Përhapja e virusit nga paraja – Ekspertët e minimizojnë rrezikun

Në fillim të muajit mars, Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandoi shmangien sa më shumë të përdorimit të parasë fizike dhe zëvendësimin me pagesa me kartë, mundësisht me teknologjinë pa kontakt. Sipas Organizatës, monedhat dhe kartëmonedhat mund të ishin një burim i përhapjes së virusit Covid – 19. Megjithatë, në ditët e fundit, ekspertë të bankave qendrore dhe të shëndetësisë po e minimizojnë këtë rrezik dhe sipas tyre nuk ka prova që paraja fizike të jetë një mjet me ndikim të rëndësishëm në përhapjen e infeksionit.

Ekspertët e shëndetit publik në Gjermani janë cituar nga mediat e këtij vendi, shprehen se nuk i konsiderojnë kartëmonedhat si një faktor të rëndësishëm rreziku. Sipas tyre, në parim kohëzgjatja e e mbijetesës së agjentëve patogjenë në sipërfaqet e ngurta është e papërfillshme. Ata nënvizojnë se vetitë fizike të kartëmonedhave në ditët e sotme i bëjnë ato shumë pak të përshtatshme për mbijetesën e viruseve apo agjentëve të tjerë patogjenë. Sipas tyre, virusi përhapet kryesisht direkt përmes kollës dhe teshtimave. Ata mendojnë se nëse virusi mund të përhapje përmes kartëmonedhave, numri i infektuarve do të ishte shumë më i lartë.

Një anëtar i Bordit Drejtues të Bundesbank, Johannes Beermann, u shpreh këtë javë se rreziku nga kartëmonedhat është minimal dhe shumë më i vogël krahasuar me objektet e tjerë që kanë përdorim të shpeshtë në jetën e përditshme.

Aftësia e viruseve për të mbijetuar jashtë organizmave të gjallë është e kufizuar, megjithatë ekspertët theksojnë se koha e mbijetesës mund të jetë e ndryshme për viruse të ndryshme. Gjithashtu, koha e mbijetesës mund të ndikohet shumë nga lloji i sipërfaqes, apo nga agjentë atmosferikë, si temperature dhe lagështia. Nga të dhënat e para, është vlerësuar se Covid – 19 mund të mbijetojë deri në disa ditë në sipërfaqe të zakonshme, si plastika, xhami apo çeliku, por jo më shumë se 24 orë në sipërfaqet prej letre./ SCAN

SHKARKO APP