësore dhe rekomandimeve të ekspertëve të epidemiologjisë, strukturave të tjera ekskluzivisht profesionale, të cilat kanë diktuar që shteti të bashkojë, të sintetizojë dhe sinkretizojë në politikat e saj të dy këto komponentë të rëndësishëm, duke bashkuar dimensionet e integruara të “shtetit klinik” nga njëra anë me nevojën e “shtetit pedagogjik” në anën tjetër. Një simbiozë që gjithnjë duhet të jetë e pandarë.
Personalisht mendoj se në të dy këto komponentë që janë komplementarë dhe sinkretikë, qeveria duhet të investojë më shumë dije, para, ekspertizë, detyrim administrativ të “butë”, edukues kur duhet, por edhe ligjor, të fortë. Në se sinteza e natyrës klinike me atë pedagogjike të shtetit bëhet më eficente e sintetike, rezultatet në betejën me virusin Covid-19 do të jenë më optimiste e rezultative…