Përmbyllet “DokuFest”, shpallen fituesit

DokuFest, edicioni i 14 i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të Shkurtër dhe Dokumentar, u mbyll në mbrëmjen e 16 gushtit, në qytetin e Prizrenit, në Kosovë.

Edhe Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga mori pjesë në përmbylljen dhe ndarjen e çmimeve. Ajo i ka përgëzuar drejtuesit e Festivalit, për punën dhe angazhimin e tyre të vazhdueshëm për organizimin e kësaj ngjarje kulturore me jehonë ndërkombëtare. DokuFest 2015 në qendër të tij kishte temën e migrimit me filma nga e gjithë bota dhe rajoni i Ballkanit, masterklasa, seminare, debate dhe diskutime në panel.

Programi i filmave të këtij viti përbëhej nga 228 filma të metrazhit të gjatë dhe të shkurtër, 124 prej tyre bënin pjesë në programet garuese. Fituesit nga secila kategori garuese u shpallën mbrëmë në Kino Lumbardhin e Prizrenit, vendin e ceremonisë së mbylljes së festivalit.

Pas ceremonisë së ndarjes së çmimeve, filmi përmbyllës ishte Iris nga Albert Maysles. Këtë vit DokuFest prezantoi programin homazh në kujtim të filmëbërësit legjendar Maysles dhe vëllait të tij David. Pas shfaqjes së filmit, festivali vazhdoi në Lumbardh me performancën e fundit të DokuNights me muzikë tradicionale të Nezafete Shalës dhe familjes së saj.

Rekordi i ri i shitjeve të biletave është 14 000, gjatë nëntë ditëve të festivalit. Performancat muzikore të mesnatës DokuNights kanë shitur një rekord prej 13 000 biletash për programin muzikor me njerëz që vallëzonin deri në agim.

Filmat fitues nga çdo kategori u shfaqen edhe nga një herë në kinematë e ndryshme të festivalit përgjatë natës. Sot në konferencën për shtyp organizatorët e DokuFest do të flasin për mbarëvajtjen e festivalit dhe fituesit e çmimeve.

DokuFest e nisi udhën e tij në vitin 2002, me shfaqjen e një numri të madh filmash dhe me pjesëmarrjen e një publiku të gjerë, artistësh nga rajoni dhe bota, duke e shndërruar qytetin historik të Prizrenit, më të madhin jugor të Kosovës pranë kufirit me Shqipërinë, edhe në një kryeqytet filmi çdo verë.

Më poshtë vijojnë çmimet e këtij edicioni të DokuFest:

ÇMIMI I PUBLIKUT: REMAKE, REMIX, RIP-OFF nga Cem Kaya

GARA KOMBËTARE – FITUES: TË PAFAJSHMIT nga  Amir Vitija

GARA E FILMAVE TË SHKURTËR – FITUES: LISTEN nga Hamy Ramezan dhe Rungano Nyoni

GARA E FILMAVE TË SHKURTËR – ÇMIMI SPECIAL: SUPPORTING FILM nga Douwe Dijkstra Deklarata:

GARA E DOKUMENTARËVE TË MJEDISIT – FITUES: VIRUNGA nga Orlando von Einsiede

GARA E DOKUMENTARËVE TË MJEDISIT – ÇMIMI SPECIAL: WHITE COAL nga Georg Tiller

GARA E DOKUMENTARËVE PËR TË DREJTAT E NJERIUT – FITUES: DEMOCRATS nga Camilla Nielsson

GARA E DOKUMENTARËVE NDËRKOMËTARË/ METRAZHI I SHKURTËR – FITUES: THINGS nga Ben Rivers

GARA E DOKUMENTARËVE NDËRKOMËTARË/ METRAZHI I SHKURTËR – ÇMIMI SPECIAL:SCRAPBOOK nga Mike Hoolboom

GARA E DOKUMENTARËVE NDËRKOMËTARË/ METRAZHI I GJATË – FITUES: MACHINE GUN OR TYPEWRITER nga Travis Wilkerson

GARA E DOKUMENTARËVE NDËRKOMËTARË/ METRAZHI I GJATË – ÇMIMI SPECIAL: THE ROYAL TOAD nga Jenni Olson

GARA E DOKUMENTARËVE TË BALLKANIT – BALKAN NEWCOMER: COLONY nga Gürcan Keltek

GARA E DOKUMENTARËVE TË BALLKANIT – FITUES: FLOTEL EUROPA nga Vladimir Todorovic.

SHKARKO APP