“Për atë që dua (m)”, botohet libri i Ajton Zhitit ditën që do bënte 20 vjeç

Sapo ka dalë në qarkullim libri i Atjonit Zhitit, i ndarë nga jeta në një moshë tepër të re me titull, “PËR ATË QË DUA(M)”.

Libri botohet nga “EUETPRESS” dhe do të përurohet në mjediset e Universitetit Europian të Tiranës të dielën në 30 gusht, ditën kur Atjoni do të mbushte 20 vjeç.

Ështe interesant fakti se revista e PEN Clubit Italian, ku Atjon Zhiti ishte antari më i ri, kur studionte për filozofi në Milano, në numrin e saj të fundit në faqen e librave të reja të autorëve të njohur që bëjnë pjesë në këtë organizatë të madhe,  ka njoftuar dhe botimin shqiptar të Atjon Zhitit.

Presidenti i PEN-it italian, poeti Sebastiano Grasso dëshmon se e adhuronte djaloshin nga Shqipëria për çiltërsinë dhe inteligjencën, për interesat e tij të shumta dhe kurajon qytetare për të vepruar. Sebastiano Grasso tha se “Atjoni është djali që çdo prind do të donte ta kishte të vetin”.

Po kështu një nga poetët më të mëdhenj në botë sot, Adonis, kandidat i hershëm për çmimin “Nobel” dhe fitues i shumë çmimeve prestigjioze nëpër botë, dje i çmimit gjerman “Erih Maria Remark”, që jeton qysh prej 30 vjetësh në Paris, i mërguar nga Siria, të cilin Atjoni e ka takuar në Milano, e përshendet promovimin e librit të tij në Tiranë dhe dërgon këtë mesazh:

“E kam njohur Atjonin në shtëpinë e mikut poet Sebastiano Grasso dhe Atjoni kishte aftësinë ta iluminonte poezinë, nga që ai vetë është një poemë, pothuajse magjike.”

*  *  *

“Për atë që dua(a)m”

Është libri që shpalos në mënyrën më origjinale ide dhe mendime dhe një realitetet të parë nga sytë plot dritë të një 19 vjeçar gjithë freski dhe ëndërr dhe përkushtim të bukur.

Janë 229 faqe me ese dhe statuse në fb, recensa, poezi e përkthime, etj, një pjesë të botuara nëpër gazeta të ndryshme në Shqipëri e Kosovë e në shtypin e diasporës deri matanë oqeanit në SHBA, në “Dielli dhe “Illyria”, por ka dhe shkrime që dalin për herë të parë, të gjitha të ruajtura nga e ëma e Atjonit, Eda, ndëkaq libri shoqërohet me një parathënie të gjerë nga i ati i Atjonit, Visari, por dhe me një album fotografim, një si udhëtim me imazhe dhe me një kapitull të fundit me thënie për Atjonin, së pari nga shoqet dhe shokët e tij, studentë  e qytetarë, të njohur e të panjohur, profesorë e kritikë arti, artistë, shkrimtarë të shquar, etj, etj, jo vetëm nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia, por nga vende të tjera, nga fqinjët ballkanikë, Greqi e Mal i Zi e Serbi, më së shumti nga Italia, ku Atjoni vazhdonte studimet për filozofi në Universitetin “Sacro Cuore” në Milano, nga Franca e Gjermania, Spanja, vendet nordike, SHBA-ja, etj, që i bashkon të gjithë dhimbja dhe dashuria, këtë radhë të përndezuar nga Atjoni ynë…

Libri, i redaktuar kujdesshëm nga gazetarët e njohur Alfred Lela dhe Valbona Nathanaili, lexohet me ëndje, ka shqetësimet e Atjonit, mënçurinë studentore, ëndrrën për një të ardhme më të mirë, duke e pritur nga vetja, nga askush tjetër, madje me porosinë që jo të presësh, por të veprosh, gjithsecili me përkushtimin e tij, me aftësitë e veta, me mirësinë e bashkarisht, me përvojën kolektive dhe vegimet, sa kombëtare, po aq dhe europiane, për një Shqipëri normale, të bukur sa dhe ata që e duan, lashtësia e së cilës është rrënjë e sigurtë e së ardhmes…

Nga këtej duket i frymëzuar autori, që tani na frymëzon ne me librin e tij të parë. Libri i ngjan një bisede me Atjonin tonë, ka zërin e Tij, ka pasionin e Tij, ka rrugën e tij dhe dritën e Tij si një brerore qiellore…

Ka arkitekturën e duhur estetike, të tërheqe nga njëri kapitull në tjetrin, për sinqeritetin mahnitës, nga intimitetet fëminore deri në angazhimet sociale të një të riu, të tërheq po kaq për lëndën dhe frazën tekstuale, për kulturën që përçon dhe mesazhet e hapura e me rendësi. “Është testamenti i Atjonit për Shqipërinë, Ungjilli për të rinjtë, fari ndriçues i brezit të tij”, – thotë studiuesi dhe eseisti Eugjen Merlika.

Rrugën e Atjonit e ndërpreu qysh në nisje fati i zi. Ai u nda nga jeta 8 muaj më parë nga shkaku i një aksidenti rrugor. Motori, që e ngiste një moshatari i tij me shpejtësi te çmendur, u përplas tragjikisht me blloqet e betonit që bënin ndarjen e autostradës, në kohën kur ajo riparohej. Dhe ende drejtësia nuk e ka thënë fjalën e saj, nuk ka nxjerrë pergjegjësitë e duhura, teksa shkaktari i tragjedisë i shmanget përballjes, me justifikimin se “nuk mban mend asgjë”, kur ai tashmë ka hyrë në normalitet dhe e ka detyrë, të paktën njerëzore, jo vetëm ligjore, të rrëfejë nga e vërteta fatale. Të harrosh nuk do të thotë se e ke zhbërë atë që ka ndodhur, na i lë të nënkuptuar dhe parathënia e librit, ku kërkohet dhe ndërgjegje e lartë shoqërore.

Por realiteti ynë ngjan shpesh anormal, mizor, i prekur me dhëmbje dhe në esetë e veprës së Atjon Zhitit “Për atë që dua(m)…”, që ngajnë sikur gishtat dridhës prekin plagë me gjakimin e shërimit të tyre sa më parë e sa më mirë.

Libri i Atjon Zhitit na trondit jo vetëm për atë që është, për aq sa arriti të thoshte autori, por dhe sepse na jep boshin humneror të asaj që ai do të mund të ngrinte, vegimin e asaj që do të donte të shkrunate e të bënte ky autor i ri e i talentuar, i ndëprerë tragjikisht, kur sapo nisi.

Libri është dhuratë e Atjonit që na bën ne me rastin e 20 vjetorit të datëlindjes së tij.

Buzëqeshja e tij, thotë në libër njëri nga shokët e Atjonit, ishte mjeti me të cilin donte të ndryshonte botën.

SHKARKO APP