Pendarovski: Ideja e rrezikshme e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës e Serbisë ende e gjallë
Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski deklaroi se ideja për shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë nuk ka “vdekur” ende.
Pendarovski ka thënë në RTSH se kjo ide vazhdon të diskutohet nga politikanë e ekspertë të rajonit.
“Jo, ende jo (nuk ka vdekur ideja e shkëmbimit të territoreve). Ju e dini që kjo ide erdhi publikisht nga nivelet më të larta të mundshme politike, erdhi nga ish-këshilltari për Sigurinë kombëtare i presidentit amerikan, z. John Bolton. Ai tashmë nuk është pjesë e administratës për arsye krejt të tjera, por aty-këtu dëgjoj njerëz nga rajoni, politikanë, ekspertë, që ende rreken me këtë ide”, -tha Pendarovski, ndërsa ka theksuar se “kjo është ide e rrezikshme”.
Ai ka thënë se mënyra për t’i bindur bashkëbiseduesit, gjegjësisht Kosovën dhe Serbinë, se kjo është një ide e rrezikshme, është se shpërndarja etnike e popullsisë në rajon nuk guxon të ndodhë pasi që ajo sjell efektin domino.
“Së pari, nuk mund të ndjekësh shpërndarjen etnike të popullsisë në rajon. Nëse ti e nis diku, për shembull në Kosovë dhe do të vijosh pastaj me zona të tjera, çdokush e di që në Ballkanin Perëndimor dhe në Evropë në vetvete, ne jemi heterogjenë në pikëpamjen etnike dhe fetare. Prandaj, teza ime kryesore është se do të doja të shihja që problemi i Kosovës, problemi ndërkombëtar i Kosovës, të zgjidhet. Pse?! Sepse të dyja këto vende janë fqinjët tanë të drejtpërdrejtë. Ne kemi vendosur marrëdhënie diplomatike me Kosovën. E njëjta gjë me Serbinë. Është jashtëzakonisht e rëndësishme për ne që të kemi marrëdhënie dypalëshe shumë të mira me të dyja vendet, dhe për ata që të kenë marrëdhënie shumë të mira dypalëshe me njëri-tjetrin. Por nuk është gjë e mirë që të mbyllësh një problem, problemin e Kosovës dhe të hapësh 2 apo 3 probleme të tjera në rajon. Ju e dini, sikundër dhe unë, që rreth 30 vjetët që kanë kaluar na kanë treguar se pa një përfshirje serioze të SHBA-së nuk është e mundur që BE-ja e vetme t’i zgjidhë krizat dhe problemet e kësaj natyre. Ne patëm një krizë tonën në vitin 2001, patëm konflikt në territorin tonë dhe pas kësaj nënshkruam marrëveshjen kornizë të Ohrit dhe atëherë ndërmjetësuesi i BE-së punonte ngushtësisht me ndërmjetësin amerikan. Unë nuk mendoj që pa një përfshirje aktive nga Uashingtoni, do të shohim një zgjidhje të qëndrueshme të këtij procesi”,- deklaroi presidenti maqedonas, Pendarovski.