Parku i kryeministrisë kthehet në skenë për muzikën e Rona Nishliut . Rama: Ishte një priviliegj
Parku në pjesën e pasme të Kryeministrisë u shndërrua mbrëmjen e djeshme, për të parën herë, në një skenë të madhe të këngës. Kryeministria mikpriti një kërkesë të ardhur nga këngëtarja Rona Nishliu për të prezantuar albumin e saj të ri dhe kjo hapësirë u vu në dispozicion të publikut.
Nishliu dhe kuarteti i saj pati një performancë mbresëlënëse për qindra të rinj dhe admirues të saj, të këngëve nga albumi i ri “Motivet tona”, një risjellje e këngëve të vjetra shqiptare të përshtatura për ritmin xhaz. Njëri prej tyre ishte edhe Kryeministri Edi Rama dhe bashkëshortja Linda.
Kryeministri Rama në fjalën e tij përshëndetëse tha se prezantimi i albumit nga këngëtarja Nishliu në këtë hapësirë ishte një privilegj.
“Sonte unë jam në rolin e kryekamerierit. Ndoshta ndonjërit prej jush i kujtohet që patëm një ide vjet për të organizuar këtu, në këtë hapësirë të re, të gjelbër dhe publike, finalen e kampionatit botëror, nuk na la shiu. Pastaj për këtë rikthim në këtë fushë u bë shkak një finaliste e kampionatit Europian, Rona Nishliu, të cilën e përshëndes dhe i uroj mirëseardhjen. U bë shkak sepse më bëri një kërkesë, që albumin e saj të ri kishte dëshirë ta prezantonte në Tiranë dhe mundësisht ta prezantonte në këtë hapësirë. Për mua ishte privilegj, për ne të gjithë është privilegj. Është momenti tani për të thënë se kjo hapësirë u çel për publikun dhe do të vazhdojë të jetë në dispozicion të publikut, në dispozicion të artistëve të tifozëve, në dispozicion të çdokujt që do të ketë një ide për ta marrë kuptohet pa qera”, u shpreh Kryeministri në përshëndetjen e tij si mikpritës i këtij eventi
Albumi i ri i Nishliut është pjesë e një projekti të mbështetur nga zyra e kryeministrit të Shqipërisë, ministrive të kulturës së Kosovës dhe Shqipërisë dhe komunës së Prishtinës si pjesë e një programi të përbashkët kulturor të të dy vendeve.