Pazari i Roskovecit

Nga Ilirjan Gjika

Historia moderne e Roskovecit do të nisë pas vitit 1690, kur Venediku pushtoi Vlorën dhe sanxhakbeu i saj, Kapllan Mehmet Pashë Vlora, e shpërnguli selinë e tij në Berat në brendësi të vendit (Vlora, 2003).

Rimarrja e Vlorës nga osmanët pas disa vitesh nuk e ndërroi qëndrën e sanxhakut të Vlorës. Kështu rrugës fushore të komunikimit midis qëndrës së re,Beratit, dhe skelës së Vlorës i duheshin disa stacione të reja rrugore. Kështu për nevoja të pushimit të kuajve dhe njerëzve që lëviznin në këtë itinerar mori zhvillim edhe Roskoveci, një vendbanim i vogël rural.

Dy rrugët që e lidhnin me detin (Beratin-shënimi im I.Gj) ishin njëra që kalonte nëpër Qafën e Sqepurit, në Roskovec, Fier dhe Vlorë dhe tjetra që kalonte mbi Seman, Lushnje, Kavajë e Durrës, thekson studjuesi Zija Shkodra në veprën e tij ‘’Esnafët Shqiptarë’’ (Shkodra, 1973). Këto stacione rrugore morën impuls të madh zhvillimi gjatë kohës së sundimit të sanxhakbeut të Beratit, Ahmet Kurt Pashës (1768-1789), i cili financoi punime të mëdha botore si rrugë dhe ura. Përfshirja e Roskovecit në këtë itinerar të ri e rriti rëndësinë e tij si një stacion i kësaj rruge. Më pas lindi dhe nisi të funksionojë edhe ‘’Pazari i Roskovecit’’, si qëndra ekonomike e tij.

Por deri më tani historografia nuk e ka trajtuar nëpërmjet studimeve se kur u themelua ky treg i njohur. Duke u bazuar në disa studime që e trajtojnë tangencialisht këtë çështje aludohet se ai u krijua pas rënies së pashallëqëve shqiptare në vitet 20-30 të shekullit të XIX, kohë kur në Shqipëri krijojet tregu i brendshëm dhe zgjerohet rrjeti tregtar.

Kështu pas shembjes së sistemit esnafor dhe doganor të pashallëqeve nis të zhvillohet edhe tregtia e vogël fshatare ku një formë e njohur ishin edhe tregjet javore, të ngritura pranë qëndrave të vogla, nyjeve rrugore dhe zonave të pasura agrare. Në Shqipërinë Jugore njihej midis të tjerëve edhe pazari i Roskovecit në Myzeqe, thekson në librin tjetër të tij të titulluar ‘’Qyteti Shqiptar Gjatë Rilindjes Kombëtare’’, studjuesi Zija Shkodra (Shkodra, 1984).

Ndërsa autori Hysen Emiri, në librin e tij ‘’Historia e Fierit’’ shkruan se: ‘’rritja e prodhimeve bujqësore, solli si nevojë lindjen e tregjeve lokale’’, nga të cilat ai përmend Fierin, Ballshin, Libofshën dhe Roskovecin ( Emiri, 2001).

Po kështu, në një faqe tjetër tek i njëjti libër, ai, na jep edhe një të dhënë tjetër rreth këtij tregu ku thekson se: ‘’Roskoveci pazarin e bënte ditën e enjte’’.

Të ndodhur në këto kushte mund të themi se Pazari i Roskovecit duhet ta ketë nisur aktivitetin e tij gjatë periudhë së reformave turke të Tanzimatitdiku në vitet 1839-1856. Rreth këtij fakti, Zija Shkodra, thekson se: ‘’Pas këtyre reformave me qëllim që ti jepej mundësia popullsisë së krishterë për tu marrë me shërbime fetare, e diela si ditë u zëvendësua kudo me një ditë tjetër që ndryshonte sipas krahinave (Zija Shkodra, Esnafët Shqiptarë (shek XV-XX, Tiranë 1973, f. 201).

Një gjë e tillë mund të ketë ndodhur edhe në krahinën e Roskovecit, ku për ekzistencën e komunitetit ortodoks jep të dhëna interesante Metropoliti i Beratit Anthim Aleksudhi. Këto të dhëna, prelati i lartë, i grumbulloi në vitet 1855-1887 nga inspektimet e njësive dhe komuniteteve që kishte në varësi kjo metropoli.

Sipas tij, Enorija e Roskovecit, Strumit dhe Marinëzës përbëhej nga fshatrat: Strum, Kumarak, Çiflig i Ri, Strum i Vogël, Matka, Stan Matka, Kallfan, Pobrat, Velmish, Jagodinë, Marinëz, Havaleas, Roskovec, Kuman, Suk, Drenovicë dhe Belinë, në cilën banonin 124 familje, kurse në Enorinë e Çervenit bënin pjesë fshatrat Çerven, Luar, Kurjan, Xhuxhan, Poçest, Allambrez dhe Ngjeqar me 66 familje ortodokse ( Alexoudes, 1868).

Në këto kushte duhet të ketë nisur edhe zhvillimi i këtij tregu i cili do të bëhej i njohur për të gjithë rajonin përreth. Vetë pazari u ngrit përgjatë rrugës së Kurjanit në vendin e quajtur ‘’Frashër’’ sepse aty pranë ndodhej një pyll i vogël me pemë frashëri. Dëshminë më të qartë në këtë drejtim e jep, Gustav Vaigand, i cili e vizitoi Roskovecin në vitin 1889. Midis të tjerave, gjuhëtari gjerman shkruan se: ‘’… afër drekës ishim në fshatin Roskovec, që i thonë dhe Frashër. Kishte shumë bujtës, pasi këtu bënin pushim udhëtarët që shkonin në Vlorë dhe Berat…’’ ( Vaigant, 1894).

‘’Këtu tregtoheshin mallra të karakterit bujqësor, artizanal dhe industrial. Në këtë treg vinin tregtarë dhe blerës jo vetëm nga rajoni përreth, por edhe nga gjithë vendi. Një e veçantë e “Pazarit të Roskovecit” ishte se aty gjeje edhe prodhime prej ari, argjendi dhe gurësh të çmuar si dhe ushtronin aktivitetin e tyre edhe tregtarë dhe grosistë nga më të njohurit e kohës’’, shkruan gazetari Thoma Goga në shkrimin e tij publicistik: ‘’Roskoveci qyteti stacion’’ (Goga, 2016).

Dhe nga një vendbanim rural, Roskoveci, do të shdërrohet gradualisht në një qytezë tregtare. Aty ishte ngritur një han, disa punishte zanaçinjsh që i shërbenin karvaneve, disa njësi shitjeje, etj. Hanet ishin stacione pushimi për udhëtarët dhe tregtarët të cilat ishin ngritur përgjatë rrugëve kryesore. Për hanin e Roskovecit na dëshmon edhe arkeologu austriak Kamilo Prashniker, ku në librin e tij ‘’Myzeqeja dhe Mallakastra’’ shkruan se: ‘’Tek hani i Roskovecit arrijmë numrin e miljeve të stacionit Stephanaphana’’.

Por rëndësi të madhe kësaj qëndre tregtare i dha gjatë dekadave të para të shekullit XX edhe të qënit ‘’stacion’’ i rrugës Tiranë-Durrës-Vlorë. Rreth këtyre zhvillimeve, ing. Jovan Adami, studjues i rrugëve dhe objekteve arkeologjike në librin: ‘’Rrugë dhe objekte arkeologjike në Shqipëri, thekson se ‘’Meqë nuk ishte çelur rruga Lushnje-Brostar (Mbrostar-shënimi ynë), për të shkuar në Vlorë duhej ndjekur rruga e Berati deri në Tapi, ku ndahej një rrugë e cila nëpër Qafën e Sqepurit e Roskovec dilte në Fier (Adami, 1983).

Ndërkohë që në vitet 1926-1937 me ndërtimin e segmenteve rrugore Lushnje-Mbrostar, dhe ndërtimin e urave mbi lumenjtë Seman dhe Vjosë, rruga nga Tirana në Vlorë tashmë nisi të kalonte nga Fieri (Po aty, f. 82). Gjithsesi kjo nuk e zbeu rëndësinë e Roskovecit sepse përgjatë tij nisi të kalojnë trafiqe të rëndësishme të pajisjeve industrial dhe njerëzve, përgjatë segmentit Vlorë-Kuçovë.

Zbulimi i rezervave të naftës nga AIPA italiane në Kuçovë dhe vënia në shfrytëzim e saj bëri që transporti i arit të zi nga viti 1929, kur u vu në shfrytëzim pusi i parë e deri në vitin 1935, kur u ndërtua tubacioni magjistral, të bëhej me autobote të cilët kalonin nga Roskoveci. Në këtë kohë në Roskovec do të ndërtohet edhe objekti i parë industrial. I tillë isht tubacioni i naftës dhe stacioni i pompimit të tij në Strum, si pjesë e magjistralit që lidhte vendburimin e Kuçovës me depozitat e portit të Vlorës, nga ku nafta transportohej me anije drejt Italisë. Ai u ndërtua në vitet 1934-1935 nga AIPA me gjatësi 74 km dhe kalonte në Strum, Roskovec, për të vijuar më tej drejt Fierit. Një gjë e tillë ja shtoi rëndësinë ekonomike Roskovecit dhe pazarit të tij sepse nga përfshirja e një pjese të madhe të komunitetit vendor si punonjës në këtë industri, u rrit edhe fuqia blerëse. Nga regjistrat e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Beratit për vitin 1943, në pazarin e Roskovecit ushtronin aktivitetin e tyre 16 tregtarë të ndryshëm, që administronin tre kafe-pijetore, nje han, një berberanë, dy furra buke dhe dy makina për bluarjen e miellit, (Fishta-Kareco, Tiranë 1996).

Të ardhurat e mëdha që sillte Pazari i Roskovecit dhe tendenca për ta zhvendosur atë në Luarin fqinjë, kishin sjellë në të kaluarën edhe konflikte të armatosura. Në faqen 242 të librit të tij, ‘’Historia e Fierit’’, Hysen Emiri, na tregon për një ngjarje që u shoqërua me disa vrasje midis dy familjeve të njohura të kësaj zone për kontrollin e tij.

Ndërkohë që të dhëna interesante për pazarin e Roskovecit na sjell edhe të tjera burime. Kështu, Fjalori Enciklopedik Shqiptar, botim i vitit 1985 në faqen e tij nr. 928, në zërin Roskoveci, njihemi me Roskovecin si qytet në rrethin e Fierit rrëzë kodrave të Kurjanit në dy anët e rrugës Fier-Berat. Po kështu aty theksohet se fshati i Roskovecit rreth viteve 30 të shekullit të XIX mori rëndësi duke qënë në mes të një krahine bujqësore dhe u bë qëndër administrative dhe ushtarake. Dikur njihej me emrin Tregu i Frashërit meqë bëhëj treg i madh bujqësor në një vend me drurë të mëdhenj që u dëmtuan në vitin 1925.

Por cilat ishin artikujt që shiteshin në pazarin e Roskovecit? Nga të dhënat historike theksohet se një nga artikujt e tij ishte edhe rrushi. Një fakt i tilë është mëse i vërtetë pasi kultivimi i vreshtarisë në këtë zonë dokumentohet që nga viti 1431. Sipas regjistrit kadastral osman të Sanxhakut të Vlorës, vreshtat dhe pjergullat ndeshet në fshatrat fqinjë me Roskovecin, si në Kurjan, Siqecë dhe Strum.

Po kështu, tregtoheshin edhe prodhimet e tjera vendase si: ulliri, vaji i tij, drithërat e bukës, bagëtitë, prodhimet e artizanatit vendas si rrogoza, samarë, kosha, ndësa nga zonat e tjera vinin kripa, prodhimet e qeramikës, veglat e punës, manifakturat, mallrat koloniale, si kafeja dhe sheqeri, prodhimet industriale, etj. Reth këtij problemi, Thoma Goga, shkruan se: ‘’ Këtu tregtoheshin mallra të karakterit bujqësor, artizanal dhe industrial. Në këtë treg vinin tregtarë dhe blerës jo vetëm nga rajoni përreth, por edhe nga gjithë vendi. Një e veçantë e “Pazarit të Roskovecit” ishte se aty gjeje edhe prodhime prej ari, argjendi dhe gurësh të çmuar si dhe ushtronin aktivitetin e tyre edhe tregtarë dhe grosistë nga më të njohurit e kohës’’ (Goga, 2016).

Zhvillimet e pazarit bënë të mundur edhe rritjen e rëndësisë së Roskovecit. Kështu, në vitin 1923 krijohet “Komuna “Tregu i Frasherit” që ishte në përbërje të Rrethit Qendër të Prefekturës Berat. Në atë kohë popullsia e kësaj krahine arriti shifrat në 9413 banorë që jetonin në jo pak por 32 fshatra. Ndërkohë që në vitin 1928 me riorganizimin e ri administrative, kjo komunë, numëronte 7632 banorë dhe përmblidhte 25 fshatra si: Arapaj, Cukalat, Çiflik- Strum, Çomlekaj, Donofrosa, Drenovica, Ngjeqari, Hallambrezi, Jagodina, Kumani, Kumaraka, Kurjani, Luari, Marinza, Matka, Pobrati, Rërëza, Roskoveci, Sllanica, Stamatica, Strumi, Suku, Velmishi, Vidhishta dhe Ngraçie.

Me këtë organizim Roskoveci do të vijë deri në vitet e çlirimit. Kështu në vitin 1956, Roskoveci, u shdërrua në lokalitetit në përbërje të rrethit të Fierit duke prishur lidhjet dhe komunikimin tradicionalme Beratin.

‘’Ky shndërrim dhe kalimi nga rrethi i Beratit në atë të Fierit veç të tjerash u bë për të shkatërruar edhe atë që ishte epiqendra e jetës ekonomike të krahinës, “Pazarit të Madh të Roskovecit”, shkruan rreth kësaj teme publicisti Thoma Goga (Goga, 2016).

Po në këto vite me masat e ndërmarra nga regjimi dhe organizimin e ri ekonomik patën ndikimin e tyre në ecurinë e pazarit. Si treg përgjithësisht i prodhimeve bujqësore dhe blegtorale ai u godit nga kolektivizimi i bujqësisë. Ngritja e Fermës së Roskovecit dhe kooperativave bujqësore fqinjë, bëri që të kufizoheshin sasitë e prodhimeve që tregtoheshin aty. Po kështu ngritja e sektorit shtetëror të tregtisë dhe shërbimeve e prishi strukturën e tij. Eleminimi i çdo forme të pronës dhe ekonomisë private me kushtetutën e vitit 1976 ishte kufizimi i fundit edhe për pazarin e njohur. Goditja fatale ishte me masat drastike të vitit 1981, sic ishin ato për kolektivizimin e bagëtive dhe eleminimin e oborrit kooperativist. Kjo solli edhe mbylljen e pazarit të Roskovecit që vijoi për mëse një dekadë.

Ndërkohë që në vitin 1991 me rënien e sistemit socialist tradita rilindi përsëri. Tashmë të çliruar nga kufizimet do të ishte përsëri inisiativa popullore që do të riniste përsëri aktivitetet tregtare të pazarit të Roskovecit.

‘’Hapja dhe inisiativa e tregut të lire për shqiptarët në fillimet e demokracisë, s’kishte se si të mos rihapte një faqe të re edhe për pazarin e vjetèr 300 vjeçar’’, shkruan rreth rilindjes së tij, Flamur Çepele. Më pas në shkrimin e tij të titulluar: ‘’Pazari i Roskovecit, publicisti i njohur që jeton dhe punon këtu, thekson se tashmë në këto 26 vite të rihapjes së tij, ai organizohet të dielave në të dy akset kryesore të qytetit. Gjatë orëvë të funksionimit, këtu ushtrojnë aktivitetin e tyre shitës të artikujve industrialë, çertexhinjtë, shitësit e fruta- perimeve, farishteve, fasules, tërshërës, produkteve të stinès, etj. Interesante është edhe ‘’gjeografia’’ e tyre pasi këta shitës vijnë këtu nga zonat e Vlorës, Skraparit, Lushnjes, Fierit, Kuçovës e deri Dumresë (Çepele, 2017).

Por historia e këtij tregu të njohur nuk ndalet këtu. Natyrisht për të do të shkruhet përsëri, sidomos tani që, Bashkia e Roskovecit, me projektet e saj synon ta rivitalizojë atë. Gjithsesi le të presim zhvillimet e reja jo vetëm të tij por edhe të studimeve historike për ta shkruar sa më të plotë profilin e tij.

SHKARKO APP