Pasojat neurologjike të Covid 19, mjeku neurolog: Është akoma herët për të dhënë përgjigje
Mjeku neurolog në QSUT, Genci Çakçiri është shprehur se Covid është një virus i ri dhe është akoma shpejt për të bërë dallimin në lidhje me pasojat që ai lë te pacientë e sëmurë me parkinson.
Çakçiri në një intervistë te Abc-ja e Mëngjesit ka theksuar se parkinsoni është një sëmundje që karakterizohet nga humbja e nuhatjes dhe nga çrregullimi i gjumit, por nuk mund të theksojmë se Covid ka një ndikim në lidhje me shfaqjen e kësaj sëmundje.
“Është e vështirë të thuhet pasi jemi akoma në fazë hipotezash. Një ndër hipotezat e shfaqjes së sëmundjes së parkinsonit është ajo e komplikacionit dhe problemit infektiv që mund të dyshohet për një infeksion të caktuar që jep efektet e saj në tru. Frika gjithmonë mbetet, por nuk duhet të jetë aq ndikuese në jetën e personave. Akoma nuk ka një shkak të caktuar, pasi deri më tani shkak për këtë sëmundje mund të jenë faktorët infektivë, mjedisorë etj.
Për të nxjerrë një rezultat të tillë ndikimi është një periudhë e shkurtër dhe jo e mjaftueshme periudha e përhapjes së Covid që ka rreth 8 muaj. Është shumë herët për të folur në lidhje me një gjë të tillë. Mund të ishte dhe një infeksion tjetër i çfarëdoshëm që mund të ndikojë”, ka thënë doktori.
Gjithashtu mjeku neurolog ka theksuar se Covid në vetvete është një sëmundje me komplikacione neorologjike, por është herët për të thënë se ai lë pasoja neorologjike te pacientët.
“Covid në vetevete jep komplikacione neorologjike siç është humbja e nuhatjes që është një prekje e nervit neurologjik si dhe shenja të tjera si dhimbja e kokës, marrja e mendve etj. Ajo që është parë më shpesh është rritja e incidencës, rritja e mpiksjes së gjakut në mushkri dhe rritje e ishemive cerebrale. Ndërkohë në vendin tonë duke qenë se rastet janë të pakta është e vështirë që probleme të tilla t’ja atribuosh koronavirusit”, ka thënë ndër të tjera ai. /abcnews.al