Për kë bie këmbana?

Nga Erion Malaj –
Natën që u prish teatri kombëtar, u ndjeva i tronditur si shumë shqiptarë të tjerë, më shumë me mënyrën se si u prish dhe dhunën që pasoi shëmbjen, se sa nga fakti se u prish një teater që edhe pse i lënë në rrënim, mbarte vlera historike dhe artistike, ndaj personalisht për mua duhej ruajtur. Pak orë pas shëmbjes së teatrit, në c’do cep të Shqipërise u dëgjuan disa këmbana. Jo si rezultat i ngjarjes, por ashtu ndodh cdo të dielë. Por atë të dielë ajo këmbanë nuk ra vetëm për besimtaret.

Po për kë bie kembana?

Menjëhere mendja ju ka shkuar tek titulli që i madhi Ernest Hemingway i vendosi librit të tij në vitin 1940. Por siç ndodh shpesh, edhe mëndjendriturit mësojne dhe frymëzohen nga dikush që ndoshta ka qenë më i madh se ta. Këtë bëri dhe Hemingway, i cili shkëputi këto rreshta nga një perlë e shekullit të 17. Poeti anglez John Donne shkruante në vitin 1624 pikërisht këto fjalë, sa të hidhura, aq dhe të vërteta:

Asnjë njeri nuk është një ishull
i mbyllur në vetvete.
Cdo njeri është një copëz e Kontinentit
një pjesë e Tokës.
Nëse një copëz toke largohet sëbashku me dallgët e detit
atëherë Toka pakësohet në vetvete,
sikur të kishte qenë për ty një pjesë trupi në vendin e saj (copëzes së tokës)
apo shtëpia e nje miku, apo vet shtëpia jote.
Cdo vdekje njerëzore më pakëson
sepse unë jam pjesë e njerëzimit.
Dhe kështu mos të të shkoj kurrë në mëndje të pyesësh për kë bie këmbana:
Ajo bie për ty.”

Ato këmbana, të dielën e 17 Majit 2020 ranë për ty. Po po, për ty. Edhe për mua sigurisht, sepse jam pjesë e kësaj toke, këtij qyteti, njerëzimit si thotë dhe John Donne. Ra për ty sepse të bëri të kuptosh se në cfarë kohësh jeton. Se sa pak të dëgjohet fjala. Se sa pak e duam veten. Se sa pak vlerësojmë historinë. Sa të pandjeshëm jemi bërë! Edhe një gur po ta mbash në xhep për 80 vjet, ditën që do e hedhësh do të marrë malli për të.

E tani që teatri nuk eshtë më, e kthyen në një betejë midis atyre që duan dhe sduan një teatër të ri. Po pse more mjeranë, kush nuk do një teatër te ri? Ju vunë kundër Roza Anagnostit vetëm se tha t mos prishet! Disa të tjerë arritën kulmin, sa ofenduan nderin e kombit Robert Ndrenikën se tha “dua të ndërtohet nje teatër i ri bashkëkohor”. Këto këmbana ranë për ju iluzionist, që kujtoni se emri juaj mund të qëndroje krah këtyre kolosëve të artit shqiptar. Personalisht e dua teatrin, dhe më vret fakti se si u prish, cfarë balte u hodh mbi të, e si politika i reshtoi aktorët në dy krahë të kundert. Pikërisht aktorët, që skenën dhe emocionin përvecse me publikun, e ndajnë ME njëri tjetrin, ju u përpoqet ti ndani NGA njëri tjetri. Por këmbanat ranë dhe për ju, sidomos për ju. Ju interpretojini si të doni,por mos harroni dicka. Rinia shqiptare e dëgjoi këmbanen, pa se cfarë ndodhi dhe koha do tregojë se si do reagojne.

Këmbana ra dhe për komunitetin ndërkombëtar në Tiranë. Mjafton të shëtisni pak në rrjetet sociale te pesë apo dhjetë shteteve partnerë historikë të Shqipërisë, dhe të lexoni cfarë komentesh ka lënë rinia shqiptare aty. Dicka e tille, deri një apo dy vite më parë, ka qenë e paimagjinueshme në Shqipëri. Por ja që këmbana ra dhe për të huajt, që duhet të fillojnë të ndërgjegjësohen sepse shqiptarët kanë filluar të mos pranojnë më cdo gjë si më parë!

Eshtë fakt që frika, naiviteti dhe egoizmi nuk e lejojnë qenien njerëzore të shikojë realitetin ose e shtyjnë atë që ta përdorë realitetin në favorin e tij të përkohshem. Për ju që po prisni të bjerë këmbana juaj, dijeni që tashmë ka rënë. Nëse se keni dëgjuar, eshtë thjesht se skeni dashur. Ndaj po e mbyll me fjalët e John Donne: “Dhe kështu mos të të shkoj kurrë në mendje të pyesësh për kë bie këmbana:
Ajo bie per ty.”

SHKARKO APP