“Pazari online” tashmë më thjeshtë në gjithë BE-në nga 3 dhjetori

Duke nisur që nga data 3 dhjetor, ‘pazari online’ në të gjithë Bashkimin Europian do të funksionojë më thjeshtë falë rregullave të reja. Konsumatorët tashmë do të kenë qasje më të lehtë ndërkufitare për produktet, rezervimet e hoteleve, makinave, apo për biletat e venetëve, festivaleve, bazuar në legjislacionin e ri që ndalon gjeo-bllokimin e pajustifikuar.

Ky i fundit miratua nga Parlamenti Europian në shkurt të këtij viti dhe do të nisë zbatimin ditën e hënë. Tashmë, shitësit do të duhet të trajtojnë blerësit nga një vend tjetër i BE-së njëlloj si konsumatorët lokalë.

Róża Thun, e cila drejtoi legjislacionin përmes Parlamentit, tha se ky është një tjetër hap përpara në krijimin e një tregu të vërtetë të përbashkët ku të gjithë konsumatorët trajtohen njëlloj.

“Europa ka nevojë për zgjidhje konkrete për të gjithë qytetarët e saj. Ne kemi nevojë për një treg të vetëm europian pa kufij dhe pa barriera. Parlamenti Europian ka negociuar shumë me shtetet anëtare për këtë marrëveshje që të aplikohet që nga fillimi i dhjetorit, në mënyrë që europianët të përfitojnë më shumë me pazaret e tyre të Krishtlindjeve”, deklaroi Thun, ndërsa shtoi se kjo do t’i shërbejë miliona qytetarëve.

63% e faqeve të internetit nuk i lejonin blerësit të blejnë nga një vend tjetër ri BE-së, sipas gjetjeve të fundit të një studimi të kryer nga Komisioni Europian. Për mallrat e prekshme, gjeo-bllokimi ishte më i lartë për pajisjet shtëpiake (86%), si dhe për shërbimet, rezervimet online për pushime si dhe biletat për evente, ndeshje sportive.

SHKARKO APP