Për dy ditë arrin në Tropojë

Nga  Prof.Dr Foto Toti – Kur njeriu arrin në një moshë të thyer,kthen kokën pas dhe kujton të kaluarën e tij.Kujton fshatin ose qytetin e origjinës,kujton prindërit,fëmijërinë,mësuesit,punën që ka kryer,vendet ku ka punuar e jetuar dhe mbresat që na kanë lënë. Si çdo njeri,edhe unë,duke bërë këtë bilanc, jo rrallë kujtoj dhe Tropojën,vendin ku për herë të parë fillova punën si mjek stomatolog dhe punova për afërsisht 5 vjet.

Emërimi

Pasi përfundova studimet e larta në Gjermani dhe Tiranë, më emëruan mjek në Tropojë.    Emërimin në Tropojë nuk e prita mirë,por,duke pasur parasysh rrethanat e ligjet e kohës, shkova.Babai im duke më parë ashtu të mërzitur më tha:

– Mos u mërzit bir, brenda vendit je,nuk po shkon në kurbet,sillu dhe puno mirë atje ku do shkosh se ky popull të bëri doktor.

Udhëtimi

Në fillim të korrikut të vitit 1963 u nisa nga Tirana për në Shkodër.Në atë kohë rruga për Tropojë zgjaste dy ditë. Rruga për Shkodër zgjati 5-6 orë, duke përfshirë dhe një ndalesë të shkurtër në Milot. Pasi pimë një kafe të shkurtër te Maria, vazhduam rrugën përsëri.Atë natë fjeta, nëse fjeta vërtet, në hotel “Parruca”.Të nesërmen,herët në mëngjes u nisa për Tropojë.

Autobusi që ishte një kamion i mbuluar me teneqe dhe me stola dërrase,i mbushur me pasagjerë u nis për rrugë.Asnjë i njohur në autobus.Udhëtarët bisedonin me njëri-tjetrin me zë të lartë dhe me nje dialekt të theksuar verior që unë nuk e kuptoja plotësisht.

Rruga ishte e gjatë dhe e vështirë. Ajo zgjati rreth 13 orë, duke kaluar nëpër vende që unë jo vetëm që nuk i njihja,por dhe nuk i kisha dëgjuar. Në mbrëmje, rreth orës 20 “autobusi”  arriti në qytetin e Bajram Curri. Aty më priste Ali Mula. Aliu,në atë kohë, veç funksioneve të tjera shoqërore e artistike,kryente dhe punën e dentistit, laborantit dhe infermierit, pra gjithçka që i përkiste shërbimit stomatologjik në të gjithë rrethin e Tropojës.Pasi u përshëndetëm e u prezantuam, Aliu më pyeti nëse isha lodhur nga rruga e gjatë, dhe nëse isha mërzitur që isha emëruar në Tropojë.

-Jo!-i thashë .

-Mos u mërzit,-më tha-se do ta kesh pak të vështirë vetëm 4-5 vitet e para,pastaj do të mësohesh. Unë u revoltova nga kjo shaka pa kripë e Aliut,por nuk fola.

Me Aliun shkuam së bashku në hotelin e vetëm të qytetit. Hotelxhiu,një burrë i imët,i shkurtër dhe i rrudhur fliste një gegërishte të sforcuar. Dukej që ai nuk ishte vendas,por kishte vite që jetonte aty. Ai, siç e mësova më vonë quhej Trifon,ishte nga Përmeti dhe ishte transferuar aty për “biografi të keqe”.

-Do të rrish ditë? – më pyeti hotelxhiu.

-Po,- i thashë.

-Po të caktoj në dhomën e rezervuar, por me kusht që, po tëvijë ndonjë “i madh” do të kalosh përkohësisht në ndonjë dhomë tjetër. Dhoma ku fjeta ishte me një krevat, e pastër dhe e kompletuar.

Përshtatja

Të nesërmen në mëngjes u takova me Aliun në kafe dhe së bashku shkuam në klinikë. Klinika përbëhej nga dy ambiente, njëra shërbente si ambulancë dhe tjetra si laborator. Të thuash që klinika ishte në gjendje të keqe është pak. Dyshemeja me dërrasa të kalbura, dritare të vogla e të papastruara, me një derë të shqyer, pas së cilës ishin ngulur disa gozhda të mëdha ku vareshin përparëset e personelit dhe xhaketat e pacientëve, mure të rrënuara dhe të palyera që kur ishin ndërtuar. Çdo gjë m’u duk e zymtë dhe e errët. E ndjeva veten shumë keq nga kjo pamje. Pyeta Aliun se ku ishte DSHSH (Drejtoria e Shërbimit Shëndetësor).

– Ajo përballë derës,–m’u përgjigj Aliu.

Unë trokita dhe hyra brenda dhe përshëndeta drejtoreshën e DSHSH-së, një grua rreth të dyzetave që fliste një gegërishte të spikatur.

–Jam dentisti që jam emëruar këtu, – i thashë.

–  Gëzohem! – më tha dhe më uroi suksese e punë të mbarë.

–  Falemnderit, –ia ktheva, – por nuk mund të filloj nga puna në këto kushte…

–Hej! – më tha.–Thirri mendjes mor çun, ti ta kesh për nder që do të punosh këtu me këtë popull heroik dhe në qytetin e Bajram Currit!

–  E kam për nder,–i thashë, –  por dhe për turp nëse do t’i shërbeja këtij populli në këto kushte të tilla si e keni lënë ju klinikën.

–  Mor çun! – më tha,– po ça kujton ti, se këtu je në Gjermani?!

–  Partia na mëson që vendin tonë ta bëjmë edhe më të mirë se Gjermania ! – ia preva unë.

–Shtëpinë tënde bëje si të duash, por jo institucionet shëndetësore.

Ajo u revoltua shumë, i ra tavolinës dhe u çua, njëkohësisht u çova dhe unë.

–Kur ta rregullosh klinikën, – i thashë, – më thirr të filloj punën, mua më ke te kafja.

Dhe dola jashtë duke përplasur derën.

Përjashta pashë disa njerëz që kishin qëndruar dhe dëgjuar debatin me zë të lartë me drejtoreshën. U nisa dhe shkova te kafja që në atë orë ishte vetëm kafexhiu, që, siç e mësova më vonë, quhej Haki Daja. Hakiu ishte një burrë i moshuar m’u afrua dhe, pasi mori porosinë për kafen, më pyeti nëse dëshiroja ndonjë fërnet apo konjak. I thashë se nuk konsumoj asnjë pije alkolike. Në lulishte ishte Hakiu, shtatorja e bacë Bajramit, bliri shekullor dhe unë. Secili prej nesh mendonte e bënte llogaritë e jetës së vet. Hakiu tymoste një duhan të fortë dhe këndonte me zë të ulët një këngë që unë nuk ia kuptoja fjalët. Bliri shekullor lëkundte lehtë degët dhe gjethet, duke i dhënë mjedisit përreth një freski të këndshme në ato ditë të nxehta vere, ndërsa lulet e tij lëshonin një aromë dehëse…

Shtatorja e Bacë Bajramit, ashtu hijerëndë, qëndronte aty krenar, kujtonte bëmat dhe luftërat e tij legjendare që kishte bërë për atë popull, si dhe për të gjithë Atdheun. Ai kujtonte vrasjen e pabesë që i bëri tradhtari i kombit tonë, mbreti Zog, te shpella e Dragobisë. Ai u vra, por nuk vdiq. Noli e bëri atë të pavdekshëm me elegjinë e famshme kushtuar “Heroit të Dragobisë”. Ai mbeti dhe do të rrojë i gjallë në zemrat e shqiptarëve si “Bajrak i gjallë”. Po unë?! Po puna ime si do të shkonte? Ç’kujtime dhe gjurmë do të le unë këtu?! Jetën e fillova këtu me sherr e përplasje!

Në qytet kishte rënë në sy prania ime. Një mjek i ri, veshur me kostum dhe kollare rri tërë ditën te kafja dhe nuk fillon punën! Sigurisht unë e ndieja furtunën, por nuk e jepja veten. Asnjë nuk më përshëndeste, madje qarkullonin fjalë sikur unë do të arratisesha. Këtë ma tha bashkëfshatari im, Llukan Stavri, oficer kufiri në Tropojë. Kështu vazhdoi për tri ditë kjo gjendje ankthi e suspance. Hotel, restorant, shkoja në klinikë dhe kur nuk shikoja asnjë ndryshim kthehesha prapë te kafja e Hakiut.

Në ditën e tretë, pasi kisha kryer ritualin e zakonshëm dhe isha ulur si zakonisht m’u afrua një polic i gjatë dhe i hollë dhe më pyeti:

–  Ti je doktori?

–  Po!­–i thashë.

–  Po të pret sekretari. – më tha.

–Cili sekretar?!– u habita unë.

–Sekretari i parë, – më tha dhe u nisëm të dy, polici para dhe unë nga pas. Duke ecur shumë gjëra më shkuan nëpër mend… deri dhe burgu.

Sekretari i parë, Izet Dyrmishi, ishte një burrë simpatik me flokët kaçurrelë, faqe të kuqe dhe me sy zhbirilues. Dhoma e sekretarit ishte e madhe, e ndriçuar dhe e mobiluar më së miri. Unë prisja me ankth se përse më kishte thirrur. Ai më tha:

–Doktor, po qe se je i lirë e ke kohë, dëshiroj të pimë një kafe bashkë.

Unë mbeta i surprizuar se si sekretari i parë i Partisë kishte mbetur keq të pinte një kafe me mua.

– Falemnderit! – i thashë,­–i zënë nuk jam dhe kohë kam plot.

Rrugës ai më vuri në krah të djathtë të tij dhe përmes bulevardit, pa folur, u drejtuam te kafja, por jo te Hakiu, po te klubi i oficerëve. Klubi, edhe pse ishte orar pune, ishte plot me oficerë e nëpunës, të cilët u larguan një e nga një, pa zhurmë, kur hyri sekretari.

Në kafe ai nuk më tha gjë, por më pyeti nga isha, ku kisha studiuar, nëse isha ose jo i martuar etj. Pastaj më tha:

–  Kur të duash mund të shkojmë…

–  Mirë. –  i thashë unë

–  Ku do të vesh? – më pyeti.

–  Te lulishtja, te Hakiu. – iu përgjigja. Ai qeshi dhe më tha me zë të ulët e të butë:

– Lufto e rezisto, ndryshe do përfundosh si shumë intelektualë që janë katandisur keq këtu…

Kështu sekretari i parë iku dhe unë shkova te Hakiu, te lulishtja, te“Baca”… Hakiu, pa e porositur, solli dy kafe, një për vete një për mua.

–  E piva. – i thashë.

–  S’ka gjë,– më tha, –këtë e ke nga mue! Si u ndave me Ukun e madh?

–  Shumë mirë, s’kam gjë për të ndarë, as me të e as me kërkënd tjetër këtu. – i thashë.

– Të uroj more çun,– vazhdoi Hakiu – të ndahesh nga ky vend  si qimja prej tlynit.

Hakiu ishte nga Gjakova dhe disa thonin se ishte spiun, sidoqoftë të gjithë kosovarët në atë kohë shiheshin me dyshim. Te Hakiu rrija dhe mendoja se si do të rridhnin punët. Më dukej vetja herë si Shvejku  “Te gota”, herë si Don Kishoti, herë si hero, por asnjëherë te këta nuk e gjeja veten plotësisht. Pas pak më afrohet një burrë dhe më prezantohet se ishte shefi i komunales.

­–Doktor! – më tha,– me urdhër të sekretarit të parë urdhërohem që të rregullojmë urgjentisht klinikën, prandaj hajde me mue dhe më shpjego se si e do.

Thashë me vete: ”Doli dielli, fitova” !

Klinika u rregullua më së miri dhe unë e pajisa me instrumentet dhe pajisjet më të mira të kohës. Puna filloi mbarë, me drejtoreshën u bëmë miq të mirë, si dhe me gjithë të tjerët që jetonin në atë qytet, veçanërisht me kolegët, inxhinierët e gjeologjisë dhe arsimtarët, që kryesisht ishin shkodranë.

Në vitin1964 në klinikën tonë erdhën dhe tre kuadro të rinj: Hasan Alia, laborant dhe dy ndihmësmjeke: Zade Uka dhe Sabrije Kapllani, të cilat pasi kryen aty stazhin njëvjeçar u emëruan: Zadeja në Lekbibaj, ndërsa Sabrija në lokalitetin e Tropojës.

Nga Tropoja kam shumë kujtime, por po përmend disa nga episodet më të veçanta. Në vitin 1965 u transferua në Bajram Curri kirurgu i mirënjohur Dr. Flamur Nishani. Ishte muaji dhjetor. Ai vizitoi një fëmijë dhe e diagnostikoi me apendesit. Meqenëse salla e operacionit nuk ishte e gatshme, këshilloi familjarët që ta çojnë në Shkodër për operim. Në Shkodër, të sëmurin nuk e pranuan; i thanë që të operohej në Tropojë, pasi aty tani punonte Dr. Flamuri, që kishte qenë profesori i tyre. Fëmijën e kthyen përsëri në Bajram Curri dhe të nesërmen e çuan përsëri te  Dr. Flamuri me dhimbje të mëdha barku. Dr. Flamuri e vizitoi dhe vërejti se apendisiti i kishte plasur dhe kishte kaluar në peritonit.

Gjatë asaj nate kishte rënë shumë borë dhe rrugët ishin bllokuar. Fëmija nuk mund të transferohej as në Shkodër e as në Kukës. Dr. Flamuri u shqetësua shumë nga kjo situatë dhe erdhi tek unë në klinikë, pasi dhomat e punës i kishim afër.

–  Tani e pësova – tha Flamuri, – fëmija është rëndë e po vdes.

–  Po mirë, –  i thashë,­–operoje!

–  Nuk kam instrumente! – më tha duke hapur krahët.

I tregova instrumentet që kisha unë në klinikë dhe i thashë që t’i çonte për t’i sterilizuar dhe të përgatisnin sallën për operim.

–  Me këto instrumente, – tha Flamuri, operoj dhe stomakun jo më apendesitin!

Pastaj shtangu:

–  Mirëpo për narkozën si do t’ia bëjmë?! – tha.

–  Unë i kam disa shishe me eter këtu…

Përsëri u çel në fytyrë Flamuri.

–  Po kush do ta japi narkozën? – tha ai duke rrudhur ballin.

–  Mund ta bëj unë, – i thashë ashtu pa u menduar shumë.

–Po a di ti? – më pyeti.

–Po! – i thashë. Në të vërtetë unë nuk kisha dhënë kurrë narkozë, por ndërsa Flamuri shkoi me instrumentet në spital, unë shkova në dhomë dhe lexova librin e kirurgjisë, se si mund të jepej narkoza në kushte fushore. Shkova në spital dhe nuk i rashë në sy Flamurit që unë nuk merrja vesh nga ajo punë, por dëshira dhe besimi, më dhanë kurajo që mund të arrija ta bëja. Operacioni kaloi me sukses. Përjashta në oborrin e spitalit, prisnin me ankth familjarët dhe qytetarë të shumtë, se si do të shkonte operacioni dhe kush do ta jepte afionin (narkozën). Fëmija shpëtoi.

Kështu filloi kirurgjia në Bajram Curri, që besoj dhe shpresoj që kolegët e atij shërbimi ta përmendin në historikun  e shërbimit edhe këtë rast që shënoi fillesën e këtij specialiteti. Por, thotë populli, jo çdo e mirë të del për mirë! Kështu më ndodhi edhe mua. Kur bëhej fjalë për transferimin, diskutohej se kush do të japë narkozën?!

Kështu unë “anestezisti i famshëm” duhet të “specializoja”  një infermier që ta kryente këtë funksion. Dhe kështu u bë. Më vonë këtë infermierin e çuan në Shkodër për “specializim” të mëtejshëm. Edhe kur u realizua ky plan, përsëri Flamuri ngulte këmbë“se pa Foton unë nuk operoj, u mësova me të dhe më jep siguri”.

Flamuri iku nga Tropoja dhe u transferua në Fier. Atë e zëvendësoi një kirurg tjetër, Dr. Skënder Hoxha, me të cilin vazhduam përsëri operacionet.

Me Dr. Skënderin më kujtohet dhe një episod tjetër që e tregon shumë mirë Ali Mula:

Ishte muaji dhjetor. Bora kish arritë mbi një metër naltësi. Mamia e fshatit lajmëroi se nji grue ishte për lindje, por duhej ndërhyrje kirurgjikale. Fshati ishte rreth tri orë larg. Udhëtimi në borë dhe natën e vështirësonte edhe më shumë situatën. Përveç këtyre ne ishim të ngarkum dhe me veglat e pajisjet e operacionit. Kirurgu, Dr. Skënder Hoxha, Dr. Foto dhe unë u nisëm për në atë fshat. Unë e dija mirë rrugën, por do të kryeja dhe ndriçimin mbasi në fshat në atë kohë nuk kishte drita. Vonë, natën, arritëm në katund. Morëm nji tavolinë në shkollë, që do të shërbente si shtrat operimi. Kirurgu dhe mamia operonin, Dr. Foto jepte narkozën dhe unë ndriçoja fushën operatore me një elektrik dore që e kishim marrë hua nga reparti ushtarak. Operacioni u kry me sukses dhe, si nana si fëmija, që mbetën aty në fshat nën kujdesin e mamisë, ishin shumë mirë.”

Në atë kohë ishte i detyrueshëm dhe shërbimi në shkolla. Duhej të shkonim në Lekbibaj për  sanacionin e detyrueshëm. Rruga ishte e keqe, rrugë malore dhe zgjaste rreth gjashtë orë në kambë. Doktorit, rrugës, iu hap këpuca. Shkum atë natë në nji shtëpi në fshat dhe plaka e shpisë i tha:

­–Doktor mos u mërzit se nga shpia jeme nuk del zbathun. Fli pa merak, se në mëngjes i ke gati opingat.” Dhe plaka për tanë natën i përgatiti me durt e veta opingat e reja.

Rasti ma mbresëlanës për mue asht dita kur Dr. Foto Toti u largue nga Tropoja. Unë shkova herët në apartamentin e tij për ta ndihmue. Çdo gja që kishte në atë apartament e la siç ishte. Morëm me vete vetëm nji valixhe dhe nji arkë me libra. Lamë plaçkat tek autobusi, hangrëm mëngjes dhe shkuem te kafja ku na priste Ali Kruja, ish sekretari i parë i rrethit. Pasi u përshëndetëm, doktori thotë:

–  Një Ali më priti, dy Ali po më përcjellin!

Pasi pimë kafetë, tue shkue për tek autobusi, vumë re nji grumbull të madh njerëzish.    ­

–Ç’asht ky milet? – Pyet doktori.

Unë i them se kanë dalë me të përcjellun ty. Doktori i zbehtë në fytyrë dhe me lot në sy u përshëndet me ne e me qytetarët e shumtë që kishin dalë aty. Dikush thirri me za të naltë:

­–Rrugë të mbarë doktor Foto, na e ban hallall e se ke vujtun me ne! Rrofsh e mos na harro se edhe na nuk të harrojmë ty për atë çka ti ke ba për ne…”

Në rrethin e Tropojës kam njohur shumë vetë. Me shumë prej tyre kam ruajtur dhe ruaj miqësinë edhe sot. Aty kam njohur intelektualë, mjekë, oficerë, inxhinierë, arsimtarë etj., por kam njohur edhe shumë njerëz të thjeshtë e bujarë për të cilët ruaj kujtimet më të mira dhe respektin më të thellë. Të gjithë ata njerëz nuk mund t’i përmend me emër, pasi janë shumë, ashtu si dhe kujtimet e mia për Tropojën. Por nga të gjithë ata njerëz dëshiroj të përmend njërin, i cili mendoj se është përfaqësuesi më i mirë dhe më tipiku i cilësive  dhe virtyteve më të spikatura të burrave të vërtetë të Malësisë. Ai është Mehmet Rama, ish-deputet dhe kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Rrethit. Ai ishte një njeri shumë korrekt, punëtor dhe komunikues.

Dua të përmend vetëm një episod nga kujtimet me këtë burrë. Ishte fundi i dhjetorit dhe ne, kuadrot, duhet të merrnim leje për t’u larguar nga rrethi te kryetari i Komitetit. Unë dëshiroja që Vitin e Ri ta kaloja në shtëpi pranë familjarëve. Për këtë arsye shkova te kryetari për të marrë leje. Ai, sa më pa te dera, më thotë: Pse nuk ke shkuar në familje për Vitin e Ri?

–  Prandaj erdha, për të marrë leje.

– Ik o doktor,–më tha, – të fala prindërve dhe gëzuar Vitin e Ri. Ti nuk ke nevojë për leje.

U nisa me një kamion që ishte ngarkuar me bimë medicinale. Gjatë rrugës shoferi vuri re se litari ishte këputur dhe i ishin rrëzuar disa thasë. U kthyem dhe gjetëm disa nga thasët, por jo të gjithë.

– Do të kthehemi,– tha shoferi– do të bëjmë një proces-verbal, prandaj të lutem do të vish dhe ti me mua si dëshmitar. U kthyem në qytet ,unë shkova në klub. Aty ishte dhe kryetari.

– Pse nuk shkove?– më pyeti.

Unë i shpjegova situatën se çfarë na kishte ndodhur.

–  Jo, –tha ai , – sonte ke me shkue në Tiranë, në familje, ata të presin.

–  Jo ,–ia ktheva– tani u errësua dhe prindërit nuk i kam lajmëruar se do të shkoj.

Ai thirri shoferin e tij, Qazimin dhe i tha prerë:

– Sonte do ma çosh doktorin në Tiranë!

Unë nuk pranova, por ai këmbënguli dhe u nisëm me Qazimin, duke shpresuar që rrugës mund të takonim ndonjë makinë dhe kështu ai do të kthehej përsëri. Vetëm në Milot hasëm një automjet me të cilin unë udhëtova më tej për në Tiranë, ndërsa Qazimi për Tropojë. Por a mund të harrohet një gjest i tillë?

Përcjellja

 Largimi nga Tropoja dhe transferimi në Tiranë për mua ishte gëzim i madh dhe emocion. Më gëzonte fakti që po shkoja pranë familjes, por në thellësi të shpirtit ndieja një zbrazëti e keqardhje për ata njerëz që lija aty. Pyesja veten nëse e kisha kryer mirë detyrën dhe nëse e meritoja plotësisht atë respekt e mirënjohje që ata tregonin për mua. Njerëzit më përshëndesnin me dorë, më falënderonin dhe më uronin rrugë të mbarë. Edhe unë, gjithashtu, i përshëndeta ata, duke i falënderuar për mikpritjen, respektin dhe tolerancën që ata kishin treguar ndaj meje. Ky moment për mua ishte gëzim i madh dhe dekorata më e lartë që unë kisha përjetuar në atë kohë.

Autobusi u nis dhe kaloi para kafenesë së Hakiut. Mua m’u kujtuan ditët e para në Tropojë dhe “bisedat” që bëja aty me “Bacë Bajramin” dhe blirin shekullor. Në autobus, tashmë njihja shumë njerëz. Në këtë mënyrë udhëtimi bëhej më “i lehtë” e më i këndshëm. Autobusi tashmë ishte më i mirë dhe rruga gjithashtu. Rruga tani nuk kalonte nga Shkodra, por nga Rrësheni. Ishte më e mirë dhe për dhjetë orë arritëm në Tiranë.

Rruga për në Tropojë sot nuk zgjat as dy ditë dhe as për 12 orë. Ajo zgjat vetëm 3 orë nga Rruga e Kombit dhe diçka më shumë nga liqeni i Komanit.

Çdo gjë ka ndryshuar në Shqipëri. Edhe në Tropojë ndryshimet janë të mëdha. Tropoja bëhet përditë e më e bukur, edhe më e bukur do të bëhet në të ardhmen.

SHKARKO APP