Paradoksi i nënave shqiptare – Më të rejat në Europë, por po lindin shumë pak

Shqipëria rezulton të ketë nenat më të reja në Europë, sipas të dhënave më të fundit të Eurostat, që i referohen vitit 2017. Sipas këtyre të dhënave, gratë shqiptare bëhen nëna për herë të parë, mesatarisht në moshën 26.1 vjeç. Në Europë vetëm Bullgaria ka një shifër të ngjashme ndërkohë që të gjitha shtetet e tjera kanë një normë më të lartë. Kjo vlen vetëm për të dhënat e vitit 2017, pasi për disa vende ku nuk janë rifeskuar shifrat. Për vende si Ukraina apo Bjellorusia kjo shifër është lehtë më e ulët.

Edhe në krahasim me vendet e rajonit, Shqipëria rezulton të jetë ajo me nënat më të reja. Mesatarja e Bashkimit Europian ndërkohë fiksohet në 29.1 vite, pra tre vite më shumë se në vendin tonë. Italia mban rekordin europian me nënat për herë të parë në 31 vjeç. Sa i përket moshës mesatare të të bërit nënë të grave shqiptare, pra jo vetëm të fëmijës së parë, ajo fiksohet në 28.4 vite, dhe këtu nuk ka asnjë rekord europian, pasi nënat bullgare dhe ato rumune janë më të reja. Por, ndërkohë që këto të dhëna flasin vetëm për një trend që lidhet ngushtë edhe me emancipimin e grave dhe vajzave shqiptare, një e dhënë tjetër duket alarmante, ajo e indeksit të fertilitetit.

Në Shqipëri është ndër më të ultit në Europë, në vetëm 1.48, madje nën mesataren e Bashkimit Europian që fiksohet në 1.59. E ndërkohë që sot fiksohet në 1.48, ky indeks në vitin 2013 ishte 1.73. Indeksi i fertilitetit tregon kështu se shqiptarët nuk po lindin dhe në krahasim me Europën, ritmi i tkurrjes është edhe më i madh. Pra, pavarësisht faktit se bëhen nëna më shpejt se gratë europiane, shqiptaret po lindin më pak se to.

SHKARKO APP