Për të qeshur apo për të qarë? Rutina e plazhit për çdo shqiptar!

Është sezon vere dhe të gjithë vrapojmë drejt qyteteve bregdetare, por edhe nëse nuk keni patur mundësi të provoni rrezet e diellit të këtij sezoni, jam e sigurt që një herë në jetën tuaj keni patur këtë rutinë plazhi.

  1. SHKO SHPEJT ZËRE SHEZLLONIN NË RRESHTIN E PARË!

Të gjithë synojnë atë rreshtin e parë të shezllonit, a thua se nëse gërmon aty do gjesh ar, apo rrezet e diellit bien më mirë e nuk dijmë gjë ne? Gjyshet sidomos janë ato të cilat e shohin rreshtin e parë të shezllonave si një synim që duhet arritur në jetë. Mos u shqetëso gjyshe, nuk ta ka zënë njeri shezllonin e rreshtit të parë që e ke zënë që në 6:00 të mëngjesit.

  1. ORE HAPINI NJËHERË ATO QESET TË SHOHIM ÇFARË KEMI MARRË…

Qeset misterioze, që dalin nga çanta e stërmadhe e mamave apo gjysheve, janë të mbushura me ushqim. Ushqimi sigurisht merret ose nga shtëpia ose nga mëngjesi “falas” i hotelit. Ky proces kryet 1 orë mbasi është ngrënë mëngjesi. Bukë me qofte ka ajo qesja aty?

  1. SILLI PAK MË AFËR LODRAT E CUNIT/GOCËS SE MOS NA I MARRIN

Nuk e di pse është mania që dikush do të të vjedhi diçka patjetër në plazh, qoftë edhe lodrat e fëmijëve. Ka raste që ai topi futet poshtë shezllonit dhe nuk ka asnjë njeri në ketë botë që mund ta nxjerri nga aty. Fillon nje aksion familjar për afrimin e gjithë lodrave të fëmijëve, sa mendoj që duhet futur zi një sport i ri në lojrat olimpike.

  1. DO LUAJMË NDONJË LOJË ME LETRA?

Vjen një moment ku bashkohen të gjithë në çadër për të luajtur me letra. Nëse dëgjoni të ulëritura dijeni që dikush ka fituar ndonjë lojë mulani ose 5-katëshi.

  1. EJ, PO TË KISHIM BLERË NDONJË “SNACK” SE PO VDESIM PËR BUKË.

Jemi 1 orë e gjysmë mbasi janë ngrënë ushqimet nëpër qese dhe gjithashtu jemi dhe 1 ore e gjysmë para drekës dhe çuditërisht të gjithë po vdesin për bukë. Duhet marr patjetër ndonjë frutë ose patatinë, ose çdo gjë mjafton të jetë e ngrënshme. Epo duhet diçka që të na hapi oreksin apo jo?

  1. ORE PO BURRAT KU JANË?

Kthen kokën nga kafeneja dhe shikon burrin e ulur duke pirë kafe, ose tek banaku duke porositur për ndonjë pije. Ndërkohë që ti mund të jesh duke hequr të zinjte e ullirit me fëmijët, ose nëse jeni thjesht çift je duke ndenjur si pemë vetëm në shezllon, burri nga ana tjetër të sheh në sy, të bën një përshëndetje me kokë dhe pi kafen mëse i relaksuar.

  1. SHHTTT, PRIT TË DËGJOJ PAK CFARË PO THOTE KJO TE ÇADRA TJETËR

Nuk quhet një ditë e sukseshme nëse nuk ke përgjuar ndonjëherë se çfarë thonë komshinjtë e çadrës ngjitur. Domethënë je në mes të një bisede të rëndësishme dhe thjesht ndalon një moment dhe fillon të dëgjosh muhabetin e të tjerëve. Kot nuk thotë populli: gjëja e tjetrit të pëlqen më shumë.

  1. SA ËSHTË ORA??? 1 E DREKËS??? ÇOHUNI SE NA IKU ORA PËR TË NGRËNË!

Paniku që të kap kur sheh që është ora 12:59 dhe ti nuk je ngritur akoma për të shkuar në restorant është më i madh se paniku që mund të kalosh gjatë një tërmeti. Ngrihesh nga shezlloni, rregullon vendin me shpejtësinë e dritës dhe vrapon për në restorant.

 

SHKARKO APP