Për çfarë janë gjobitur bizneset? – Nga mosdhënia e pushimeve vjetore, tek “fshehja” e punonjësve
Legjislacioni i punës liston një sërë shkeljesh nga ana e bizneseve, të cilët i ekspozon ata ndaj gjobave që vendosen nga institucioni përgjegjës për kontrollin e tyre. Kështu Inspektorati Shtetëror i Punës ka penalizuar një sërë subjektesh, ku një pjesë e mirë e tyre janë ankuar për gjobat e vendosura. Por cilat janë shkeljet për të cilat janë penalizuar dhe ankimuar bizneset?
Në vendimet e ankimimit, ku gjobat variojnë nga 50 mijë lekë deri 260 mijë lekë, pasqyrohet se shkeljet lidhen me detyrimin e punëdhënësit për të respektuar kohëzgjatjen e pushimeve vjetore prej 4 javëve kalendarike për punëmarrësit, si dhe dhënien dhe pagesën e tyre në rastet e punonjësve të punësuar rishtazi apo të larguar nga puna. Një tjetër shkelje është detyrimi i punëdhënësit për të patur dokumentat e punës, për të pajisur ambientin me mjetet kundra zjarrit dhe për të patur në subjekt kutinë e ndihmës së shpejtë.
Po ashtu, janë gjobitur subjekte që që nuk kanë përmbushur detyrimin për të mbuluar me shërbim mjekësor të gjithë punëmarrësit e tij, apo detyrimin për të njoftuar Inspektoratin brenda 24 orëve për aksidentet në punë. Punëdhënësit janë kapur gjithashtu në shkelje të detyrimit për të vënë në dispozicion të punëmarrësve një udhëzim të hollësishëm në zbatim të Dokumentit të Vlerësimit të Riskut, për të mbajtur një regjistër të aksidenteve në punë, për të riparuar dhe mirëmbajtur pajisjet e punës, si dhe për të deklaruar në organet tatimore personat e punësuar rishtas.
Ndër subjektet e gjobitura janë dhe ato që nuk kanë masat për sigurinë dhe shëndetin në zbatim të detyrave të lëna në masën urgjente për të parandaluar aksidentet në punë. Ndërsa gjoba më e lartë është vendosur në rastet kur punëdhënësit nuk kanë paguar kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për punonjësit brenda afateve ligjore. /scan