Përkujtohet në Shkodër 25-së vjetori i Xhamisë së Plumbit

 

Është përkujtuar  këtë të martë 25-vjetori i rihapjes së Xhamisë së Plumbit në Shkodër, xhamia e parë e rihapur pas rrëzimit të regjimit komunist.  

Aktiviteti ka qenë i organizuar ka Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, në teatrin “Migjeni”, ku kreu i KMSH-së, Skënder Bruçaj ka mbajtur një fjalim përmes të cilit ka ngushëlluar edhe njëherë familjarët e viktimave të sulmit terrorist të ndodhur të premten e kaluar në Paris. 

"Liria e besimit është esenciale për jetën e njeriut, sikurse besimi është i barazvlefshëm me virtytet dhe bie ndesh me tentativat për të mbjellë terror dhe urrejtje në botë. Personalisht, por edhe si kryetar i KMSH-së dënoj ashpër zhvillimet e fundit në shumë vende të botës, ku po shfaqen akte terroriste, vrasje të njerëzve të pafajshme dhe nxitje të urrejtjes, si akte të papranueshme nga feja islame dhe ndërgjegjja islame"-shprehet Kreu i Kmsh-së, Skënder Bruçaj.

Hapja e Xhamisë së Plumbit vjen pak ditë pas meshës së parë në varrezat e Rimajit në Shkodër dhe në të kanë marrë pjesë me mijëra qytetarë të Shkodrës, jo vetëm të besimit Islam. Oratorët në këtë aktivitet kanë vënë në dukje pikërisht bashkëjetesën mes anëtarëve të komuniteteve të ndryshme fetare në qytetin verior.

Në përmbyllje të aktivitetetit, z,Bruçaj ka shprehur edhe një herë kënaqësi e veçantë që ishte mes autoriteteve më të larta fetare e civile të qytetit të Shkodrës, në shfaqjen e dokumentarit "Triumfi i zanit të minareve", në këtë aktivitet përmbyllës të programit 17 ditor kushtuar përkujtimit të 25 vjetorit të rihapjes së xhamisë së parë në Shkodër e Shqipëri, pas 23 vitesh persekutim e dhunë ateiste ndaj fesë. "Një kënaqësi akoma edhe më e veçantë të ndjekësh nga afër programin e mrekullueshëm artistik të nxënësve të talentuar të Medresesë "Haxhi Sheh Shamia". Medresetë janë një vlerë e shoqërisë sonë. Gjithashtu uroj Myftininë Shkodër për titullin "Nderi i Qarkut ", që iu dha nga institucioni i Këshillit i Qarkut Shkodër"- ka përfunduar mesazhin e tij kreu i KMSh-së.

 

Redjon Shtylla

 

SHKARKO APP