Pas lajmit për vdekjen e tij, Stallone poston VIDEO humoristike: Është bukur të kthehesh nga vdekja
Sylvester Stallone ka bërë një reagim në rrjetet sociale pas lajmit gënjeshtër për vdekjen e tij duke thënë se “është kthyer nga të vdekurit”.
Gjatë të hënës u ndezën thashethemet për vdekjen e yllit hollivudian, 18 muaj pasi ishte publikuar për herë të parë lajmi mashtrim për vdekjen e tij.
Aktori i njohur i filmave aksion e ka publikuar një video në Instagram, në të cilën shoqërohej me vajzat e tij, Sophia dhe Sistine, dhe njëkohësisht dëshmoi se është gjallë.
“Po i shikoj vajzat e mia jashtë gjatë një stuhie të lehtë breshëri… Është gjë e bukur të kthehesh nga vdekja”, ka shkruar 71-vjeçari në përshkrimin e videos.
“Ju lutem injoroni këto çmenduri… Gjallë e shëndosh dhe i lumtur e i shëndetshëm… ende duke gjuajtur me grushte!”, ka shkruar në një reagim tjetër.
Në vitin 2016 ishte publikuar një lajm fals, që pohonte se ylli i filmave aksion ishte gjetur i vdekur në shtëpinë e tij në Los Angeles. Kjo rezultoi një gënjeshtër, ndërsa Stallone është bërë sërish shënjestër e gënjeshtrave të tilla bizare.
Përkundër kësaj, spekulimet përhapen shpejt në mediat sociale dhe shumëkush ka besuar, se aktori ka ndërruar jetë, madje media të ndryshme e publikuan si lajm.
Stallone është vetëm njëri prej shumë të famshmëve, që janë bërë viktima të lajmeve të këtilla. Kësaj radhe u raportua se ai ka vdekur nga kanceri i prostatës.
Lista e yjeve për të cilët ka pasur lajme gënjeshtër se kanë vdekur, është shumë e gjatë. Disa prej tyre janë Vin Diesel, Nicolas Cage, Jaden Smith, Jim Carrey, Angelina Jolie e John Cena.