Paraja dhe shqiptarët

Nga Arjan Lame* –
Paraja si fenomen financiar i përket marrëdhënies Shtet-qytetar për të kërkuar dhe marrë shërbime. Gjithashtu, paraja si fenomen monetar përfaqëson një shprehje të privilegjuar të forcave që nxitin shoqërinë në fusha të ndryshme me elementë ekonomik, politik, social dhe historik.
Më tej, Paraja përfaqëson edhe një instrument kontrolli dhe kontribon në ndërtimin e një strukture shoqërore dhe të kuptimit të realitetit të përditshëm.
Sinteza e këtyre pohimeve do të thotë që paraja është një bashkësi forcash me fusha veprimi të ndryshme me prirje subjektive dhe marrëdhënie specifike të cilat ndërtojnë një rrjet politik, juridik, social dhe psikologjik.
Shqiptarët në raport me paranë si relacionohen? Aspekti simbolik politik është i inçizuar qartë në kartëmonedhat shqiptare ku spikasin personalitete të shquara të kulturës shqiptare por edhe kanë firmën e individëve që kanë drejtuar institucionet financiare me dritë-hije. Aspekti psikologjik i shqiptarëve në marrëdhënie me paranë është karakterizuar nga një tension midis rrezikut dhe kërkimit për siguri e shprehur kjo nga dinamika e shtresëzimit të shoqërisë shqiptare duke filluar nga rënia e regjimit të diktaturës deri më sot. Nevoja për t’u ushqyer, veshur, për të pasur një çati mbi kokë kanë qenë kërkesat e para të shqiptarëve të manifestuara energjikisht në këto vite të tranzicionit. Dhe për t’i përmbushur këto nevoja jemi dëshmitarë të mënyrave të ndryshme që ka eksperimentuar shoqëria shqiptare. Nuk është e nevojshme të sjellim shembuj por ajo që na intereson është kalimi nga përmbushja e nevojave parësore të mbijetesës tek nevoja për të pasur një “status” shoqëror, një njohje nga të “tjerët” apo të një përkatësie dhe që mundësojnë një vetërealizim të individit. Përveç të qenurit instrument shkëmbimi shërbimesh dhe që mundëson ndarjen emocionale dhe të përmbajtjes së punës, paraja organizohet nga institucione shtetërore që kontribojnë në ruajtjen e besimit të një strukture sociale të caktuar. Në këtë aspekt marrëdhënia e shqiptarëve me paranë ka qenë traumatike si në dimensionin social ashtu dhe institucional në kohën e firmave piramidale.
Kjo prirje apo ankth-tension për të pasur një ”status” shoqëror ekonomik dhe politik në terma të grumbullimit të parasë nuk ka të “rregulluar”. Nuk është një pohim por një fakt i evidentuar pikërisht nga marrëdhënia e depersonalizimit të marrëdhënieve që paraja “ndërton”. Cilësitë e një komunitetit të inçizuar pikërisht duke filluar nga paraja evokojnë dhe strukturojnë këtë komunitet mbi bazën e kësaj marrëdhënieje kryesisht economiko-politike. Manifestimi dhe interpretimi i saj sot në jetën e përditshme dhe institucionale është në terma, të drejtash dhe detyrimesh në terma ekonomik (sistemi i pagave dhe pensioneve), korrupsioni (justifikimi i të ardhurave të funksionarëve të shtetit) dhe të marrëdhënieve të institucioneve të shtetit me organizata të tjera të cilat kanë për qëllim të fundit dhënien apo grumbullimin e parasë. Të tre këto dimensione janë problematik në marrëdhënien që shqiptarët dhe institucionet shqiptare kanë me paranë. A duhet të ri-mendohet edhe një herë kjo marrëdhënie me paranë në dimensionin emocional, ekonomik të vlerës së përmbajtjes së punës, së mallrave, të marrëdhënieve të cilat ajo ndërton? Nëse përgjigja do të jetë pozitive nga shoqëria dhe institucionet shqiptare atëherë do të jemi në prag të “rënies” së një regjimi të “vjetër” që nëpërmjet vetëm marrëdhënies së depersonalizuar me paranë ka për qëllim të vetëm akumulim të parasë dhe të kontrollit të strukturës shoqërore, tipike të regjimeve të “vjetër”. Shqipëria vuan këtë simptomë në sistemin shkollor, universitar, shëndetësor,administratën publike,në punësim dhe në zgjedhjet politike. Historia ka treguar se qoftë “regjime” apo “perandori” kanë rënë si pasoje e kësaj marrëdhënieje problematike me paranë në kuptimin e përmbajtjes. Një proçes i tillë do të emancipojë individin,shoqërinë dhe institucionet në atë që të gjithë kërkojnë në plotësim dhe realizim të aspiratave.

* PhD dhe Pedagog Tirana Busines University

SHKARKO APP