Parajsa e leximit, joshje e botës së fëmijëve

Antologji e Letërsisë për fëmijë “Lule për lulet” (2000-2014)

 

Asgjë më bukur dhe përjetësisht nuk mundet ta arkivojë kujtesën kulturore më mirë se sa librat, bibliotekat, arkivat, muzeumet…, të cilat bëhen vula e mbamendjes njerëzore, duke ruajtur vlera arti mendjesh të ndritura e të lartësuara individësh dhe grupacionesh kulturore. Kështu e pati nismën qoftë “Epi i Gilgameshit” apo “Formula e pagëzimit”, e sa të tjera si këto që përbëjnë linjën e pafundme të veprave të shkruara në kohë të largëta a në kohë të afërta, në të gjitha trajektoret e botës, për të mbetur dëshmi kulturore që e shënojnë disiAleph-in e mendjezgjuarësisë. Edhe letërsia artistike për fëmijë është trajtuar me shekuj, si përcaktim i horizontit të dijeve, frymës edukative dhe sensibilizimit për njohje gjithpërfshirëse.

Si përzgjedhje vlerash letrare e krijimtarisë për moshën më të re, cilësohet antologjia “Lule për lulet”, botuar vetëm ca kohë më parë nga Shoqata Mbarëshqiptare e Shkrimtarëve për Fëmijë e të Rinj, nga një staf i tërë redaktues, nën drejtimin e Pandeli Koçit (Sazan Golikut), kryetar i Shoqatës. Në fjalën drejtuar lexuesit, ai midis tjerash thekson: “Edhe ky libër që keni në dorë pret ta lexoni me ëndje. Aty do të gjeni shkrimet letrare të zgjedhura nga shkrimtarë shqiptarë të të gjitha trojeve tona, madje edhe të diasporës. Ato janë shkruar e botuar nga viti 2000 deri më 2014, pra në shekullin e ri që po jetojmë”.

Pandeli Koçi, një personalitet i formuar prej vitesh që ashtu sigurt sjell vepër pas vepre, me një stil të admirueshëm letrar, me freski kujtese që e mbështjell tërë veprën e tij, lë vulën e identitetit të krijuesit të përkushtuar. Shkruan me entuziazmin e brendisë së qenies së tij. Kjo ndoshta edhe e ka nxitur në bashkëpunime për një botim të këtillë, për të sajuar këtë vepër të rëndësishme, si një trashëgimi kulturore për lexuesit e vegjël.

Ai e njeh zërin e arsyes se si i gjegj zërit të zemrës, ku ka mjaft dashuri për artin, prandaj na e ofron këtë, si relikt dashurie për njeriun që e do lexuesin dhe librin. I gjendur prej vitesh në mesin e krijuesve, më së miri e njohu nga afër botën e tyre artistike dhe vlerat letrare, prandaj themi se i ka të gjitha parametrat e një libri plot margaritarë dijesh e njohjesh, krijimtari kjo, kryesisht e botuar në dekadën e parë të shekulli tonë.

Antologjia është në harmoni me begatinë shpirtërore dhe jetën kulturore të shqiptarëve të të gjitha trevave: Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi, Çamëri dhe Diasporë, pra gjithandej ku lind dhe zhvillohet letërsia, idetë si dhe rrjedhat historike të kombit, pjesë e së cilës natyrsisht është edhe bota e fëmijëve. Përmes intonacionesh të qarta përshkrimesh e situatash, shkrimtari për fëmijë demaskon e satirizon, por edhe edukon. Ai bëhet modeli i vërtetë i mendimit alternativ. Edhe konceptimi popullor, motivet shoqërore, si alternativa, opcione a ristrukturime, të vendosura mbi fatin e shqiptarëve sjellin ide kombëtare që i hapin udhë idesë njerëzore prej virtytesh, si: urtësia, zgjuarësia, dituria…, që mbeten mënyra më e mirë e edukimit. I tillë do të mbetet brezi i shkrimtarëve: Odise Grillo, Rifat Kukaj, Skënder Hasko, Agim Deva, Frederik Rreshpja, Qamil Batalli, Zejnullah Halili, Piro Kuqi, Aqif Malaj, Kostandin Leka, Dionis Bubani, Milianov Kallupi e të tjerë.

Analizuar në këndvështrimin kohor, duhet theksuar se, tradita popullore është thesar i trashëguar ndër breza. Njohja, gjegjësisht të mësuarit, si një nga virtytet më të larta njerëzore, është proces didaktik me një lirizëm të dëshirueshëm pakufizueshmërish ideore, gjë që ka mundësuar krijimin e një letërsie origjinale artistike shqipe, me elemente përshkrimi e rrëfimi, si dhe portretizimin e karaktereve diturake. Në këtë sfond formësohet edhe portreti i heroit, si objekt i përhershëm frymëzimi që e realizon dramën psiqike, pavarësisht glorifikimit, pathosit emocional, shprehjeve retorike, legjendarizimeve apo tipizimit të tij, përgjithësisht.

Trajtimi artistik i figurave jep mundësi, ngre dilema dhe krijon mjaft imagjinatë artistike, me ndërthurje si në këngët homerike, me të vjetrën kodore, duke shërbyer si ngjizje e së resë me të vjetrën. Edhe P. Koçi, në fjalën e tij shprehet: “Aty do të gjeni vjersha, fabula, përralla e tregime që i këndojnë jetës suaj, që rrëfejnë ngjarje interesante nga përditëshmëria e historia, nga shtëpia e shkolla, që na kallëzojnë përralla e fabula të reja të hab­itshme, ku gërshetohen figurat e hershme popullore me ato të kohëve moderne”.

Me një opus të gjerë tematik, në zhanrin e prozës janë përfshirë mjaft autorë, midis tyre edhe: Adem Abdullahu, Aleko Likaj, Alketa Dervishaj, Anton Nik Berisha, Astrit Bishqemi, Fatmir Terziu, Flamur Topi, Frederik Rreshpja, Hajro Ulqinaku, Ibrahim Kadriu, Kalosh Çeliku, Klara Kodra, Moikom Zeqo, Naum Prifti, Nehas Sopaj, Petraq Risto, Riza Braholli, Vangjush Saro, Vasil Premçi, Viktor Canosinaj, Xhahid Bushati e disa të tjerë. Në këto dhjetëra libra në prozë këndshëm ripërtërihet rrëfimi, si normë strukturore prozaike, në përballje me kohën, hapësirën dhe kushtet tjera, si detaje të rëndësishme, në përshtatshmëri me psikologjinë e fëmijëve.

Jo vetëm proza, por tërë letërsia e trashëguar për fëmijë mundëson që edhe përmes ndonjë kuadri të ri kuptimor dhe ndonjë vëzhgimi të ri artistik, të vijojnë të përcaktohen veçoritë e sotme të kësaj letërsie.Krijimet e përzgjedhura me shumë vëmendje, e shpalosin edhe karakterin dëfryes, botëkuptimet e fëmijës brenda marrëdhënieve sociale, duke ilustruar në parafytyrimet e secilit një ambient ëndërrues. Pra, është një vepër, e cila e artikulon qëllimin arsimor dhe edukativ, në njohjen e botës fëminorere, si dhe vë në pah ndihmesën e shkrimtarit, për të sjellë cilësi të reja në letërsinë artistike për fëmijë.

Vepra “Lule për lulet” e përzgjedhur si simbol identiteti letrar nga letërsia për fëmijë, e krijuar në kohështrirje 2000 – 2014, në njëfarë forme shquhet për natyrën kritike, sintezën e shkëlqyeshme, për modelin dhe metodologjinë, jo vetëm për poezitë dhe prozat origjinale, por edhe shqetësimet, situatat, dramat, vlerat estetike, virtytet njerëzore, qytetare, intelektuale… Një krijimtari e sjellur mjaft bukur, si një tufëzë shumëngjyrëshe lulesh, prej ku përthithet nektari i disa vlerave të shkruara, pothuajse të smerilizuara me delikatesë e përkushtim. Në këto dimensione krijimesh rrëfatet shkalla e realizimit artistik, qoftë si frymëzim letrar, qoftë si sintezë idesh dhe rrymash letrare, te të gjithë autorët e përfshirë.

Objekt trajtese në këto vepra është pjesa më e bukur e jetës – fëmijëria, mosha që nuk i njeh kontrastet e thella rreth vetes. Është e bukur kjo botë, meqë e karakterizojnë: sinqeriteti, çiltërsia dhe dashuria pa kushte, për të dhënë dhe marrë atë që ia do zemra. Në ëndrrat e tyre, jeta ka vetëm ngjyra ylberi dhe ajo është joshja më e bukur që ngjizet nga ëndrrat. Këtë e vërtetojnë dhe shumë poetë, të përfshirë në vepër, si: Abdullah Thaçi, Adelina Mamaqi, Agim Bajrami, Agim Deva, Anton Papleka, Arian Leka, Bardhyl Xhama, Dionis Bubani, Faslli Haliti, Fatmir Gjestila, Fejzi Bojku, Gani Xhafolli, Iljaz Bobaj, Kostandin Dhamo, Nase Jani, Nikolla Spathari, Qibrie Demiri – Frangu, Rexhep Hoxha, Tatiana Prifti, Xhevahir Spahiu, Xhevat Syla, Zymber Elshani etj. 

                Kjo përzgjedhje poezish, është e pasur me vlera pedagogjike dhe e shpalos botën e ndjeshme autor – lexues, ndërsa fjalori i zgjedhur dhe i begatshëm i vë në spikamë edhe vlerat estetike të një vepre sintetizimesh didaktiko – artistike. Njëkohësisht, përcillen mesazhe bindëse, se si kërshëria e fëmijëve kthehet në emocion që rrezaton mbi botën shpirtërore.   

Poezitë, nga më të ndryshmet, bëhen harku i ëndrrave të pafundme të fëmijëve. Në ato vargje, më të vegjëlit njohin natyrën, botën që i rrethon, pastaj edhe hidhërimin e brengën. Me këtë vihet në pah karakteri lodrues i fëmijëve. Vargjet plot intonacion dhe dialogje të japin përshtypjen e situatës së dramatizuar. Një pasuri e veçantë që e shton entuziazmin e lojës janë lodrat, ato ua nxisin kujtesën dhe i edukojnë. Në këtë mënyrë, së afërmi e njohin begatinë e natyrës, e perceptojnë botën dhe bashkë me të e njohin përjetimin.

Edhe motivet janë të shumta. Poezitë përshkohen nga: atdhedashuria, kurbeti, natyra, përsiatja, loja, dashuria…, e përmes figurash poetike, formësohen përmbajtjet, shprehen emocionet, nxitet kujtesa dhe mësohen të panjohurat e jetës. Kështu, edhe pasqyrohen qartë përpjekjet, synimet…, vargjet për fëmijë shprehin ideale, dëshira, ëndrra. Ato, pothuajse gjithmonë e ndjellin stinën e pranverës, sepse në të kundërtën, shpirti i tyre delikat i përjeton dhimbshëm problemet shoqërore, e natyrisht ata nuk duan që reflektimi i tyre t’ipërcjellë deri në aktin final të jetës. Jeta në moshën e fëmijërisë duhet qenë një sintezë e lojës dhe edukimit, më saktësisht “edukim përmes lojës”, meqenëse vetë personaliteti i fëmijës formësohet midis ëndrrës dhe reales.

“Lule për lulet”, është vepër ku ndërthuret dashuria ndaj fëmijëve me një imagjinatë të pandalshme, me tablo mbresëlënëse përjetimesh dhe emocioni vjen natyrshëm me tërë kërshërinë dhe kënaqësinë e moshës.Edhe gjuha e pasur, kultura e gjerë dhe e thellë, mendimi kritik, ironia, forca e gjykimit, urtia, horizonti i dijeve dhe liria e të shprehurit në pranim – refuzimin e ideve e profilizojnë fëmijën, këtë vizionar të udhëtimit që e pret gjatë jetës.

Misoni i shkrimtarit është është obligim moral që lidhet ngushtë me epokën e vet, përshkrimin dhe shkathtësinë përçuese të këtyre vlerave jetësore drejt brezit të ri, përmes artit të fjalës. Njeriu i brumosur me këto vlera, e njeh botën artistike, madje kjo e shtyn që edhe t’i respektojë dashamirët e fëmijëve dhe veprat e tyre, pikërisht si ky prezantim krijues vlerash të shumta që na ofroi shkrimtari, veçmas autori i kësaj antologjie, Pandeli Koçi, për të nuancuar vlera të mirëfillta në dijet mbi letërsinë për fëmijë. Vepra duhet mirëpritur, edhe për faktin e garancisë së “autoritetit” të këtij krijuesi.

Plotësimi i logjikshëm i një sërë imazhesh simbolike mbi artin dhe jetën, nga ky grup autorësh, nuk është bërë sipas ndonjë shijeje të rreptë vetanake, por në funksion të letërsisë drejt panteonit letrar, si prurje të vlefshme enkas për letërsinë për fëmijë. Vepra mbetet një ndër modelet më të mira antologjike, me dedikim për fëmijët. Sadoqë, vetë Pandeli Koçi deklaron se mungon kritika e sotme për të ndjekur dhe vlerësuar tërë opusin e gjerë të veprave që botohen…., do të thosha se ky grup punues ka realizuar punë të suksesshme, andaj do të uroja që pikërisht këto “takime kritikësh” të ishin më të shpeshta, sepse vendimet e tyre do të jenë gjithmonë frytdhënëse!

Duhet besuar se krijimet artistike, si në poezi edhe në prozë, kurdoherë do të jenë kopshte idilike ëndjesh të leximit për shumë fëmijë, të cilët harenë e jetës e njohin përmes parajsës së leximit. Edhe më tej, libri duhet çmuar si pasuria më e vlefshme e tyre, imagjinata më e bukur që i josh për të shtegtuar drejt ëndrrave.

Zejnepe Alili – Rexhepi (Tetovë)

SHKARKO APP