Paris/“Maison d’Albanie prezanton romanin “Klubi Karavastasë” të Maks Velos dhe ekspozitën e Zamir Matit

Nga Agron Gjergji/Bibliotekës së Qendrës Kulturore Shqiptare në Paris iu shtua libri i ri, romani “Klubi  Karavastasë” i autorit Maks VELO. Qendra kulturore “La Maison d’Albanie”, e cila prej tre vitesh ka organizuar dhjetëra aktivitete është tashmë anëtare me të drejta të plota të FICEP-it, i cili në vitin 2016 përkujtoi pesëmbëdhjetë vjetorin e tij me javën e kulturës së huaj, në muajin tetor, në kryeqytetin e Francës, Paris. FICEP, ky forum i 53 instituteve dhe qendrave të huaja në Paris nëpërmjet katalogut periodik dhe faqeve të internetit ka botuar edhe informacione dhe vlerësime për ekspozitat e hapura në “La Maison d’ Albanie” gjatë vitit jubilar 2016 e midis tyre informacion për ekspozitën e përbashkët të piktorëve nga Kosova akademikut Muslim MULLIQI dhe Visar MULLIQI, ekspozitën “Gëzimi i Syrit” me vepra të talenteve të reja 15 -vjeçarë, të ateliesë së njohur në Tiranë e drejtuar nga piktori Bashkim Dervishi, ekspozitën e përbashkët me fotografi mbi balonat të Georges LEKA dhe Zamir MATI-t etj.

Dashamirësit e artit dhe kulturës dhe miqtë e “La Maison d’Albanie” të njoftuar nëpërmjet pllakateve për promovimin e romanit “Klubi Karavastasë” dhe takimit me autorin, arkitekt, piktor dhe shkrimtar Maks Velo dhe hapjes së ekspozitës të piktorit Zamir Mati, me një seri punimesh nga zona e Ndernënasit në Fier, të realizuara në vitin 1966.  Duke pritur dashamirët e librit të ri dhe të artit presidenti i Albinfos dhe drejtuesi i kësaj qendre kulturore shqiptare zoti Gjergji Themeli i uronte të sapo mbërriturit mirëseardhjen dhe gëzuar festën e fundvitit e mbarësi për vitin e ardhshëm në punë e familjet e tyre. Në vitrinën e kësaj hapësire dhe në vende të dukshme të bibliotekës ishin vendosur libra dhe albume, të cilët janë botuar nga shkrimtari, piktori dhe arkitekti Maks Velo si dhe albume ku janë botuar veprat e tij.

Në njërën nga faqet e hapësirës janë vendosur dhjetë pllakate të vendosur njëri mbas tjetrit, të cilat kanë në qendër të tyre portretin e shkrimtarit dhe kopertinën e librit të ri “Klubi Karavastasë”, po ashtu në pllakat dallohen simbolet e organizatorëve të këtij takimi ; “Albinfos”, “Albtroy”, “Atelier Blue”, sigla thirrëse e bërë simbol e takimeve me librin nga Ministria e Kulturës, Tiranë, “Takohemi me një LIBËR”, “FICEP”, “La Maison d’Albanie”, “Albinfos”. Ndërsa në faqen tjetër të hapësirës janë ekspozuar pesë punime në akuarel dhe dy punime në vaj me peizazhe nga Ndernënasi, realizuar në vitin 1966 nga piktori Zamir Mati.

Tavolina e mbushur plot me frutat e njohura të festave të fundvitit, arat që mbushnin një frutjerë të punuar në dru, ngjyrat e portokallta të mandarinave, çokollatat me ngjyrat e bukura të mbështjellësve, shishet e verës ku dallohej edhe ajo e ardhur nga Shqipëria krijonin atmosferën e ngrohtë të fillimit të kësaj mbrëmjeje dhe takimin e të pranishmëve me artistët Maks Velo e Zamir Mati. Në një atmosferë të ngrohtë z. Gjergji Themeli hapi takimin duke falënderuar shkrimtarin Maks VELO, i cili për herë të dytë prezanton librat e tij në “La Maison d’Albanie”. Albumin me grafika të realizmit socialist, ku përfshihen punime grafike të autorëve që kanë realizuar vepra të një karakteri të veçantë dhe me një origjinalitet krijues tepër domethënës për periudhën në të cilën janë krijuar. Të pranishmit u njohën edhe me botimin vlerësues të këtij albumi grafik nga revista e njohur daneze e artit ArtMargins.

Zamir Mati “Piktor i merituar” u shpreh: “Në radhë të parë falënderoj piktorin, arkitektin dhe shkrimtarin Maks VELO për takimin e sotëm këtu në këtë shtëpizën tonë, duke na dhuruar kënaqësinë të kemi në bibliotekat e familjeve tona një libër , roman të ri. Krahas edhe librave dhe albumeve të tjerë që Maksi mi ka dedikuar miqësisht. Kam pasur fatin të shoh gjithëherët bllokun e vizatimeve të udhëtimeve, të cilin Maksi nuk e ndan nga çanta e tij e punës. Sa herë që artisti vjen në Paris është një kënaqësi takimi me Maksin jo vetëm kështu “zyrtarisht”, por edhe si miq që njihemi prej shumë vitesh e në këto raste bisedat për artin, për ekspozitat, për miqtë, për Dardhën, për Atdheun janë bashkëbisedime, të cilat gjithëherët të mbushin me shpresë për krijimtarinë dhe përparimin. Bisedat me Maksin kanë vlera reflektuese e frymëzuese të cilat rrjedhin edhe prej origjinës dhe edukatës së tij familjare, por në radhë të parë të përgatitjes, formimit të tij artistik e kulturor. Për mua Maksi është piktori që në vitet ’60 erdhi në ballkonin e shtëpisë sonë në Vlorë, ku unë banoja atëherë dhe aty në ballkon hidhte në mënyrë të magjishme ngjyrat e akuarelit mbi letrën e bardhë. Asnjëherë nuk mund të harroj këto çaste magjie, të cilat më kanë ngelur në memorien time fëminore si çudia e ngjyrave dhe mjeshtërisë së piktorit.  Maksi për mua ngelet takimi i parë me një mjeshtër të artit, me një mjeshtër të ngjyrave dhe çudisë së tyre. Vite më vonë në rininë time kur studioja në liceun artistik apo në institutin e arteve ishte normale të ndiqja e të mundohesha të njihja artistët e asaj kohe. Askush prej nesh nuk e dinte se kur uleshim apo kalonim momente të bukura të kohës së lirë në parkun e liqenit artificial të Tiranës, në ato pika të bukura arkitektonike me elemente të një arti dhe arkitekture me elementë modern ishte edhe kontributi i arkitektit të ri Maks Velo nga një bashkëpunim me një grup të përbashkët projektimi arkitektësh bullgarë. Po ashtu në vitet ’70 u rinkonstruktua në qendër të Tiranës kompleksi “Drini” ose siç quhej nga tiranasit me emrin e vjetër Vollga. Rinkonstruktimi dhe përdorimi i materialeve të reja si vetratat e mëdha prej duroalumini, përdorimi i qeramikës dekorative, apo i pajisjeve të kohës për ambientet dhe anekset e kompleksit, pajisjet e serviseve, ndriçuesit, tharëset e duarve, etj e bënin kompleksin “Drini” një qendër shplodhëse e argëtimi sidomos për rininë. Por e veçanta ishte dekorimi i sipërfaqeve me reliefet dekorative të realizuara me rrahje në bakër, ishin figura të prera dhe të lidhura me një kompozim të pasur e ritmik. Përdorimi i tyre dhe realizimi me një ekspresion e forma artistike të ndryshme nga skulpturat akademike të deri atëhershme, të cilat vendoseshin rastësisht në ambientet. Këto skulptura dekorative, rrahje në bakër të punuara nga Maksi, ishin lidhur me harmoni me të gjithë elementet e kompleksit “Drini” dhe me funksionin e tij dhe kur i shihje na ngjallnin shpresën ne të rinjve për perspektivën e zhvillimit të arteve aplikative. Por ky kënd i pëlqyeshëm nuk pati fatin të jetonte gjatë. Maksi u dënua dhe skulpturat dekorative u hoqën. Zbrazëtira vazhdoi gjatë por edhe trishtimi ynë e mendimet e këqija që rridhnin prej saj e sidomos për dënimin e autorit me një gjyq të shëmtuar ku me ftesa-  urdhëresa dhe porosi të veçanta ishim ftuar një numër artistësh për të marrë pjesë.  Ishte për mua hera e parë që shkelja në atë sallë gjyqi dhe trishtimi e moskuptimi i pranisë sime aty më shoqëron akoma!!! Pashë artistin e magjisë së ngjyrave, të cilin e adhuroja në një situatë të dhimbshme, pashë piktorin të cilin kishe kënaqësi kur e takoje apo kur e kisha ftuar në shtëpinë time si një artist dhe mik të cilin e respektoja për të parë tablonë, të cilën e kisha në proces “Radio -Tirana” apo tablonë e punimin e diplomës “Peshkatarët”. Pashë arkitektin dhe piktorin, i cili dukej me mospërfillje ndaj trupit gjykues dhe nga ato çaste sikur i shtohej më tepër fisnikëria dhe burrëria edhe pse ishte i qethur e me një qëndrim pak kokulur në këtë spektakël të shëmtuar.

Me radhë erdhën dëshmitarët Piktori i talentuar Edison Gjergo, poeti Mihal Hanxhari dhe një nip i skulptorit Paskali. Kuptohej qartë që të tre flisnin ato, të cilat i kishin përsëritur disa herë për t’i mësuar përmendësh. Nuk e di, por nuk e ndjeja mirë veten dhe sapo mbaroi seanca e parë u largova për të mos vazhduar të isha  spektator i kësaj shfaqje të shëmtuar. Maksi ishte arkitekti i futjes së elementëve modern në arkitekturë. Ai ndërtoi godina zyrtare , shoqërore e banimi të ndryshme nga tipologjia monotone e asaj kohe. Ndërsa vizatimet e tij të botuara në shtypin e kohës ishin të veçanta edhe ndoshta se ai përdorte me ndërgjegje teknika dhe mjete të reja. Fëtrat me ngjyra dhe linja të trasha, jo të zakonta krijonin vizatime krejt të ndryshme prej të tjerëve dhe prej përdorimit të tyre me një mjeshtëri prej artisti të veçantë. Maksi përveç se ishte një artist, ai ishte për ne të rinjtë e kryeqytetit edhe një nga idolët e saj, me qëndrimin e tij, me veshjen e tij gjithëherët elegante e të veçantë, me sjelljet e tij xhentile apo pjesmarrjen në fundjavat në ngjitjet në malin e Dajtit.

Ai ishte një shembull edhe për zhvillimin e lojës së tenisit si në fushën e klubit të universitetit apo tek fushat e tenisit të thirrura të “Nallbanit”. Jeta e Maks Velos ka një eksperiencë të gjatë ashtu siç ka edhe një krijimtari të bollshme e eksperiencë të hidhur. Kjo e bën krijimtarinë e tij me vlera të jashtëzakonshme humane, kështu janë tregimet e tij e së fundi edhe romani “Klubi Karavastasë” të cilin e kemi lexuar në vitin 2004 si një novelë të shkurtër dhe tani të plotë si një roman. Romani ” Klubi Karavastasë” është tepër tërheqës. Tërheqës e bën atë gjuha dhe stili i të shkruarit. Tërheqës e bën kompozimi dhe struktura e tij.

Tërheqës është edhe ndërtimi i romanit me personazhe dhe mungesës së tyre në mënyrën klasike, me përshkrime dhe skalitje tregimtare e të zgjatura. Kështu romani është edhe një risi jo vetëm e autorit por edhe në tingullin modern të tij. Fjalët e zgjedhura dhe fjalitë me një densitet mendimi janë të kërkuara, të gjetura, janë mendime të një origjinaliteti por ato janë edhe të ngjeshura me mendime të cilat marrin kuptim filozofik dhe njëkohësisht të vënë në mendime mbi jetën, kulturën dhe traditat e mira apo ato të këqija të popullit, në roman gjen në mënyrë të sintetizuar raportet dhe krahasimet e sistemeve politike, gabimeve me pasoja të dhimbshme të aplikimit të tyre. Në atmosferën e këtij romani gjen të gdhendur në fjalë situata njerëzore, të njohura. Romani është i pasur me histori e ngjarje të cilat krijojnë historinë e një kohe ndryshimi të madh. Autori i vendos ngjarjet e romanit në një qytet absurd, qyteza e ngritur buzë kënetës mbi tokën e kripur kthehet në një simbol të një absurditeti edhe pse ajo është pasqyrim në një kohe reale, e qytezë reale, të cilën e kemi njohur kalimthi dhe me një indiferentizëm politik në ato vite. Absurditeti është edhe thelbi i ndërtimit të tij, një qytet me një lulishte pa lule dhe një qytet pa varreza ku në qendër është “klubi Karavastasë” dhe mendimet e gjykimet për çdo aspekt të jetës e të kohës nga frekuentuesit e saj, ashtu si është edhe “kafja private” e burgut e treguar aq bukur nga mbajtësi i ditarit Andrea, ish nxënësi i liceut të Korçës dhe përkthyesi direkt i dialogëve të filmave të huaj. Klubi Karavastasë apo kafja private e burgut me bisedat , ndërthurjet e mendimeve, dhe bindjeve politike me sentencat filozofike të vendosura me kujdes nga autori në gojën e personazheve kthehet në një simbol edhe i bërjes së politikës në një periudhë tranzicioni të realitetit shqiptar. I gjithë vendi duket sikur është Kafja e Karavastasë. Ditari i këtij personazhi të duket i vërtetë dhe në realitet ai i vërtetë është se ne gjejmë në ditarin e tij mendimet dhe gjykimet plot eksperiencë njerëzore të autorit të romanit, vetë Maksit

Historia e vajzës me dy bishtaleca, Lulit me shokun e fëmijërisë Pëllumbin është njëkohësisht e dhimbshme, por edhe e bukur e njerëzore. Autori këtë histori e kthen në një simbol të fatit të shumë femrave shqiptare në kohën e tranzicionit. Ardhja në qytezë nga emigracioni i motrës së Elcës, e vetëmbytur në kënetë nga dëshpërimi, i mos vazhdimit të shkollës është një histori e dhimbjes, por edhe një respekti ndaj këtyre dhimbjeve prej motrës dhe vajzës së saj. Romani mbyllet me përshkrimin e motrës dhe mbesës së Elcës, të cilat respektojnë kujtimet e hidhura, por edhe dinë të dallojnë e të marrin me vete imazhet e vendit, ku kanë jetuar, në një qytet absurd, por edhe imazhet e natyrës dhe të vetë kënetës me pelikanët shtegtarë që me fluturimin e tyre na përngjasojnë me vetë përpjekjet tona dhe jetën tonë, e cila duhet të jetë e bukur si një dhuratë e pa përsëritshme dhe e çmuar e natyrës. Romani Klubi Karavastasë është i arrirë dhe një dëshmi e vërtetë e asaj që nuk duhet të ndodhë në shoqërinë njerëzore, është i vërtetë edhe për faktin se atë e shkruan një dëshmitarë i vërtetë i vuajtjes së pa drejtë.

pikotori1

Pikturë nga Zamir Mati

Ndërsa intelektuali Leonard Shkurti tha se ishte një kënaqësi takimi me shkrimtarin, piktorin dhe artistin Maks VELO. “Libri i tij do të më pasuroi bibliotekën time. Me siguri do të gjej në leximin e romanit edhe elemente, të cilat më kujtojnë jetën time në Sinjë të Shpiragut, ku kam punuar mësues dhe kur herë, herë koha e qartë mbas shiut na zbulonte peizazhin deri në buzë detin Adriatik dhe dallonim qendra apo fshatra, të cilat i njihnim, apo kishim dëgjuar vetëm se atje ishin edhe të internuar apo të dënuar të asaj kohe. Librat dhe përshkrimi i dhimbjeve njerëzore sidomos prej atyre që i kanë pësuar janë një vlerë e veçantë e sidomos veprat e artistit Maks Velo, të cilat janë shkruar me kulturë dhe me art dhe jashtë hakmarrjeve të zakonshme në shumë raste”,- tha Shkurti.

Në bashkëbisedim me autorin e romanit “Klubi Karavastasë” piktori Julien Taulant, i cili jeton në një nga atelietë e “fshatit të artistëve” në Val d’Oise e pyeti piktorin, arkitektin, shkrimtarin Maks Velo si një personalitet, i cili është tepër aktiv në mediat dhe shtypin e Shqipërisë. “Nëse shteti dhe qeveria shqiptare a e ka vlerësuar artin dhe artistin në veçanti për rolin e tyre të rëndësishëm në përparimin e vendit? Dhe si mundet të shkohet në një ndërgjegjësim dhe edukim të përafërt me atë që ne njohim p.sh në Francë dhe në përgjithësi në Europë?”,- tha ai

Maks VELO piktor, arkitekt, shkrimtar dhe një personalitet i mediave u shpreh “Është tepër vështirë. Unë do të jap vetëm një shembull lidhur me pyetjen dhe kulturën. Lexova këto ditë në shtyp se në Francë ka 15 000 organo të instaluara në kishat prej shekujsh dhe vetëm tre janë pronë e shtetit, e këto të treja të ndërtuara e instaluara nga gjermanët. Unë kam bërë rinkonstruksionin e kishës katolike në rrugën Konferenca e Pezës, Tiranë dhe kthimin e saj në një qendër kulture, aty ishte një organo. Duke mos pasur mundësi ta ruaja në vend ndodhjen e saj u detyrova edhe ngula këmbë ta çonim të paktën në akademinë e arteve. Thirra kompozitorin e shquar Tonin Harapin dhe ai e mori, të dy kur e shihnim që u transportua pjesë- pjesë me karrocë na vinte çudi dhe keq. Organo nuk u instalua në akademi dhe vite më vonë kur kam pyetur nuk gjendet as nami as nishani… Ja kjo është kultura që trashëgojmë jo vetëm nga regjimi kaluar por do të thoja nga shekujt e pushtimit osman..”. Përsa i përket edukimit çfarë të themi!? “Qeveria aktuale po bën shumë gjëra. Po rikonstrukton shkolla dhe sistemin e tyre, por çfarë edukimi mund të kemi kur 10 000 fëmijë janë të mbyllur nëpër kulla prej kanunit e hakmarrjes…!?”,- u shpreh Maks Velo.

Ekspozita e Zamir Matit

Zamiri Mati, ashtu si kur unë prezantova albumin me grafika të realizmit socialist, këtu në këtë hapësirë ekspozoi vizatime të viteve 1970 dhe tani ka ekspozuar një seri me punime nga Ndernënasi, një nga fshatrat e zonës që unë përshkruaj. Këto ai i ruan, por po të shkojmë sot atje do të çuditemi se tokat janë pushtuar nga betoni, është prishur duke ndërtuar pa rregulla urbanistike, është prishur toka, e cila për të gjithë planetin është një pasuri e paçmuar. Tokën nuk e mbrojti dot shteti, atë duhet ta mbrojë vetë njeriu me kulturën e tij të punës…  “Pikërisht është kultura ajo që do të ndërgjegjësojë njerëzit, por më e rëndësishmja është edukimi qytetar me privilegjet e të qënit të lirë në demokraci, por edhe detyrat ndaj Republikës dhe respektit e zbatimit të ligjit”,- thotë piktori Zamir Mati. Intelektualja Lushka Maçi u shpreh se “libri Klubi Karavastasë është shkruar me finesë e inteligjencë, libër, roman, i cili krijon emocione të forta për brezin  tonë ! Respekt për artistin e shkrimtarin Maks Velo”.  Ndërsa Orion Papleka u shpreh se, “për ne është një ngjarje njohja me romanin e piktorit Velo”.  Duke dëgjuar vlerësimin e Zamir Matit për artistin, piktorin, arkitektin, shkrimtarin Maks VELO e pyetëm piktorin e merituar MATI për punimet e ekspozuara në këtë mbrëmje, se çfarë përfaqësojnë ato? “Maksi sapo vjen në Paris do të vijë të më takojë në Quai Voltaire në kafe “La Frégate” ashtu si dhe unë kur mbërrij në Tiranë do të shkoj ta takoj në kafe “Europë”. Kështu që edhe librin roman “Kafe e Karavastasë” ma dhurojë kur të dy po bisedonim e i uronim njëri- tjetrit takimin e radhës. E lexova menjëherë romanin, romani është shumë tërheqës dhe me një kompozim modern. Ai zhvillohet në një zonë të cilën unë e kam njohur kur kam qenë në një aksion rinie në vitin 1966, në Ndernënas tutje drejtë derdhjes së lumit Seman. Në koleksionin tim ruaj disa punime të kësaj kohe dhe kështu i propozova Maksit të ekspozoja edhe unë në mbrëmjen e prezantimit të librit të tij një seri punimesh. Ato nuk janë ilustrime të librit, por vepra të mija që përkojnë me një peizazh të njëjtë me atë që përshkruan Maksi. Kjo është hera e tretë që ne të dy jemi në një bashkëpunim. E para kur kemi punuar në një qytet në veri të Parisit dhe ekspozuam së bashku. E dyta kur Maksi prezantoi albumin me grafika të realizmit socialist dhe unë ekspozova vizatime të viteve 1970. Kjo ekspozitë është e treta duke mos harruar kur në sallën e skicave të institutit të lartë të arteve, në Tiranë, duke përfituar nga toleranca e pedagogëve të arteve figurative vinte të vizatonte edhe Maksi nudo së bashku me ne”,- thotë piktori Zamir Mati.

SHKARKO APP