Përmirësohet shëndeti i Robert Ndrenikës, pranë rikthimit në teatër

Aktori i mirënjohur shqiptar, Robert Ndrenika, pas problemeve shëndetësore në zemër, që e larguan para disa kohësh nga shfaqja e Molierit në Tiranë, pritet t’i rikthehet teatrit në vjeshtën e këtij viti me shfaqjen “Tartufi” të regjisorit Erion Kame. Sipas Kult.com, Robert Ndrenika aktualisht gjendet në Gjermani, duke ndjekur kurën dhe duke u vëzhguar për gjendjen shëndetësore, e cila sipas informacioneve që mbërrijnë është duke u përmirësuar, prandaj Kame ka parashikuar që edhe pse jo në premierë, Ndrenika të luajë rolin e Orogonit në reprizat e shfaqjes.

Ndrenika pritej të luante në premierën e datës 16 janar, mirëpo një sëmundje e papritur ndërpreu pjesëmarrjen e tij në prova dhe në skenë dhe nga ku në këtë rast u shty edhe premiera për në muajin maj.

Aktori së fundmi ka mbushur 73 vjet, por nuk është ndalur në aktivitetin e tij artistik. Vitin e kaluar ai shkëlqeu në shfaqjen “Djemtë gazmorë”, me rolin e Uilli Klark. Ai ka interpretuar edhe në shfaqje të tjera të Molierit, si dhe në shumë prej shfaqjeve më të rëndësishme të teatrit dhe kinemasë në Shqipëri.

Robert Ndrenika lindi në Tiranë, në 1942. Në vitet 1960-1964 ka studiuar për aktor ne Shkollën e Lartë "Aleksander Moisiu". Nga ky vit, deri më 1970 ka punuar si aktor në Teatrin "Skampa" të Elbasanit. Në vitet 1970-1974 punoi si aktor në Teatrin e Institutit të Lartë të Arteve (sot Akademia e Arteve), më pas në Teatrin Kombëtar, derisa doli në pension. Sot punon si aktor i lirë. Ndrenika ka qenë ndër aktorët që ka pasur ngarkesën më të madhe në teatër dhe kinematografi. Nga dramaturgjia kombëtare, midis të tjerash, ka interpretuar: "Besa" e Sami Frashërit, "Ura" e Minush Jeros, "Prefekti" i Besim Levonjës, "Familja e peshkatarit" e Sulejman Pitarkës, "Bashkë me agimin" e Kolë Jakovës, "Midis dy njerëzve" e Kiço Blushit, "Skënderbeu" i Lec Shllakut, "Gjenerali i ushtrisë së vdekur" dhe “Stinë e mërzitshme në Olimp” të Ismail Kadaresë, "Lumi i vdekur" i Jakov Xoxës, "Fytyra e dytë" dhe "Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo" të Dritëro Agollit, "Shkallët" dhe "Shtëpia me dy porta" të Ruzhdi Pulahës. Nga dramaturgjia e huaj mund të përmendim "Shumë zhurmë për asgjë", "Nata e dymbëdhjetë" dhe "Zbutja e kryeneçes" te Shekspirit, "I sëmuri për mend" dhe “Kopraci” të Molierit, "Udha e largët" e Arbuzovit, "Luiza Miler" e Shilerit, "Prometeu" dhe "Njeriu që pa vdekjen me sy" të Viktor Eftimiut, "Dashuri e tillë” e Kohoutit, "Banja" e Majakovskit, "Arturo Ui" e Brehtit, "Vdekja e një komisioneri" e Millerit, "Vizita e damës plake" e Dyrrenmatit, "Magjia e madhe” dhe “Cilindri” të De Filipos, "Darka e të marrëve" e Veberit, “6 vjet shtatzënë” e Cikliropulosit, “Pulëbardha” e Anton Çehovit, “Histori zooparku” e Ollbit, etj.. Ndërsa në kinematografi aktori i madh ka interpretuar mbi 30 filma, midis te cilëve mund të përmendim "Horizonte të hapura", "I teti në bronz", "Kapedani", "Shtigje lufte", "Në shtëpinë tonë", "Koncert ne vitin 1936", "Bolero", etj..

SHKARKO APP