Paradoksi i femrave shqiptare, Shqipëria nuk u ofron mundësi, por i paguan njësoj me meshkujt

Sipas Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO), në Shqipëri vetëm 23% e posteve drejtuese mbahen nga femrat.

Kjo është ndër normat më të ulta në Europë. Janë vetëm 5 vendet europiane ku kjo normë është më e ulët se në vendin tonë dhe mes tyre figurojnë edhe dy vende fqinje si, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut. Të dhënat dalin më pah nga publikimi më i fundit i ILO-s për femrat në biznes dhe menaxhim. Por ndërkohë që Shqipëria nuk i ofron shumë hapësira femrave për postet drejtuese, atëherë kur ndodh, i trajton njësoj si meshkujt.

Të dhënat e ILO-s tregojnë se, Shqipëria është i vetmi vend europian, së bashku me Bosnje Herecgovinën, ku hendeku në pagë mes meshkujve dhe femrave në postet menaxheriale është zero. Për të punësuarit në total ndërkohë, hendeku ngjitet më 10%, norma e 7-të më e ulët në Europë. Situata është e tillë pavarësisht faktit se femrat janë shumicë dërrmuese mes të diplomuarve me arsim të lartë, e madje edhe në drejtimet kryesore.

Një publikim i vetëm disa  ditëve më parë nga Instat tregonte se femrat janë shumicë dërrmuese në diplomimet e fushave kryesore, si shëndetësi, arsim, ekonomi, juridik, shkenca humane, shkenca natyrore, etj.  Madje, sipas ILO-s, Shqipëria është vendi me normën më të lartë në Europë të femrave me arsim të lartë në shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë. Kjo normë në vendin tonë fiksohet në 50%,, si asnjë vend tjetër në Europë, siç e tregon edhe grafiku. Në vitet e kaluara kjo normë fiksohej në 32%, bindshëm poshtë nivelit të vendeve të tjera të Europës.

/SCAN

SHKARKO APP