Pas Italisë, a do të ndihmojë Edi Rama edhe SHBA, në luftën kundër virusit
Nga:
Pas ndihmës mjekësore, shumë më tepër të bujshme sesa të vlefshme, për Italinë në luftën e saj kundër Covid-19, a nuk duhet pritur që Edi Rama ta bëjë të njëjtën gjë edhe për SHBA, vendin kryesor aleat të Shqipërisë?
Logjika e ndihmës për Italinë të çon domosdoshmërisht te dërgimi i ndihmës në SHBA.
Që prej disa ditësh tashmë, SHBA është vendi më i prekur nga Covid-19. Pikërisht sot SHBA e kapërceu Italinë sa i përket shifrës së të vdekurve dhe të gjitha gjasat janë që kjo shifër do të vazhdojë të rritet më tutje.
SHBA ka sot më shumë raste aktive me virus, se shtatë vendet që renditen pas saj,për të prekur dhe vdekshmëri të marrë së bashku, madje në të tre këta tregues: Italia, Spanja, Franca, Gjermania, Kina, Britania e Madhe, Irani.
Madje, zyrtarisht, SHBA është në gjendje shumë më të rëndë se Shqipëria sa i përket luftës kundër virusit. Nëse përdorim koeficientin 115, domethënë përpjestimin mes popullsisë së SHBA dhe asaj të Shqipërisë, atëherë del se nëse ne do të kishim qenë në gjendjen e SHBA, do të kishim pasur mbi dhjetë herë më shumë njerëz të prekur nga virusi. Jo 433 por 4535. Do të kishim pasur 174 të vdekur dhe jo 23 sa kemi zyrtarisht. Nuk do të kishim pasur 213 raste aktive, por 4113.
Shifrat flasin vetë pra, Amerika ka nevojë për ndihmën tonë. Sot është dita t’ ia shpërblejmë sadopak atë që ka bërë për ne. Miku dhe aleati në ditë të vështira njihet.
Edi Rama është shumë më i dëshiruar që fjalët mirënjohëse që erdhën nga Italia me rastin e ndihmës mjekësore për këtë vend, të vijnë nga SHBA. Aq më tepër që ai e merr vetë rolin kryesor të bamirësit duke krijuar skena teatrale si përcjellja e ekipit mjekësor në aeroport.
Por ka diçka që e bën të stepet dhe të mos e përsëritë këtë teatër politik me SHBA. Dikush i ka thënë, ose e ka nuhatur vetë, se amerikanëve nuk iu pëlqen që kur gjenden në një rrethanë të vështirë, dikush të luajë me ta.
Dhe sa për shifrat, Rama e di, që amerikanët e dijnë, se statistika zyrtare shqiptare për virusin është fund e krye e rreme. E dinin edhe italianët por ata heshtin për gjëra të tilla, si popull eufemik që janë. Amerikanët kur preken janë më të drejtpërdrejtë.
Mëdyshja se a duhet të dërgojë ndihmë mjekësore në SHBA, dhe kur duhet ta bëjë atë, është shqetësimi kryesor për Ramën këto ditë.