Për portalet dhe qeverinë. ‘Mercenarët’ dhe ‘tradhtarët’

Nga Alfred Lela / 

Mungesa e transparencës për Marrëveshjen e detit me Greqinë ishte shenja e parë se qeveria shqiptare po jepte diçka që nuk ishte e vetja, por pronë publike. Disa takime në Kretë, Korçë apo gjetkë, morën shumë vëmendje mediatike, por asnjë grimë informacion që pasqyronte pikat dhe thelbin e paktit mes dy fqinjëve.

Fshehja e informacionit, apo anashkalimi tij, është gjithmonë tregues i sigurt i një skuthërie politike që bezdiset prej pranisë së opinionit publik, medias dhe opozitës, dhe që preferon të huajin para të vetit në partneritet. Mund të thuhet se informacioni në këtë rast gjendet te vetë mungesa e informacionit. Pra, ajo që nuk thuhet dhe mbulohet, për të cilën pyetet, dyshohet dhe ngulmohet, është e vërteta.

Një akt i dytë e rrëfeu historinë e Marrëveshjes nëpërmjet një letre që, një prej anëtarëve të Komisionit shtetëror të caktuar për tratativat u dërgoi krerërve të lartë. Ky komunikim u mbajt ‘secret’ dhe nuk arriti deri në shtyp. (Më saktë ishte sekreti publik i mbajtur më ‘sekret’ ndonjëherë). Politiko.al, në dijeni të këtij informacioni e botoi lajmin. Vërtetësinë e të cilit e konfirmoi kryeministri Rama pas pyetjs së autorit të këtyre radhëve në studion e ‘Real Story’ në Vizion Plus. Z. Rama e mbështolli të gjithën, me kujdesin që dikush ka për një minë, nën eufemizmin ‘na ka ardhur një shqetësim’.

Autori i letrës, identitetin e të cilit Politiko e di, por nuk e sheh me vend ta bëjë publik, ka qenë kritik edhe me qeverinë Berisha për Marrëveshjen e detit (1). Ai mbetet ndoshta njeriu i vetëm publik (ndër kundërshtarët e paktit të parë) që ka guxuar t’u kundërvihet të dyja marrëveshjeve, dhe kjo është në nderin e tij. Vetëm pjesërisht. Fakti që nuk e bën publik ‘shqetësimin’ (me fjalët e Ramës) apo ‘letrën’ me shqetësimin e tij, e dëshmon atë një individ me anime politike. E drejta e tij.

Një dëshmi interesante e zhvillimeve është se, edhe pse Politiko e botoi lajmin dhe kryeministri e konfirmoi atë, mediat e tjera, tradicionale ose të reja, e pritën me ‘përtesë’ këtë informacion i cili, në fakt, thoshte shumë për identikitin e Marrëveshjes së detit. Tri janë mundësitë: mediat e tjera nuk e honepsën lajmin se e botonte një markë e re mediatike (apo se nuk panë një dokument dhe nuk donin t’i besonin një lajmi të pakonfirmuar zyrtarisht ose të dokumentuar); kishin si qëllim dhe linjë editoriale fshehjen e një lajmi të tillë, që i prishte punë qeverisë; dhe e treta…

E treta lidhet drejtpërdrejt me një lajm ekskluziv të Top Channel, publikimi i një dokumenti të ministrisë së Jashtme greke që pranonte çeljen e një ‘fondi special’ për ‘të krijuar konsensus’ në publikun shqiptar për Marrëveshjen e detit. Dokumenti identifikonte ‘portalet’, pra mediat e reja si të taksuara për këtë shpërblim. Aty nuk ka emra portalesh apo gazetarësh, megjithëse janë linjat editoriale që i tradhëtojnë përherë burimet financiare.

Në fakt, pa u lodhur, si AKEP-i me listën e portaleve ‘ilegale’, mercenarizmi i portaleve (apo gjithë mediave) mund të dëshmohet duke u ndalur te trajtesa ose mostrajtesa që i është bërë lajmeve që lidhen me Marrëveshjen e detit. Është kaq e thjeshtë.

Megjithatë, nuk duhet bërë ky shqetësimi dhe as lajmi kryesor i një zbulimi për të cilin Top Channel meriton kredite. Prej kësaj llogarie mund të zbritet shumë nëse vazhdohet me një fushatë që e zhvendos fokusin padrejtësisht.

Ta prezumojmë plotësisht fajësinë dhe të themi se, shumë apo të gjitha portalet, kanë marrë euro nga fondi i MJ greke. Mercenarizmi i portaleve është pasojë e mercenarizmit të qeverisë, dhe jo e kundërta. Shitja e tyre është bërë pasi qeveria greke, me sa duket, ka arritur të blejë ‘konsensusin’ e qeverisë shqiptare.

Nëse portalet kanë bërë një shkelje etike, qeveria ka kryer një tradhti.

Tyta e Topit duhet kthyer drejt kësaj shënjestre.

Politiko.al

SHKARKO APP