Për shqiptarët këtej dhe andej

Placeholder Image

Nga Ilir Levonja –

Aty pak më parë po ndiqja paralel lajmet mbi këtë Coronavirusin a fatkeqësinë globale. Them paralel pasi si pjesa dërrmuese e emigrantëve kur shtypim pultin gishti shkon tek kanalet e Shqipërisë. Megjithëse e ndjejmë peshën ndërgjegjes karshi vendit ku jetojmë dhe rrisim fëmijët, prapë gishti shkon tek ato të Shqipërisë. Vura re një gazetare të lodhur duke raportuar rezultatet e fundit, shifra ishin 3 më shumë nga dita e djeshme. Nuk e kuptova se përse gazetarja dukej kaq e zymtë, pasi numri 3 në raport me përqindjet është gati i papërfillshëm. Ndërkohë që sipas lajmeve më të fundit të një nga Webeve më zë këtu tek unë si Miami Herald, në raport me ditën e djeshme shifrat janë gati trefishuar.

Kjo po që është alarmante dhe me të drejtë mund të të zymtojë fytyrën. Ndërkaq me shqiptarët e Kosovës, jo kosovarët, ka një shpërfillje për shkak të një lufte politike tepër absurde midis dy liderëve të koalicionit qeverisës. Kësisoj shqiptarët e Kosovës protestuan mbrëmë në një mënyrë origjinale duke rrahur nga dritarja enët e kuzhinës. Nuk ka gjë më të shpifur se sa blofet politike sidomos në kohë të tilla, për më tepër për një qeveri në shtetin më të ri dhe më me pa përvojë siç edhe është Kosova jonë. Kurrë nuk kam ndjerë përbuzje më të madhe se sa kësaj radhe kur mbarë globi është gozhduar në çështjen e mbijetesës. Mbase Prishtina është infektuar keq nga tradita bajate e Tiranës zyrtare, ndërkohë që filluam të shikonim andej me fijen e shpresës se më në fund ne shqiptarët po nxjerrim shtetarë të zot.

Në Shqipërinë amë mendësia e meritës puplon ekranet dhe webet, ku sidomos të majtët po përpiqen të shesin si strateg Edi Ramën që me masat e marra si ndalim qarkullimi apo 7 pikat e financimit mbi pagat dhe të tjera problematika financiare. Dhe ne si shoqëri një pjesë e ndjeshme e saj e kemi tmerrësisht të vështirë të themi një herë të vetme bravo. Nuk e bëjmë dot kurrë për pushtetin tonë…, kjo rrjedh nga kultura e zerimit, që ai që vjen prish gjithçka vetëm e vetëm ta filloj nga vetja, madje t’i bëj dhe vetes lapidar a piramidë. Ju kujtohet besoj se kur ndërtohej rruga e kombit, çfarë nuk bëri Edi Rama për ta denigruar. Thuaji bravo edhe pse është plot cinizëm kur përdorë shprehje të presidentëve të Amerikës në lidhje me dëshirën për të mos qënë aty ky është. Eshtë hajvan shqiptar i radhës kur thotë që ja ka dorëzuar planin Erdoganit nëse ndodh katastrofa, por thuajini bravo dhe mbajani mend se koha fluturon. Eshtë cinik klasik dhe absurd por thuaji bravo se nuk është për kokën tuaj, por për zemrat e njerëzve të çoroditur dhe me të drejtë. Eshtë një situatë e tillë ku veç dy tipare duhet të dominojnë, poziviteti dhe besimi. Thuaji bravo edhe me krahasimet bajate me kombëtaren e futbollit se luan vetëm një pjesë, se si nuk luan të dytën etj., janë idiotizma sepse sporti nuk bëhet me fjalë por me infrastrukturë. Por le të mjaftohemi me dashurinë tonë për kombëtaren me xhamadanin kuq e zi.

Ata na kanë futur në Europë, si këta të Shqipërisë ashtu dhe ata në Kosovë. Kurse politika na ka bërë herë pashallëk të Turqisë, herë të Serbisë dhe herë të Moskës a Pekinit. Mua ajo që më trishton në raport me shoqëritë, krahasimi me Amerikën. Në fakt del këtu edhe presidenti, po del për pak dhe sqarimet mbi planet dhe masat e marra i bëjnë specialistët. Por krahasimi nuk ka se si bëhen, është tjetër Amerika. Ka mahnitur edhe opinionistët tanë me radhët e saj, ka mahnitur dhe deputetët që me inat po japin gjysmën e rrogës. Megjithëse nuk e kanë për asgjë ta japin të gjithën, aty kanë ardhur për pordhë jo për të bërë punë të dobishme. Vetëm në Shqipërinë tonë këtej dhe andej kufirit tregohen diçka speciale, një veprim social si mahnitje e munguar në vendin e tyre. Dhe i vërsulen atyre që shesin limona.

Në fakt janë një tërësi aktorësh që sjellin radhën me rregull, nuk janë vetëm ata që mbajnë radhën. Janë edhe ata nëpër studio që janë të hapur, kontribuues, janë edhe ata që shesin, vendosin tabelën tek dera dhe nga një pako me ujë për shtëpi. Janë edhe politikanët që flasin njerëzishëm dhe u skuqet faqja. Dhe mbi të gjitha, shoqëria flet nën përemrin ne. Këtij vitaliteti duhet t’i qasemi edhe ne si shoqëri pikërisht në këto raste kaq dramatike. Dhe unë mendoj se deri diku ne ja kemi arritur, të paktën nga numrat që shohim. A ka ndikuar izolimi, sigurisht që po. Ndryshe shifrat do ishin alarmante.

SHKARKO APP