Përkthyesi – formësuesi i së vërtetës
“Të përkthesh do të thotë të riprodhosh një botë të tërë, për ta bërë atë të kuptueshme për të tjerët. Përkthyesi nuk është vetëm zëdhënës dhe instrument – me fjalët e tij ai formëson të vërtetën.”
Me këto fjalë vlerësimi për punën e përkthyesit e përshëndeti Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Frank Walter Steinmeier në Berlin ceremoninë e rrjetit evropian të përkthimit Traduki. Ministria e Jashtme në Berlin u ofrua të martën (04.10.2014) si sofër e dialogut midis përfaqësuesve të lartë të politikës dhe kulturës nga Evropa, kryesisht nga Evropa Juglindore. Programi i këmbimeve letrare e kulturore Traduki zgjodhi Berlinin si vend takimi të personaliteteve të kulturës.
Përkthyesi – formësues i së vërtetës dhe kapërcyes pengesash
Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Steinmeier e krahasoi punën e përkthyesit me punën e lundërtarit, që kalon njerëzit nga një breg në tjetrin, duke kapërcyer pengesat. Pa përkthyesin, që i kalon hendekët shpesh të mëdhenj kulturorë midis dërguesit dhe marrësit të informacionit, shumë gjëra do të mbeteshin të mbyllura për njerëzimin.Tek ndihma për të kuptuar tjetrin, ministri i Jashtëm i Gjermanisë sheh disa ngjashmëri të përkthyesit me punën e diplomatit. Përkthimi dhe diplomacia mbeten më të nevojshme se kurrë sot, kur Evropën e kërcënon një distancë dhe memecëri e re për shkak të krizës së Ukrainës.
15 vjet pas luftës së Kosovës – afri e re në rajon
Steinmeieri e vlerësoi si unikal në Evropë programin Traduki, përsa i përket formës së tij si rrjet i gjerë i letërsisë dhe i përkthimit. Që njerëzit e Ballkanit Perëndimor janë mbledhur së bashku në Berlin, kjo është një nga meritat më të mëdha të Tradukit, tha ministri i Jashtëm gjerman. Të pranishmëve Steinmeier u tha se Gjermania e vlerëson klimën në Evropën Juglindore, ku njerëzit po ecin drejt Bashkimit Evropian. Optimist ai tha se megjithë vështirësitë, sot është krijuar një afri e re midis fqinjëve dikur në armiqësi me njëri-tjetrin. “100 vjet pas të shtënave të Sarajevës, 15 vjet pas luftës së Kosovës, kjo është më tepër se një rreze e vogël drite”, tha ministri i Jashtëm i Gjermanisë.Në diskutimin në podium që pasoi, me temë “Politika multikulturore – formësuese aktive e politikës dhe krijuese e së ardhmes” u diskutua për kuptimin dhe rolin e kulturës në rajon.
Ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Mirela Kumbaro kujtoi tolerancën e madhe, që është në themel të kulturës. Në kulturë mund të lëvizim lirisht, në të nuk ka kufij. Kufijtë e ndajnë Ballkanin, por këngët ne i kemi të njëjta, tha ministrja e Kulturës e Shqipërisë. Zonja Kumbaro, vetë një nga përkthyeset më të njohura të Shqipërisë, tha se rrjeti Traduki është me programin e tij të këmbimeve një shembull për Ballkanin.
Kumbaro: Evropa jo frikë nga shtete që afrohen
Duke u ndalur në raportin e kulturës me politikën, Kumbaro tha se Evropa nuk duhet të ketë frikë nga shtete që afrohen, nga shtete që kanë krijuar marrëdhënie asociimi me BE. Ballkani ka shumë energji, të cilat Evropa mund t’i shfrytëzojë në dobi të komunitetit. Kultura prin, ajo nuk pret të vijnë anët pozitive. “Ne rrugën për në Evropë e kemi bërë, në sajë të artistëve dhe përfaqësuesve tanë të kulturës”, i kujtoi të pranishmit ministrja Kumbaro.
Përsa i përket raportit të kulturës me pushtetin, ministrja Kumbaro tha se kultura ka fuqinë t’i kthejë njerëzit nga vëzhgues pasivë në aktorë aktivë. Kjo sepse ajo arin t’i prekë emocionalisht njerëzit. Që kultura është mjet shumë efikas për të edukuar mënyrën e të menduarit, këtë fakt ministrja shqiptare e Kulturës e ilustroi me rastin e Shqipërisë. 24 vjet më parë Shqipëria ishte një shoqëri e mbyllur, ku shteti bënte gjithçka. Pas hapjes ajo e pati shumë të vështirë të gjente vlerat e përbashkëta. Por sot Shqipëria është kthyer në një vend të larmishëm dhe magjepsës.
Ftesë për në Shqipëri
Ministrja Kumbaro i ftoi të pranishmit ta vizitojnë Shqipërinë, ku nuk ka vetëm male dhe dete, por edhe njerëz me energji të mëdha, të cilët e kanë flakur frikën. Hajdeni në Shqipëri, Evropës i duhet kjo energji, përfundoi ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Mirela Kumbaro-Furxhi.
Anëtarja e re e Tradukit, Serbia: urat më të rëndësishme se shtëpitë
Ministri i Kulturës së Serbisë, Ivan Tasovac kishte ardhur në Berlin për të nënshkruar aderimin e vendit të tij në grupin e instituteve mbështetëse të Tradukit. Pas nënshkrimit të dokumentit nga të gjithë pjesëmarrësit, zoti Tasovac, dirigjent i njohur në vendin e tij citoi nobelistin e Serbisë, Ivo Andriç. Urat janë më të rëndësishme se shtëpitë, tha ministri serb me fjalët e Andricit. Dhe Traduki ka aftësinë të ndërtojë ura, përmes përkthimit të autorëve kontemporanë. Tasovac kujtoi se interneti, mediet e reja sjellin një rrezik të shumëfishtë për kulturën. Tregu nuk ka interes të ruajë traditën, tha ministri serb. Por modele të politikës kulturore si i Tradukit mund ta ndryshojnë gjendjen.
Interes serb për kulturën shqiptare?
“A kanë interes serbët për kulturën shqiptare?” Kjo pyetje e drejtuesit të panelit të diskutimit, Richard Swarz ndezi një debat midis të pranishmëve. Filozofi rumun, ish-ministri i Jashtëm i Rumanisë, Andrei Pleșu tha se në fillim duhet të jetë përkthimi, pastaj vjen interesi, jo e anasjellta. Ti në fillim ke libra të përkthyer, që të ngjallin pastaj interesin te kultura e tjetrit. Ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Mirela Kumbaro tha se ne jemi të interesuar për kulturën e fqinjit. Po veç librave të përkthyer, kultura është koncept më i gjerë, që të ngjall interes te tjetri. Fjala është për produkte kulturore ku e gjejnë veten të gjithë. Kurse Ivan Tasovac, Ministri i Kulturës i Serbisë tha se roli ynë është si t’i tërheqim njerëzit, si të krijojmë atmosferën e përshtatshme për këtë. Të pranishmit ranë dakord se përkthimi në anglisht e gjermanisht i veprave të autorëve krijon mundësi kontakti të gjera për të gjithë. Kjo pavarësisht nga komuniteti i vogël i përkthyesve në gjuhët përkatëse.
Veç Shqipërisë, Serbisë dhe Rumanisë, në takim u përfaqësuan edhe Kroacia, me Ministren e Kulturës, Prof. Andrea Zlatar Violić, Gjermania me Michael Schäfer, kryetar i Bordit të Fondacionit BMW Herbert Quandt, dhe me Andresas Meitzner, i Ngarkuar për Politikën e Jashtme Kulturore në Ministrinë e Jashtme gjermane, si dhe Liechtensteini, me ambasadorin Prinz Stefan von und zu Liechtenstein.
Ministria e Jashtme e Gjermanisë e mbështet çdo vit me 200.000 euro Tradukin. Rrjeti privat-publik i letërsisë dhe librave Traduki u themelua në vitin 2008, me qëllim forcimin e shkëmbimeve kulturore evropiane dhe ndërrajonale. Me programin Traduki përkthehen letërsi artistike bashkëkohore, libra tematikë dhe për fëmijë si dhe literaturë për rininë nga 13 gjuhë të Evropës Qendrore dhe Juglindore. Deri tani janë sponsorizuar rreth 700 përkthime, shumica nga gjermanishtja në gjuhët e shteteve pjesëmarrësve dhe rreth 200 tituj midis gjuhëve Evropës Juglindore.