Paradoksi i mahnitshëm që ishte Woodstock-u

Festivali i Udstok, është simboli botëror, si revolta e 1968-ës në shoqërinë italiane. Por me një ndryshim, që nuk është aspak i parëndësishëm: ndërsa mbi 68-ën shtrohet në çdo kremtim, pyetja “A ishte vërtet i lavdishëm?”, mbi Udstok të gjithë duket se bien dakord: Ai ishte momenti më i pastër i vetëdijes rinore, se rreth muzikës rrok dhe mbi muzikën rrok, mund të ndërtohej diçka e rëndësishme.

Në atë perëndim të artë të viteve 1960, muzika rrok cilësohej si një motor kërkimi i ri i kundër-kulturës, si një mjet për të rizbuluar besimet e lashta, dhe për të krijuar një botë më të mirë. Tre elementët që sintetizuan festivalin e Udstok – paqja, dashuria, muzika – ishin kaq të menjëhershme dhe efektivë, saqë të gjithë ishin të bindur se brenda atij trekëndëshi barabrinjës gjendej e ardhmja.

Në librari, sapo ka dalë një libër thjesht mahnitës “Udstok” nga Majk Evans dhe Pol Kingsbëri, me një parathënie të regjizorit të mirënjohur Martin Skorseze. Është mozaiku më i plotë i shkruar ndonjëherë mbi këtë temë, edhe pse me shumë zgjuarësi, libri nuk kufizohet vetëm në tregimin e 3 ditëve të festivalit, por analizon fillimet (luftën për të drejtat civile, protestat e zezakëve, Luftën e Vietnamit, revoltën e Çikagos), festivalet e mëhershme dhe pasojat e tyre. Një afresk emocionues, që e shndërron kronikën në një roman epik.

Por a shkuan vërtet kështu gjërat? A ishte Udstok ajo që përshkruan historia, apo vazhdojmë të glofirikojmë një nga paradokset më të bukura në histori? Sepse të flasësh për Udstok, do të thotë të luash mes imazhit dhe substancës, mes skenës dhe realitetit. Paradoksi i parë i madh, ishte fakti që në datat 15-17 gusht 1969, në Udstok nuk pati koncert.

Në fakt, gjithçka ndodh në Bethel, 87 kilometra në jugperëndim të qytetit që hyri në histori. Autoritetet lokale të Udstok, pasi vlerësuan rreziqet e një festivali të atyre përmasave, në një qytezë prej vetëm 7.000 banorësh, e refuzuan njëzëri mbajtjen e këtij aktiviteti. Organizatorët nisën të kërkonin një zgjidhje alternative, dhe për fatin e tyre të madh, patën mundësinë të takonin Maks Jasgur, një fermer me origjinë ruso-hebraike, dhe prodhuesin më të madh të qumështit në zonë, falë 650 lopëve të tij.

Ishte ai që ua dha me qira fushën e tij të madhe organizatorëve të koncertit, duke shpërfillur rezistencën e bashkëqytetarëve të tij, fanatikëve dhe konservatorëve, të cilët dëshironin gjithçka, përveçse të dëshmonin pushtimin e mijëra djemve, që aspironin gjithsesi një revolucion paqësor.

Banorët e zones, bënë thirrje për bojkot

Betheli u mbush me parulla që apelonin:”Ndaloni festivalin hipit të Maksit, mos blini qumështin e tij”. Pas festivalit, fermeri u shpall i padëshiruar në dyqane, dhe u detyrua të largohej. E pabesueshme, por e vërtetë. Madje më e pabesueshme është të dimë (paradoksi i dytë), se Maks Jasgur ishte më pranë ideve të bashkëqytetarëve të tij, se sa atyre të atyre që morën pjesë në Udstok.

Për fatin tonë të mirë, ai ishte tolerant ndaj atyre që nuk mendonin si ai. Ai u bë një hero pas një fjalimi para ish-miqve të tij të vjetër, të cilin e përfundoi me këto fjalë:”Arsyeja pse ju nuk doni hipitë, është se nuk ju pëlqen pamja e tyre e jashtme. As mua nuk më pëlqen. Por thelbi është gjetiu.

Edhe pse protestojnë kundër luftës, mijëra ushtarë amerikanë kanë vdekur, që ata mund të bëjnë pikërisht atë që po bëjnë. Dhe ky është thelbi i këtij vendi të madh”. Maks Jasgur do të vdesë nga një atak në zemër, në moshën 53-vjeçare, i përkëdhelur nga historia dhe nga të njëjtët adoleshentë të cilët me kënaqësi do të largoheshin nga shtëpia e tij.

Ishte një festival spektakolar

Numerikisht (gjysmë milionë njerëz, imazhet nga lart janë mbresëlënëse) dhe aspektin muzikor (edhe pse më dobët se Festivali i Monterejit i vitit 1967, më i miri i të gjitha kohërave), ai hyri në histori për kuptimin e tij simbolik. Të gjithë ata që shkuan në Udstok, apo që dëgjuan për të, ishin të bindur se muzika rok, e “bekuar” nga acidi lisergjik, mund të ndryshonte gjendjen e gjërave, dhe të zgjaste përgjithmonë.

Mjerisht, ëndrra se Udstok mund të ishte fillimi i diçkaje shumë të madhe, vdiq (paradoksi i tretë dhe i fundit) gati para se sa të fillonte. Tre muaj e gjysmë më vonë, në Altamont, gjatë një koncerti të Rolling Stones, “Hell’s Angels” (Engjëjt e Ferrit), të rekrutuar si ruajtës të rendit, në këmbim të një sasie birrash të barabartë me 500 dollarë, therrën për vdekje Meredit Hanter, që u përpoq të ngjitej në skenë, kur po këndonte Mik Xheger.

Efekti ishte shkatërrues

U bë për të gjithë e qartë, se nuk do të kishte një Mbretëri të Dashurisë dhe Paqes, dhe se ajo që ishte përjetuar në Udstok ishte një pulitje sysh, madje as edhe një frymëmarrje. Vera e Dashurisë, që kishte jetuar “pranverën e saj” në San Françisko ishte duke u bërë dimër, duke kapërcyer vjeshtën.

Shumë shpejt bota e rokut do të shokohej, kur mësoi për vdekjet brenda pak kohësh të Xhimi Hendriks, Xhenis Xhoplin dhe Xhim Morrison. Brezi i Udstok, u shua për shkak të pamundësisë për të vepruar. Ai donte ta ndryshonte botën duke e kthyer atë në dashuri, por nuk kishte idenë më të vogël se si ta bënte këtë, përveçse të izolonte veten, dhe të zhvishej lakuriq.

Siç tha në një rast ndoshta me vrazhdësi Xhon Fogerti, lideri i “Creedence Clearwater Revival”, “ata uleshin ngjitur njëri pas tjetrit, bënin dashuri, pinin drogë dhe flisnin për luftën, por nuk bënë asgjë për ta ndalur atë. Nuk e kishin idenë se nga t’ja fillonin”.

Një ditë, mendimtarja Ebi Hofman, një ideolog i hipive dhe udhëheqësi i lëvizjes rinore, u thirr të mbronte veten në një gjykim. Ai u prezantua si një “jetim” i Amerikës. Gjykatësi e pyeti ku jetonte, dhe ai u përgjigj:”Në kombin Udstok”. Gjykatësi u befasua dhe pyeti sërish:”Dhe në cilin shtet ndodhet?”. Hofman u përgjigj:”Në Shtetin e Mendjes”.

Ky ishte Udstok. Diçka e bukur në gjendjen e mendjes sonë. Nuk ndryshoi asgjë, por ai vazhdon të na dhurojë prej 50 vitesh muzikë dhe kujtime. Muzikën spektakolare të Karlo Santanës, Xhenis Xhoplin, Kredens, Joan Baez, Xhoni Uinter, Xho Koker, dhe mbi të gjitha Xhimi Hendriksit, që interpretoi një version të paharrueshëm “The Star-Spangled Banner”. Dhe kujtimet se kush ishte, dhe kush do të donte të ishte atje. Për ta përjetuar atë paradoks unik, dhe të papërsëritshëm të quajtur Udstok. / bota.al

SHKARKO APP