“Për 48 orë vdiqën 20 fëmijë”, rrëfimi se çfarë ndodhte në kampin e Tepelenës

Klara Merlika ka rrëfyer 45 vitet e saj të internimit. 84-vjeçarja ka treguar në emisionin ‘Studio e Hapur’ se ka qenë 10 vjeç kur e kanë internuar dhe kanë qëndruar 13 veta me një batanije dhe një tas.

“Sot jam 84 vjeç dhe atëherë isha 10 vjeç. Ai nuk ka qenë internim, ka qenë kohë lufte. I morën me gra, me fëmijë, me njerëz të pafajshëm. Më merr vetëm me rrobat e trupit dhe më çon në një vend tjetër dhe kjo është e tmerrshme. Kemi qenë vetëm 13 veta të cilët kishim vetëm një batanije dhe një tas dhe bukë misri dhe kemi ngjyer me kafshata misri se nuk kishim lugë”, rrëfeu Merlika.

Ajo tregoi edhe se si brenda 48 orëve vdiqën 20 e ca fëmijë në kampin e Tepelenës të cilin e konsideron si kampi i shfarosjes.

“Për të tjerët nuk e di, por unë kam dëshmitarë shokët e mi. Të më dalin përballë e të më thonë që kam gënjyer për kampin e internimit. Kampi i Tepelenës ishte kamp shfarosje. Brenda 48 orëve kanë vdekur 20 e ca fëmijë. Ishte një grua nënë e 12 kalamajve dhe kishte dy binjakë. Brenda 24 orëve i vdiqën”, tregoi Klara Merlika.

SHKARKO APP