Pandemia që e ndryshoi botën por jo “ishullin” shqiptar!

Nga Alfred Peza- Komuniteti ndërkombëtar po kërkon që të fitojë kohën e humbur, pasi u kap në befasi 2-3 muaj më parë nga sulmi i virusit vrasës Covid-19, duke u përpjekur që të jetë gati tani, për të përballuar luftën e re. Atë të post pandemisë. Planet e rindërtimit të ekonomive kombëtare, rajonale dhe globale, nga efektet shkatërrimtare të koronavisurit, janë tashmë në fokusin e qeverive dhe qendrave më të rëndësishme të vendimarrjes politike dhe financiare ndërkombëtare.

BE pas javëve të para të hutimit, është rizgjuar për të kërkuar adresimin e menjëhershëm të nevojave shëndetësore dhe humanitare, të shkaktuara nga pandemia edhe në Ballkanin Perendimor. Në një plan më afatgjatë, është diskutuar sëfundi për një Plan Ekonomik të Investimeve në rajon, që ti përgjigjet sfidave dhe nevojave për mbështetjen e tyre, në një plan afatgjatë. Ndërkohë pritet të shpallet edhe “Plani Marshall për Europën”, i ngjashëm me atë të pas Luftës së Dytë Botërore.

Një plan konkret “rindërtimi” nga pasojat e krijuar për financat publike dhe ekonominë kombëtare, biznesin dhe portofolet familjare e individuale nga pandemia në Shqipëri, është në fokusin e angazhimit të qeverisë së Kryeministrit Edi Rama. Hapja graduale e vendit përmes masave shtrënguese për të ruajtur distancimin social, po shton oksigjenin në ekonominë private, derisa në vijimësi ti rikthehet normaliteti në kushtet e reja të post- pandemisë.

E pikërisht në këtë panoramë zhvillimet e angazhimesh kaq madhore e serioze, për të përballuar një nga sfidat më të mëdha historike që i është paraqitur jo vetëm shëndetit publik por edhe ekonomisë globale, është mjerim kur sheh që ka ende zëra dhe faktorë që përfaqësojnë opozitën zyrtare dhe një pjesë të propogandës së saj, që vijojnë ti bien daulleve të shiut, si njëherë e një kohë. Sikur të në këtë vend të mos kishte ndodhur asgjë, e sikur ata vetë të mos jenë pjesë e një realiteti, që prej dy muajsh na mban në karantinë.

Është e qartë tashmë për të gjithë që askush nuk ka pritur e nuk prêt që partitë e “Opozitës së Bashkuar” të ulen të shqetësuara pas kësaj, për të demonstruar vullnet politik për bashkëpunim me mazhorancën qeverisëse, me strukturat e shtetit dhe sistemin e shëndetësisë derisa të shpallet fitorja përfundimtare mbi virusin vrasës. Sepse ata dhe lidershipi i tyre, e kanë humbur prej disa muajsh, këtë shans dhe mundësi.

Por ajo që të bën përshtypje përtej kësaj, është se pasi opozitarët tanë, bënë politikë me pandeminë duke vënë partinë mbi Shqipërinë, vazhdojnë tashmë të bëjnë të njëjtën gjë por në një linjë tjetër. Pasi nuk arritën që të fitonin dot terren as duke përhapur lajme të rreme, as duke përhapur panik, as duke folur për fshehje të shifrave të pandemisë, apo për skenare që tejkalonin edhe ato të filmave horror, e deri tek thirrjet për të thyer karantinën e për të dalë në protesta kundër qeverisë, tani kanë filluar ti bien borive të tjera.

Kanë filluar fushatën për të përhapur lajme për varfërinë ekstreme, për njerëz që po vdesin për bukë, për familje që nuk kanë asnjë të ardhur a ndihmë, e për gjithçka tjetër të kësaj natyre e në këtë linjë, duke u munduar që ta shndërrojnë në një kuazë të tyre të re të luftës opozitare. Është e qartë se, ashtu siç kanë dështuar në të gjitha tentativat e pambarimta për të përfituar politikish, do ta harrojnë edhe këtë në orët e ditët në vijim.

Për një arësye të thjeshtë. Përtej halleve, shqetësimeve, mangësive, shtrëngesave dhe problematikave ekzistuese apo të amplifikuara qëllimisht për arësye propogandistike, duhet pranuar se sistemi ynë po funksionon. Duke përballuar deri tani, nevojat opotimale të domosdoshme për këdo që ndodhet në vështirësi të përkoshme, për shkak të luftës me virusin vrasës.

Ajo që po dëshmon me anë të kësaj taktike opozita jonë, është thjeshtë një mentalitet dhe kulturë ishullore. Bota ka ndryshuar dhe pas pandemisë, e sigurtë është që nuk do të jetë më si më parë. Por ky ndryshim, duket se nuk e ka përfshirë dhe nuk po arrin që ta ndryshojë edhe opozitën tonë të harruar në ishullin politik të Robinson Kruzosë.

Sepse lajme të kësaj natyre që po sforcohen të postojnë tani, propaganda e saj, ka publikuar sistematikisht edhe përpara pandemisë globale. E me siguri që do të vijojë që të bëjë me të njejtin zell, edhe pas saj. Shenjë e sigurtë, se dikush duhet ta shpëtojë, opozitën tonë të vjetër të harruar në ishullin e saj politik, ndërkohë bota është nisur drejt një epoke tjetër.

SHKARKO APP