Përkujtohet në Shkodër lumturimi i 38 martirëve shqiptarë

3 vjetori i lumturimit të imzot Vinçens Prennushit dhe 37 shokëve martirë të persekutuar e vrarë nga regjimi komunist, u përkujtua përmes një mbrëmje liturgjike nga kisha katolike në Shkodër.

Klerikë e besimtarë u rikthyen në ish burgun dhe hetuesin e Shkodrës, sot vendi i dëshmisë dhe kujtesës. Me lutje, këngë dhe nën dritën e qiriut që simbolizon dritën e jetës, ata u luten për të gjithë të ekzekutuarit e atij regjimi, që në këto qeli kaluan torturat nga me ç’njerëzoret deri në ekzekutim.

Imzot Angelo Massafra: “Duke qenë të bindur se në fund të fundit Zoti fiton gjithmonë, fjala e fundit nuk i takon të keqit por Zotit. Sepse me ringjalljen Zoti ka mundur vdekjen.”

Më pas duke përshkuar të njëjtën rrugë të oborrit të brendshëm të këtij burgu, ashtu si vite më parë, në orët e territ që synonte të “fshihte” këto tortura, nën drejtimin e arqipeshkevit të Shkodrës u krye procesioni deri në kishën e motrave Stigmatine, e më pas atë të Fretërve. Në këto dy kisha gjenden reliktet e dy martirëve të kishës, që selia e shenjtë i shpalli të lumë në 5 nëntorin e 2016-ës.

Papa Françesku firmosi dekretin e lumturimit të martirëve shqiptarë pas një pune voluminoze ku u shqyrtuan plot 2500 faqe materiale të dorëzuara nga Kisha Shqiptare. Mes viteve 1945-1974 u ekzekutuan 38 martirët shqiptarë duke dhënë kështu jetën për fe dhe atdhe.

/Ora News

 

SHKARKO APP