Përkujtohet 105-vjetori i lindjes së sopranos Tefta Tashko

 

Ministria e Kulturës përkujtoi sot 105- vjetorin e lindjes së sopranos dhe artises së madhe Tefta Tashko Koço, e cila gjatë karrierës së saj ka realizuar rreth 90 këngë nga të gjitha qytetet shqiptare, të cilat janë pjesë e trashëgimisë kulturore të vendit tonë.

“Përkujtojmë sot në 105-vjetorin e lindjes, një nga figurat më të rëndësishme të interpretimit vokal në Shqipëri, që me interpretimin e saj të bukur dhe autentik, gjatë karrierës së saj të shkurtër ngriti një talent të jashtëzakonshëm të ekzekutimit si në muzikën lirike qytetare, ashtu edhe në repertorin e pasur të muzikës klasike operistike”, thuhet në faqen e Ministrisë së Kulturës.

Këngëtarja e shquar lirike, artistja e popullit Tefta Tashko Koço ka lindur në 2 nëntor të vitit 1910 në Faiyum, Egjipt. Në karrierën e saj sopranoja është shquar në interpretimin e këngës popullore qytetare mbarëshqiptare. Tefta ishte vajza e patriotit të shquar shqiptar nga Frashëri i Përmetit, Thanas Tashkos i cili prej vitit 1910 qe vendosur familjarisht në Egjipt.

Artistja u nda nga jeta më 30 dhjetor të vitit 1947.

SHKARKO APP