Përkujtohet në Tiranë 105-vjetori i marrëdhënieve diplomatike Rumani-Shqipëri

Nga Entela Binjaku –

Është përkujtuar në Tiranë 105 vjetori i marrëdhënieve diplomatike Rumani-Shqipëri.  Me këtë rast u mbajt në sallën UNESCO të Muzeut Historik Kombëtar konferenca me titull “Tiranë – Bukuresht: Historia e zhvillimit shoqëror dhe kulturor e dy kryeqyteteve”.  Në çelje të saj banda frymore e qytetit interpretoi dy himnet dhe me tej u kalua në fjalët përshëndëtëse. Aktiviteti lindi me nismën e Bashkisë së Tiranës dhe Ambasadës së Rumanisë në Tiranë dhe në bashkëpunim me Muzeun Historik Kombëtar, Bibliotekën Kombëtare dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave.

Në emër të Bashkisë së Tiranë fjalën përshëndetëse e mbajti nënkryetari i Bashkisë Tiranë Z. Andi Seferi i cili theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes vendeve të rajonit. Të pranishmit i përshëndëti  ambasadori i Rumanisë në Shqipëri në vendin tonë SH.T.Z. Mircea Perpelea i cili foli për rëndësinë që ka një aktivitet i tillë duke krijuar mundësinë të flitet rreth dy kryeqyteteve tona, rreth njerëzve dhe kulturës.  “Kemi sfida të përbashkëta, pika të përbashkëta dhe çaste historike që na afrojnë”.

Ai tha se në mënyrë të thelluar rreth këtyre, fjalën e kanë profesionistët por theksoi se lëvizja për shpalljen e Pavarësisë se Shtetit shqiptar nisi nga Bukureshti. Më tej ai foli për familjen me origjinë shqiptare Gjika nga më të rëndësishmet në historinë e Rumanisë, muzikën e shkruar nga një kompozitor i madh rumun si Porumbescu i cili shkroi himnin mbi vargjet e Asdrenit etj. “Çdo herë që e dëgjoj himnin tuaj ndjehem edhe unë shqiptar” tha Ambasadori Perpelea.

Ambasadori foli për  për përpjekjet e mëdha të njerëzve të mrekullueshëm duke sjellë në kujtesë fjalën e Rauf Ficos: “Mes dy vendeve tona, nuk ka asgjë që na ndan. Çdo gjë na bashkon”. Ne jemi vende evropiane dhe kryeqytetet tona kanë sfida si çdo kryeqytet tjetër i Evropës”, përfundoi Ambasadori Perpelea fjalën e tij përshëndetëse ndërsa uroi edhe punime të mbara Konferencës.

Në prani të të ftuarve studentë, historianë, anëtarë të komunitetit arumun në vendin tonë, trupit diplomatik etj., e morën  fjalën disa referues të  cilët në fjalët e tyre sollën aspekte të ndryshme nga historiku  i zhvillimit mes vendeve tona.  Rreth kontributit të kolonisë shqiptare në Bukuresht në lëvizjen kombëtare shqiptare të shekullit XIX  foli Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar Dr. Dorian Koçi. Kumtesat që pasuan erdhën nga tre profesorë të Fakultetit të Histori-Filologjisë së Tiranës. Prof. Dr. Mimoza Karagjozi-Kore foli mbi bashkëjetesën e hershme gjuhësore midis shqiptarëve dhe rumunëve. Prof. Asoc. Dr. Eva Hyska foli rreth temës “Princesha shqiptare Dora D’Istria dhe aktiviteti i saj”.

Prof. Paskal Milo politikan i njohur dhe ish ministër i Punëve të Jashtme i Republikës të Shqipërisë, mbylli serinë e kumtesave duke folur mbi marrëdhëniet aktuale Shqipëri-Rumani në kuadrin e partneritetit Euro-Atlantik.

Konferenca përfundoi punimet me fjalën e Drejtorit të Përgjithshëm të Arkivave, z. Ardit Bido.  Më pas të pranishmit vizituan edhe ekspozitën e hapur me këtë rast me objekte, libra dhe gazeta, ku Muzeu Historik Kombëtar ekspozoi disa objekte, pjesë e fondit muzeor, mes të cilave edhe Kallamarin e përdorur nga Asdreni dhe Flamurin e Kolonisë Shqiptare në Rumani, përdorur gjatë viteve 1938-1953.

Disa ditë më parë më 10 maj 2019, Ambasada e Rumanisë ishte e pranishme me pavionin e saj  në kuadër të “Fshatit Evropian” organizuar nga Delegacioni i Bashkimit Evropian në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës në kuadër të Javës Evropiane 2019. Materiale promocionale kontribut i kompanisë ROTAREXIM, këngët dhe vallet  çobane të zonës midis Transilvanisë dhe Vllahisë, interpretuar nga ansambli folklorit “Miorița” nga komuna Vaideeni prezantuan në Tiranë folklorin rumun.

Në datën 8 maj 2019, Ambasadori i Rumanisë në Tiranë, SH.T.Z. Mircea Perpelea, mori pjesë, me ftesën e rektorit të Universitetit “Luarasi” në Tiranë, prof. dr. Ethem Ruka, në konferencën e tetë ndërkombëtare shkencore me temë: “Politika të Integruara në Kërkim dhe Inovacion”.

Ne këtë aktivitet ishin të pranishëm anëtarë te shquar të fushës akademike të Tiranës, përfaqësues të trupit diplomatik, zyrtarë të lartë shqiptarë dhe studentë të shumtë.

Në kuadër të aktiviteteve të organizuara nga Ambasada e Rumanisë në Tiranë, në datën 4 maj, në qytetin e Korçës, u mbajt spektakli “Ducu Bertzi & miqtë” interpretuar nga artisti i njohur rumun Ducu Bertzi në shoqërinë e Gogu Vanghele, këngëtar me origjinë arumune nga Rumania.  Repertori i artistit të Ducu Bertzi dhe meloditë tradicionale arumune mblodhën në sheshin e Pazarit qytetarë të Korçës dhe turistë të shumtë. Ishin të pranishëm përfaqësues të Bashkisë Korçë dhe të institucioneve të ndryshme lokale.

Një ndër ngjarjet e shënuara ishte edhe vizita në Tiranë e Presidentit të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit të Sibiut, prof. univ. dr. Costantin Chiriac.

Ndër të tjera në programin e vizitës në Shqipëri zoti Chiriac kreu një takim me Kryepeshkopin Janullatos, drejtues i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, drejtorin e Teatrit Kombëtar të Shqipërisë, Ministren e Kulturës, Rektorin e Universitetit të Arteve si dhe mbajti konferencën me titull: “Rumania dhe vlerat evropiane” në Universitetin “Luarasi” dhe recitalin “Zoti dhe vëllai Eminesku” në Fakultetin Filologjik të Tiranës”.

Në datën 18 mars 2019, Muzeu Historik Kombëtar në Tiranë priti një ngjarje të jashtëzakonshme ku publiku shqiptar mundi të takohej me karikaturistin e madh rumun Ştefan Popa Popa’s. Organizuar nga Ambasada e Rumanisë në Tiranë, në kuadër të mbajtjes të Presidencës të Këshillit të Bashkimit Evropian ky aktivitet pati dy komponentë: një ekspozitë të portreteve të disa prej personaliteteve më të shquara të skenës politike ndërkombëtare dhe realizimin e portreteve të pjesëmarrësve në vend. Ngjarja maratonë u zhvillua gjatë një periudhe prej rreth 5 orësh dhe u reflektua edhe në median shqiptare. Pikërisht për mbështjetjen e dhënë këtij aktiviteti Ambasadori Perpelea i dorëzoi të hënën e 20 majit Drejtorit të Muzeut Historik Kombëtar z. Koçi një letër falënderimi.

Ndërkohë e premtja e 24 majit, shënon edhe “Ditën Kombëtare të Arumunëve”, një ditë që përkujtohet në mënyrë të përvitshme edhe nga komuniteti arumun në Shqipëri.

SHKARKO APP