Paqartësitë populiste të Italisë

Nga Arbër Hitaj

Investitorët prej kohësh i druhen faktit që një parti populiste mund të merrte kontrollin e qeverisë në një vend me peshë në BE, por asnjëherë as në ëndrrën më të keqe nuk mund t’ju shkonte në mendje se do të ishin dy parti. Pas shumë javë paqartësish Presidenti Italian 76 vjeçari Sergio Mattarella, dha aprovimin e tij për emrin e Giuseppe Contes për të qënë kryeministri i 11-të i Italisë në 10 vitet e fundit, 4  nga të cilët nuk kanë qenë kryetar të partisë që i propozuan. Në media kanë dalë disa ”lapsuse” me kurrikulumin e kryeministrit Conte, mos pagesa taksash etj, por thelbi i asaj që do të ndodhë në Itali nuk qëndron te ai, por te dy kryetarët e partive populiste që e propozuan.

Problemi kryesor që po përballet fqinji dhe partneri jonë kryesor në shkëmbimet tregtare, është se 2 partitë populiste kanë fituar zgjedhjet me politika tërësisht konfliktuale si në aspektin ekonomik  edhe atë diplomatik. Partia e ekstremit të djathtë “Liga e Veriut” ka premtuar aplikimin e taksës së sheshtë, çfarë do të uli të ardhurat e mbledhura në buxhet. Ndërsa 5 Yjet, kanë premtuar rritje të të ardhurave bazike nga 780 euro në 920, veprim që do të kërkonte shumë sforco për buxhetin e Italisë, me një borxh publik që shkon në 130% të GDP.

5 Yjet si plan fillestar, kishin referendumin për të braktisur monedhën europiane euro, të cilën e konsiderojnë shpesh një zgjatim të markës gjermane. Por kjo pikë pjesë e programit po lihet si plan B, nëse BE nuk ndihmon ekonominë italiane. Madje u konsiderua edhe si program i vjetër nga 2 Salivi- Di Maio. Një ide surprizë është shtetezimi i bankave të dobëta, se sa ndihma me kushtet e BE-së. 5 Yjet, kanë qenë veçanërisht shumë agresive ndaj skemës së ndihmës ekonomike që vjen nga BE-ja, që sipas tyre ju ngarkon humbjet investitorëve të vegjël lokal. Në bujqësi 2 partitë kanë të plan të kundërshtojnë marrëveshjen e tregtisë së lirë me Unionin, dhe të rifillojnë skemat e rimbursimit për fermerët italianë, tezë kjo me shumë ndikim  në vota në zonat prodhuese të vendit.

Të dyja partitë por më agresivja Liga e Veriut, ka si shtyllë kryesore të vetën deportimin e mbi gjysëm million emigrantëve të paligjshëm në mandatin e parë. Për ti dhënë të drejtë në këtë pikë ishte dhe qëndrimi i paqartë i vetë Unionit, që premtoi ndihma për të përballuar fluksin e madh të emigrantëve nga vendet në luftë si Libia, Siria etj, por që u harrua me kalimin e kohës, dhe shërbimi sekret Italian u detyrua të arrinte marrëveshje me trafikantët në Libi, duke ulur fluksin.

Politika e jashtme qartësisht i ka sytë nga Moska, dhe jo me shikim nga aleatët tradicional në perëndim. Të dyja partitë janë hapur kundër vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë, madje në të kaluarën kanë vënë në dyshim të qenit pjesë e NATO. Kritikat të forta u lëshuan nga zoti Salvini. sidomos gjatë bombardimeve në Siri, nga SHBA-ja, Franca dhe Britania e Madhe ndërsa 31 vjeçari Luigi Di Maio ishte disi më i butë.

Shumë besojnë se me kalimin e kohës 2 kryetarët populistë që do të drejtojnë Italinë, mund të kthehen si kryeministri i Greqisë Aleksis Cipras, i cili harroi një pjesë të madhe të programit të tij elektoral kur u zgjodh në krye të punëve të vendit. Por shqetësimi më i madh mbetet mesazhi që jepet në terë BE-në, që populistët mund të drejtojnë, frikë që kthehet në makth 1 vit para zgjedhjeve në Francë. Me zgjuarsi kanë reaguar investitorët në tregje që pavarësisht situatës, nuk kanë shënuar luhatje të mëdha duke dhënë mesazhin ndaj binomit populist se janë në provë, deri në hedhjen e një hapi të gabuar.

 

SHKARKO APP