Përqafimi i 85-vjeçares zgjidhet si ”Fotoja e Vitit”

World Press Photo, organizata e pavarur jofitimprurëse me seli në Amsterdam, e njohur për konkursin vjetor të fotografive që shpërndahen nëpër media, vlerësoi fotot e vitit 2020. Si “Fotoja e Vitit” u zgjodh fotografia e danezit Mads Nissen, “Përqafimi i parë”, ku 85-vjeçarja Rosa Luzia Lunardi përqafohet nga infermierja Adriana Silva da Costa Souza më 5 gusht 2020 në Brazil.

“Ky imazh portret i Covid përkujdon momentin më të jashtëzakonshëm të jetës sonë, kudo. Shoh aty cenueshmëri, njerëz të dashur, humbje dhe ndarje, shkatërrim, por më e rëndësishmja – mbijetesë.” – tha anëtari i jurisë dhe fotografi Kevin WY Lee. “Nëse e shihni foton mjaftueshëm, do të shihni krahë: simbol i fluturimit dhe shpresës,” shtoi ai.

Për çmimin “Historia e vitit”, juria zgjodhi “Habibi” nga Antonio Faccilongo, ku një seri fotosh transmetojnë në formën e një kronike sfondin e konflikteve të luftës izraelito-palestineze. Historia tregon ndikimin e konfliktit te familjet palestineze dhe vështirësitë që ato hasin në ruajtjen e të drejtave dhe dinjitetit të tyre.

SHKARKO APP